Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe dënuar me 15 vjet burgim Sllavisha Filiqin, i akuzuar për krime lufte lidhur me zhdukjen e doktorit Hafir Shala gjatë luftës në Kosovë. Aktgjykimi është shpallur të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila bëri të ditur se dënimi do të ekzekutohet sapo vendimi të marrë formë të prerë. Sipas aktakuzës, Sllavisha Filiq, në cilësinë e pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë të tjerë, kishte marrë mjekun Hafir Shala dhe e kishte dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku ai ishte torturuar dhe rrahur brutalisht. Që nga ajo ditë, nuk dihet asgjë për fatin e Shalës. Gjykimi ndaj Filiqit është zhvilluar në mungesë, ndërsa rasti është trajtuar nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Rasti i doktor Hafir Shalës është një nga shumë rastet që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës, dhe ky vendim shihet si një hap i rëndësishëm në adresimin e drejtësisë për viktimat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
