Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: Kush është baba i kombi dhe për cilin komb e keni fjalën!?

Nocioni “ baba i kombit” kohët e fundit shumë po përmendet tek ne. Sidomos nëpër  raste përkujtimi në përvjetor të ndryshëm të figurave me peshë në historinë tonë të bujshme,  në artin dhe kulturën tonë të pasur  dhe në  të arriturat e tjera të shkencës dhe të dijes në përgjithësi,  nga shqiptarët  përgjatë shekujve. Nocioni  “baba” u atribuohet  edhe  njerëzve me të arritura të veçanta në lëmitë e ndryshme të shkencave dhe të arteve. Por atyre u thuhet  psh:  baba i historisë shqiptare; baba i gjuhësisë shqiptare; baba i mjekësisë, i muzikës, i koreografisë dhe i shumë e shumë fushave të tjera të dijes.

               Kemi dëgjuar shpesh herë të thuhet se baba i kombit shqiptar është Gjergj Kastrioti. Disa të tjerë thonë se është Ismail Qemali. Të tretët thonë për Enver Hoxhën. Dy-tre dhjetëvjetshat e fundit  disa  e përmendin edhe Rexhep Qosen për baba të kombit.  Është një rregull i pashkruar  se njeriut  nuk  është e udhës që t’i jepen tituj dhe epitete për së gjalli sepse jetës nuk i dihet … Secili shprehet sipas shijes dhe orientimit politik e partiak të tij. Por rrallë kush e vret mendjen se “babai” nuk është pronë partiake e as prodhim i shijes së individit.

               Në 20 vjetorin e zhdukjes së ideologut dhe vizionarit  të pashembullt  të çështjes  kombëtare shqiptare, Ukshin Hotit,  u mbajt një akademi politike dhe shkencore. Atë ditë të gjitha shtëpitë televizive dhanë reportazhe nga ai tubim. Në shumicën e televizioneve,  ndër të tjera, u tha se Ukshin Hoti është “baba” i kombit. Mbeta i habitur nga këto që i dëgjova. Të nesërmen i hapa gazetat dhe ate çka e kisha dëgjuar  dje e lexova në shtypin  e ditës.  “ Andin,  baba yt  është  baba i kombit tonë këtu në Kosovë…”. ishte shpehur  kryetari i kuvendit  të Kosovës( “Epoka e Re” dt. 17 maj 2019 faqe 7). Përnjëherë më shkoi mendja se po të kishim patur ndonjë rregullore për t’i shpallur  baballarët  e kombit, sa baballarë do të na u kishin bërë deri sot? Nga fjalia e thënë më lartë vetvetiu del pyetja se baba i cilit komb duhet  të jetë Ukshin Hoti?  Baba i pjesës së kombit shqiptar këtu në Kosovë apo baba  i “kombit kosovar”? Pse kemi nevojë, ne shqiptarët, të kemi baba në të dy anët e kufirit artificial?  Mos edhe kjo e thënë paraqet një sinjal sado të vogël, por zhbirues dhe depërtues,  për vazhdimësinë, gati në heshtje, për “kombin kosovar”…?!  Një gjë është shumë e sigurt:  se për të gjallë të Ukshin Hotit , ai kurrë nuk do të pranonte të ishte “ baba” i “kombit kosovar”. Ndoshta tani është koha të caktohet “babai i kombit” sepse më vonë leht mund të plotësohet edhe ky “vend pune”.  E nëse unë e kam keqkutua fjalinë,  nëse është mendua për babain e kombit shqiptar atëherë  ky  “emrim” bëhet me gjykimin-vlerësimin e të gjitha gjymtyrëve të kombit e jo, kurrsesi, nga individi, i cilit do nivel qoftë ai. Për këtë duhet ta thotë fjalën shkenca e nivelit akademik dhe shumëdimenzional, bile pas një analize së paku pesëdhjetë vjeçare dhe në një ambient  tepër të qetë politik e duke i pasur parasysh  të gjitha ngjyrat politike, pa asnjë dallim. Bile me këtë përcaktim nuk munden të merren akademitë e tashme shqiptare të copëzuara dhe të ideologjizuara  skajshmërisht,  por një akademi e vetme shqiptare e mirëfillt dhe jashtë  çdo ndikimi partiak dhe pushtetar.

               Me këto pyetje dhe me këto hamendje që po i paraqes unë, pa as më të voglin dyshim,  nuk e vë në pikëpyetje vlerën e pamatur intelektuale, politike, atëdhetare, vizionin dhe trimërinë e Ukshin Hotit  me i dalë zot shqiptarizmës, si rrallëkush tjetër në historinë më të re të Kosovës.

               Është bërë zakon kohët e fundit  që të ngritemi në kurriz të vlerave të njerëzve të vdekur  duke i përvehtësua ato vlera me çdo kusht dhe pa asnjë kriter. Një pasuri që e ke, çfardo qoftë ajo, e që nuk ia din vlerën sa e ke në dorë, patjetër se do t’a humbësh-thot një fjalë e urtë e jona. Shembulli më i mirë për këtë thënje është vet Ukshin Hoti.  Sa ishte  mes nesh nuk ia ditëm vlerën dhe e përbuzëm me çdo kusht duke e lënë  anash. Tani mundohemi të përfitojmë në kurriz  të ti. Sa ishte mes nesh e lamë në duar të fatit, kur i kishim të gjitha mundësitë  që ta shfrytëzonim, si kapital politik kombëtar që ishte. Bile as nuk e kishte shoqin ndër të gjallët. Dyshoj se edhe breza të tërë do të vijnë e do të shkojnë e nuk do ta kemi një kalibër të tillë politikani,  menditari dhe  veprimtari pèr çështjen kombëtare. Në viti 1981, kur e dënuan  dhe në kohën sa e mbajtën në burg, ndoshta edhe nuk kemi pasur mundësi ta ndihmojmë e ta kishim afër, jo për  hatër të ti por për nevojën  tonë jetike, të kombit dhe të shtetit tonë Si intelektual kulminant që ishte dhe për  mendjemprehtësinë dhe nuhatjen e tij të hollë politike që e dallonte nga të gjithë të tjerët bashkëkohanikë  të tij, të çfardo niveli,  por edhe për vizionin që e kishte për të ardhmën e shqiptarisë ai nuk pati mbështetje në asnjërin krah politik. Kur e them këte mendoj në krahun “institucioanilst” dhe në pjesën e udhëheqjes së UÇK-së. Për të parët, besoj, nuk ka nevojë për sqarim…, kurse për të dytët e kam një bindje se po të kishin qenë pak më të vëmendshëm…do të gjenin një mënyrë për ta liruar nga burgu, bile Ukshin Hoti do të mund të ishte edhe pjesë e delegacionit në Rambuje! E pse klasa politiko- ushtarake e asaj kohe nuk e kushtëzojë shkuarjen në Rambuje me lirimin e Ukshin Hotit dhe me marrjen e ti në delegacion, këte e dinë  vetëm  ata!? Mendoj  se kjo ka qenë e realizueshme sepse, si rrallë herë në histori, Kosova  ka qenë në qendër të vemendjes  dhe e përkrahur  nga  faktori i jashtëm.

               Po pas lufte a kemi bërë diçka për Ukshin Hotin? Apo për te po na bije ndërmend vetëm kur na duhen votat. Sa herë  është kushtëzua Sërbia me gjetjen e trupit, të gjallë ose të pajetë, të Ukshin Hotit  në këto bisedimet gati dhjetëvjeçare për normalizim të marrëdhënjeve?  Opinioni nuk ka dëgjua që ndonjëherë është përmend emri i Ukshin Hotit në këto bisedime.Edhe tani kemi pasur mundësi që ta kushtëzojmë Sërbinë  për shumë gjëra. E pra edhe për gjetjen e trupit të Ukshin Hotit, të gjallë apo të vdekur. Të gjitha këto tregojnë që për fatin e tij nuk kemi shfaqur fare interesim. Na interesojnë vetëm grumbullimi  i  poenave politik  dhe votat nga fama e tij e fituar me punë, djersë dhe sakrificë,  deri në përjetësi, për Kosovën shqiptare dhe për bashkimin shqiptar. E çka po ofrojmë ne  pas marrjes së këtyre votave…?  Deri tani nuk kemi vërejtë ndonjë përparim në cilësinë e asnjë lëmie të jetës…! E mos të flasim për porosinë dhe vizionin filozofik  të “babait të kombit” rreth bashkimit  kombëtar.

                Athua  ky është babai i kombit tonë a?  Sa shumë po u dashka  të kujdesemi për babain e kombit… ! Aq sa nuk  dimë gjë për fatin e tij! Dhe kjo nuk ka ndodhur  në mesjetë, por në ditët tona!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …