Tre oficerë të rinj të FSK-së nisen për trajnim profesional në Mbretërinë e Bashkuar

Tre oficerë të rinj të FSK-së nisen për trajnim profesional në Mbretërinë e Bashkuar

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe këshilltari i tij ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar, nënkoloneli Gregor Lindsay, përcollën tre oficerët e rinj të FSK-së, nëntogerët Besfort Kurteshi dhe Eugen Thaçi dhe togerin Ismail Hoxha, për në Mbretërinë e Bashkuar, për një trajnim profesional në akademitë më prestigjioze të Mbretërisë së Bashkuar. “Dërgimi i oficerëve të FSK-së, për trajnim profesional në Mbretërinë e Bashkuar  shënon fillimin e një viti të suksesshëm  të marrëdhënieve shumë të mira mes ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

 Theksohet se këta pjesëtarë të FSK-së, paraqesin shembullin e rritjes së FSK-ja duke dëshmuar  se udhëheqësit e saj të rinj janë oficerë profesionistë të gatshëm për sfidat që e presin në të ardhmen. “Nëntogeri Besfort Kurteshi do të jetë pjesë e Akademisë Ushtarake Mbretërore Sandhurst. Ky është kandidati i 18-të i FSK-së që shkollohet në këtë akademi ushtarake. Në Sandhurst, Kurteshi do të shërbejë së bashku me mbi 100 liderë të ardhshëm, pjesëtarë nga ushtria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtritë e shteteve tjera. Ndërsa, nëntogeri Eugen Thaçi do të qëndrojë në Edinburg të Skocisë, për një para-trajnim që drejtohet nga Shkolla e Trajnimit të Këmbësorisë. Nëntogeri Thaçi do të studiojë taktikat e Ushtrisë Britanike dhe do të mësojë të përdorë pajisjet britanike në kushtet e dimrit skocez.  Pas këtij trajnimi sfidues, Thaçi do të shkojë edhe në Uells, ku do të jetë oficeri i dytë i FSK-së, për të kryer Kursin Luftarak për komandant të togës. Nëntogeri Thaçi si udhëheqës i ekipit në Ushtrimin ,,Shqiponja Patrolluese 2017”, ka treguar aftësitë për komandimin e këmbësorisë. Megjithatë ai do të sfidohet ende nga trajnimi intensiv dhe kushtet e vështira që mund të gjenden në Uells”, njofton MFSK.

 Kurse togeri Ismail Hoxha, pas sukseseve në Akademinë Ushtarake Sandhurst, ku fitoi ,,Shpatën” si studenti më i mirë ndërkombëtar, dëshmoi aftësi profesionale edhe në garën me prestigjioze ,,Cambrian Patrol” ku zuri vendin e parë me njësitin e tij . Të gjitha këto njohuri profesionale të fituara në Mbretërinë e Bashkuar ai, i zbatoi me sukses në praktikë në Batalionin e Parë të Brigadës për Reagim të Shpejtë ku vepron. Togeri Ismail Hoxha kësaj radhe do të jetë në cilësinë e instruktorit të FSK-së, në Britani të Madhe. Togeri Hoxha, në Mbretërinë e Bashkuar, gjegjësisht në Skoci, do të kryejë detyrën e instruktorit për t’i mësuar kadetët britanikë. Ai gjithashtu do të qëndrojë edhe në Uells, në cilësinë e instruktorit në Kursin Luftarak për Komandant të Togut. “Shumë rrallë ndodhë të zgjedhën si instruktor nga personeli ndërkombëtar për të udhëzuar dhe trajnuar oficerët britanikë. Kjo është një kredi e madhe për togerin Ismajl Hoxha dhe FSK-në”, theksohet në fund të komunikatës.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj: Nëse Kosova ka nevojë për ndryshim në 2024, duhet të shohë drejt PDK-së

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje për një rishikim …