RTK-ja

SINDIKATA E PAVARUR E RTK-SË: Shkelësit më të mëdhenj të ligjshmërisë në RTK, janë ata që duhet ta mbrojnë

Sindikata ia bën me dije z.Kastrati se ligjshmëria në RTK vazhdon të jetë selektive, dhe shkelësit më të mëdhenj të saj janë pikërisht ata të cilët janë të obliguar ligjërisht e moralisht ta respektojnë para të gjithëve dhe ta garantojnë për të gjithë, pa asnjë dallim.

Për këtë që po e themi janë me dhjetëra dëshmi, por për të mos e zgjatur shumë, në kuadër të këtij reagimi po i ofrojmë vetëm disa. Dëshmitë tjera, së bashku me këto që i kemi paraqitur më poshtë, do të jenë pjesë e dosjes që do t’i dërgohet Inspektoratit të Punës.

E para,

Z Kastrati është mirë të tregoni për të punësuarit e RTK-së, por edhe për publikun e gjerë, se cilat masa janë ndërmarrë ndaj Kryeredaktorit të Lajmeve,  Ridvan Berisha i cili gjatë moderimit të emisionit “Debat”, në transmetim live deklaroi:

“Në listë është edhe RTK, e kanë në skenar kapitalisti Besnik Bislimi, besoj që kujdeset bashkë me ekipin e vet të mendësisë gjysëm bolshevike për të kapluar njerëzit e vet këtu.”

Këtë gjuhë të komunikimit z.Berisha e vazhdoi edhe të nesërmen, në gazetën expres ku përveç tjerash tha: “Operacioni i koduar, pastrimi i LVV-së dhe LDK-së me gjasë do të shtrihet gjithandej, pashmangshëm edhe në RTK si pjesë e konceptit bolshevik”.

E dyta,

Z Kastrati, bëjeni publike, cilat masa janë marrë ndaj udhëheqësit të Medieve online Mentor Shala, i cili vetëm pak kohë pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve të fundit kishte shkruar :Lindje-Perëndim, Perëndim a Lindje ?! Përgjigja u dha sonte. Sot 26 % e popullit! (që fatmirësisht nuk është shumica e popullit të Kosovës) vendosen për Lindjen! Nëse Perëndimi (SHBA) u munduan të na bajnë të qartë se duhet të mbesim me perëndimin e na s’e degjuam – Lindja (Rusia) sot ia qon gishtin e mesëm Perëndimit (SHBA) dhe i thotë tash merreni vesh me mu (Rusinë) për Kosovën. Po du me thanë ia kemi thy Rusisë me sonte.

Deri më sot kurrë ma afër s’e kemi pas rrumbullaksimin e shtetit të Kosovës ndërsa prej sonte ma larg e kemi, edhe pse besoj shumë në mrekulli (lojëra të mëdha prej njerëzve të mëdhej).”

Siç e dimë këto deklarata kishin nxitur pakënaqësi dhe reagime të mëdha tek publiku anembanë vendit tonë dhe në shtetet ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.

Por, ne jemi të vetëdishëm  që ju nuk do të keni çfarë të tregoni e publikoni për arsyeje se i keni mbyllur sytë para këtyre shkeljeve, skajshmërisht të dëmshme për RTK-në dhe imazhin e saj. Ndërsa tash, ju po i arsyetoni masat ndëshkuese ndaj atyre që po e mbajnë gjallë programin në këtë kohë të pandemisë globale, të inicuara në emër të respektimit të standardeve profesionale, nga ata që ishin shkelësit më të mëdhenj të tyre.

Ju, po e mbroni ndëshkimin e tyre, në vend se ta bëni të kundërtën, t’i shpërbleni ata për sakrificën dhe rrezikun që po e bartin për veten dhe  familjet e tyre.

A ka rast më tendencioz e selektiv se sa inicimi, brenda vetëm disa ditëve i dy procedurave diciplinore ndaj gazetarit të njejtë ?! Për rastin e parë atij i është shqiptuar masa e rëndë, vërejtje e fundit me shkrim.

Me këtë veprim, ju po e mbroni arbitraritetin dhe drejtësinë selektive.

E arbitrariteti e drejtësia selektive janë padrejtësitë më të mëdha.

Të nderuar kolegë,

Sindikata e Pavarur e RTK-së do të vazhdojë të jetë kundërshtuesja më e madhe e veprimeve tendencioze, arbitrare e selektive, dhe nuk do të kursej asnjë mjet ligjor ndaj secilit që tenton ta instalojë një praktikë të tillë.

Angazhimi i SPRTK -së, do të jetë në funksion të një Transmetuesi Publik për qytetarin e jo të një klani apo partie politike.

Me respekt,

Fadil B.Hoxha

Kryetar i SPRTK-së

 

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …