Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Hagë, i kanë shprehur ngushëllime ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, për vdekjen e babait të tij, Jahja Mustafa. Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një njoftimi për media, duke sqaruar se ngushëllimet janë përcjellë përmes një telefonate nga Haga. “Të nderuar qytetarë, kemi pranuar një telefonatë nga Haga, nga bashkëluftëtarët tanë që po mbahen atje, të cilët na kërkuan që përmes nesh, si OVL UÇK, t’i përcjellim ngushëllimet e tyre për familjen Mustafa,” thuhet në njoftimin e OVL-së. Sipas këtij njoftimi, ngushëllimet janë shprehur në emër të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Pjetër Shalës, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt. Jahja Mustafa, babai i ish-komandantit të njohur si “Cali”, ka ndërruar jetë sot, pasi për një kohë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga OVL UÇK është theksuar se gjatë kohës së sëmundjes, Salih Mustafës i janë refuzuar të gjitha kërkesat për ta vizituar babain e tij. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së shprehu ngushëllime për familjen Mustafa, duke e cilësuar rastin si një dhimbje të rëndë njerëzore dhe familjare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
