Organizuar nga Komuna e Skënderajt sot u shënua 25 vjetori i Masakrës së Rezallës

Sot është shënuar 25 vjetori i Masakrës së Rezallës, me një manifestim të organizuar nga Komuna e Skenderajt, për nder të viktimave që u vranë nga forcat policore e ushtarake serbe.

Me këtë rast, janë bërë homazhe te lapidari në Kompleksin Përkujtimor në Rezallë, nga kryetari i Komunës, Fadil Nura, nënkryetari gjeneral Sami Lushtaku, deputetët të Parlamentit të Kosovës dhe të ftuar të tjerë të veçantë.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetari Nura ka thënë se me ditë kaq afër njëra tjetrës, Masakra e Izbicës dhe Masakra e Rezallës, pastaj lufta e Jasharëve dhe krismat e çlirimtarëve gjithandej Kosovës, janë kujtim që na mbajnë sytë çelë dhe mendjen e hapur se për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj, u deshën shumë mund e përpjekje, gjak dhe sakrificë.

“Megjithëkëto këto plagë që u shkaktuan nga kriminelët të ditur me emër e mbiemër, e të cilët vazhdojnë të jetojnë lirshëm, shteti ynë sot vazhdon të paguajë çmimin e mbrojtjes së luftës çlirimtare.

Çlirimtarët tanë, presidenti Thaçi dhe shokët tjerë të luftës, lirisë e shtetndërtimit, po vazhdojnë sakrificën, jo për mbrojtje personale të tyre si individ, por për luftën gjithëpopullore çlirimtare”, ka thënë kryetari Nura.

Me 5 prill të vitit 1999 u vranë dhe u masakruan 98 shqiptarë, civilë të pafajshëm dhe të pambrojtur. Masakra e Rezallës është ndër ngjarjet më të dhimbshme dhe ndër masakrat më të rënda gjatë luftës në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

1 maj 1990 – Kuvendi i Pajtimit te “Verrat e Llukës”

34 vite më parë, me 1 maj 1990 u mbajt Kuvendi Gjithëkombëtar i Pajtimit të …