Ekipi i volejbollit “Tirana” nga Shqipëria ka triumfuar në turneun jubilar memorial “Ismet J. Ramadani”, të mbajtur gjatë fundjavës në Ferizaj, në organizim të KVF “Ferizaj”.
Në këtë turne tradicional, që shënoi një dekadë, morën pjesë gjashtë ekipe: KS “Tirana” nga Shqipëria, KV “Janta Volley” nga Maqedonia e Veriut, si dhe katër ekipe nga Kosova – “Drita” e Gjilanit, “Skënderaj”, “Fushë Kosova” dhe nikoqiri “Ferizaj”.
Finalja u dominua nga volejbollistet e Tiranës, të cilat mposhtën bindshëm KV “Dritën” me rezultat 3:0 në sete, duke siguruar trofeun e turneut.
Kupën e fituesit e dorëzuan presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, z. Bahri Gjinovci, dhe znj. Sherife Ramadani, bashkëshortja e të ndjerit.
Medaljet për ekipin kampion u ndanë nga znj. Emine Ramadani, z. Valon Nikqi dhe znj. Arta Ramadani-Luzha, vajza e Ismet Ramadanit.
Çmimi për MVP-në e turneut iu dha volejbollistes Enkeleda Braho nga “Tirana”, ndërsa kupën asaj ia dorëzoi z. Albion Sherifi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Ekipi “Drita” u rendit në vendin e dytë, duke u nderuar me medalje argjendi nga z. Valon Xhafaj dhe z. Kemajl Luzha, ndërsa vendi i tretë i takoi KVF “Ferizaj”, që mposhti “Skënderajn” në ndeshjen për podium. Medaljet e bronzta u ndanë nga z. Arbër Bytyqi, drejtor i Urbanizmit në Ferizaj dhe z. Ali Ramiqi, mik i të ndjerit Ramadani.
Turneu “Ismet J. Ramadani” tashmë është shndërruar në një traditë sportive e emocionale për komunitetin e volejbollit në mbarë vendin e më gjerë duke ruajtur kujtimin dhe kontributin e tij në gazetari dhe sportin në Kosovë.