Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit, pranon se rreziku për pengim të drejtësisë është zvogëluar

Gjykata Speciale ka vendosur vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi, me arsyetimin se ende ekziston rrezik real që ai mund të pengojë ecurinë e procedurave dhe të kryejë vepra të tjera penale. Vendimi është marrë më 3 shkurt 2026 nga gjyqtari i çështjes. Sipas zëdhënësit të Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, gjykatësi ka vlerësuar se rreziku për pengim të drejtësisë është zvogëluar krahasuar me rishikimet e mëhershme, duke marrë parasysh se procedurat provuese në gjykimin për krime lufte kanë përfunduar, si dhe faktin që në rastin tjetër për ndërhyrje në drejtësi Prokuroria synon të mbështetet kryesisht në prova dokumentare. Megjithatë, sipas vendimit, rreziku mbetet prezent për shkak të dyshimeve për përpjekje të mëhershme për të ndikuar në procedura dhe për shkak të mundësisë që persona ende të paidentifikuar, që mund të thirren si dëshmitarë në procesin e ardhshëm, të jenë subjekt ndikimi. Gjykatësi ka vlerësuar se asnjë masë alternative ndaj paraburgimit nuk do të ishte e mjaftueshme për të zbutur këto rreziqe. Po ashtu është theksuar se kohëzgjatja e paraburgimit konsiderohet e arsyeshme dhe proporcionale në këtë fazë, ndërsa vendimi do të rishikohet rregullisht çdo dy muaj.

Kontrolloni gjithashtu

Me 6 shkurt të vitit 1999 nga Aeroporti i Prishtinës, u nis  për në Rambuje të Francës, delegacioni i Kosovës

Me 6 shkurt të vitit 1999 nga Aeroporti i Prishtinës, u nis  për në Rambuje …