Stacioni pompues “Mirëdita” i KRU Prishtina bëhet me pajisje të reja të klorifikimit të ujit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, së bashku me Ambasadorin e Sllovenisë në Prishtinë, Miljan Mejhen dhe Kryeshefin Ekzekutiv të KRU Prishtina, Ilir Abdullahu, kanë inauguruar pajisjet e reja klorifikuese në Stacionin pompues “Mirëdita”, në lagjen Velania në Prishtinë.

Me këtë rast ministri Stavileci, ka falënderuar shtetin slloven për donacionin në këtë fushë, i cili është i rëndësishëm për qytetarët e Prishtinës. “Falënderoj shtetin slloven dhe konkretisht Ministrinë e Jashtme për këtë mbështetje. Ne me kompanitë tona rajonale të ujësjellësve, të cilat kujdesen jo vetëm me furnizim me ujë të pijes, por edhe ato të cilat merren me atë të ujit të përpunuar industrial, por edhe të ujit, i cili shërben për ujitje, janë duke bërë një punë të mrekullueshme sado që përballen me vështirësi të natyrave të ndryshme prapë se prapë po arrijnë që të kemi një furnizim të rregullt të ujit të pijshëm”, tha ministri Stavileci.

Kreu i MZHE-së, ka pohuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” është në rrugë të mirë të realizimit të projekteve të shumta, të cilat kanë për qëllim edhe zgjerimin edhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e Prishtinës, por edhe për banorët e komunave të tjera.

Ai bërë të ditur se ka edhe shumë projekte të tjera që sado që duken të dimensioneve më të vogla ato janë shumë të rëndësishme, siç është furnizimin me ujë të pijshëm.

Ndërsa, ambasadori i Sllovenisë në Prishtinë, Miljan Mejhen, theksoi se është privilegj që Sllovenia dhe Kosova kanë një raport të mirë politik dhe ekonomik. “Ju e dini që Sllovenia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie miqësore për një kohë shumë të gjatë, përgjatë gjithë historisë. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe ekonomike me Kosovën. Sllovenia është një nga investitorët  më të mëdhenj në Kosovë. Ky projekt ka filluar në vitin 2014, jam i gëzuar që jam pjesë e inaugurimit. Është shumë e rëndësishme të ruash cilësinë e ujit, edhe në të ardhmen do të kemi projekte të tjera”, ka thënë ai.

Nga ana e tij Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se me digjitalizimin e klorinatorëve do të vazhdohet në tërë Kosovën. “Është një inovacion që është bërë nga inxhinierët tanë dhe shpresojmë që këto inaugurime dhe këto të mira që po prekin qytetarët e Prishtinës të vazhdojnë. Është një punë e mirë, e cila do të bëjë klorinimin e ujit nga liqeni i Badovcit në ardhje në këtë rezervar. Kjo pikë furnizon 30 për qind të kryeqytetit dhe është një ndër rezervarët e mëdhenj që ka Prishtina”, ka thënë Abdullahu duke shtuar se këtë vit do të arrihet  furnizim 24 orë me ujë.

Ndryshe, pajisjet e këtij projekti kanë pasur koston prej 48 mijë euro, prej të cilave 20 mijë donacion nga Sllovenia dhe 28 mijë financim nga KRU “Prishtina”.

Instalimi i pajisjeve klorifikuese është pjesë e projektit më të gjerë “Për ujë të pastër në Kosovë”, financuar nga Departamenti për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Asistencë Humanitare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, të zbatuar nga IRD  Global Zavod në partneritet me Kosovo Relief & Development dhe SHUKOS.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …