Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për korrupsion të rëndë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke zbuluar një skemë të gjerë keqpërdorimi institucional që ka shkaktuar dëm mbi 7 milionë euro në buxhetin e shtetit. Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim dokumentesh, përmes procedurave të manipuluara të tenderimit që favorizonin operatorë të caktuar dhe përjashtonin padrejtësisht konkurrencën. Hetimet tregojnë se zyrtarë të MASHT-it kanë hartuar kritere selektuese të porositura, duke e shndërruar prokurimin publik në mjet për përfitime të kundërligjshme. Prokuroria thekson se në disa raste janë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900 për qind më të larta se tregu, duke i shkaktuar buxhetit miliona euro humbje, ndërsa janë lejuar furnizime në kundërshtim të hapur me kontratat, përfshirë zëvendësimin e produkteve me origjinë nga BE-ja me mallra nga Kina dhe Turqia. Ky rast ekspozon një dështim serioz të kontrollit institucional, ku fondet publike të destinuara për arsim janë abuzuar sistematikisht. Aktakuza hedh hije të rënda mbi menaxhimin e parasë publike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
