Ndryshimi i sistemit të votimit nga pesë në dhjetë kandidatë për deputetë ka rritur ndjeshëm pragun e nevojshëm të votave për të hyrë në Kuvendin e Kosovës. Kjo po dëshmohet veçanërisht te Partia Demokratike e Kosovës, si në zgjedhjet e 9 shkurtit, ashtu edhe në ato të 28 dhjetorit. Pavarësisht numrit të lartë të votave, hyrja në Kuvend për kandidatët e PDK-së po rezulton tejet e vështirë. Shembull konkret është Bekim Haxhiu, i cili ka marrë mbi 21 mijë vota, por sërish do të mbetet jashtë Kuvendit. Për shkak të kuotës gjinore, Haxhiu nuk do të jetë pjesë e 22 deputetëve të PDK-së, ndonëse renditet i 20-ti për nga numri i votave. Në partitë e tjera nuk ka raste të ngjashme ku kandidatë me kaq shumë vota mbesin jashtë parlamentit. Në Lëvizjen Vetëvendosje, 13 deputetë të zgjedhur kanë më pak vota sesa kandidati i parë i PDK-së që nuk hyn në Kuvend. Për shkak të numrit të madh të mandateve, pragu për hyrje në VV sillet rreth 18 mijë vota. Në LDK, deputeti i fundit i zgjedhur ka mbi 17 mijë vota, ndërsa në AAK rreth 9 mijë e 800, kryesisht për shkak të kuotës gjinore. Ky realitet tregon se sistemi aktual zgjedhor prodhon paradoks, ku dhjetëra deputetë me më pak vota hyjnë në Kuvend, ndërsa kandidatë me mbështetje më të madhe elektorale mbesin jashtë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
