Edhe pse Spanja vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe mban një qëndrim të ashpër ndaj shtetësisë së saj, raportimet në media sugjerojnë se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian mund të adoptojë një qasje më fleksibile sa i përket synimeve të Kosovës për integrim evropian. Aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE prej kohësh mbetet i patrajtuar në institucionet evropiane. Megjithatë, sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë, në Bruksel po diskutohen mundësi për lëvizje pozitive lidhur me këtë çështje. REL raporton se, bazuar në diskutimet joformale në qarqet evropiane, Spanja mund të jetë e gatshme të mos e bllokojë dhënien e një vlerësimi nga Komisioni Evropian për aplikimin e Kosovës, për sa kohë që procesi nuk e detyron atë dhe shtetet e tjera anëtare të adresojnë menjëherë çështjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës. “Në korridoret e Brukselit po qarkullojnë thashetheme se Spanja – shpesh më e ashpra ndër pesë shtetet mosnjohëse – mund ta lejojë Komisionin Evropian të japë një vlerësim, përderisa procesi nuk i detyron shtetet anëtare të merren menjëherë me çështjen e shtetësisë së Kosovës”, thuhet në raportimin e REL-it. Shteti i fundit që ka tentuar realisht ta shtyjë përpara shqyrtimin e aplikimit të Kosovës ishte Republika Çeke, e cila e pranoi kërkesën gjatë presidencës së saj gjashtëmujore të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2022. Megjithatë, pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën — Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja — kanë bllokuar deri më tani çdo hap konkret, duke u bërë të qartë presidencave të radhës së Këshillit se nuk janë të gatshme ta shqyrtojnë këtë çështje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
