TREGIME NË VETEN E PARË

TREGIME NË VETEN E PARË

(Panajot Boli: ’’SONTE HËNA…’’, tregime & skica, ‘’Neraida’’ Tiranë, 2022)

Më pëlqejnë librat me tregime, sepse tregimi si zhanër i letërsisë, me pak fjalë shtjellon një ngjarje, një lëvizje a një situatë në mënyrë letrare-artistike interesante dhe përmban një porosi jetësore. Madje vet titulli i tregimit reflekton përmbajtjen.  Paçka se është prozë e shkurtë, që lexohet lehtë, me një frymë, siç thuhet.

Në kohë të zymta, të vërshuar nga politika, ngjarjet e propaganda që të lodhin mendjen dhe shpirtin, leximi i tregimeve të mira është ilaç qç të krijon disponim e kënaqësi. Kështu e vlerësoj librin e profesorit, gazetarit, poetit e shkrimtarit Panajot Boli, nga Saranda: ‘’Sonte hëna…’’ libër me 36 tregime e skica, secila më e bukur e më interesante se tjetra, në të cilat autori ka shtjelluar me mjeshtri letrare tablo situatash të ndryshme dhe portrete të njerëzve nga jeta reale, nga përvoja e tij personale,  të një kohe të kaluar, si nxënës, student e mësues.

Tregimet e shtjelluara në librin ‘’Sonte hëna…’’, përveç notës personale, qoftë të vet autorit apo të personazheve tjera, përmbajnë karakteristika sociale dhe politike, pozitive apo negative, të një periudhe të caktuar të regjimit partiak në Shqipëri.

Tregimet dhe skicat që përmban libri ‘’Sonte hëna…’’ , aq sa kanë tituj, kanë edhe më shumë tema trajtimi e rrëfimi. Po, për lexuesit e këtij vështrimi dhe për lexuesit e librit në fjalë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj vet titullin, paksa të çuditshëm të librit. Përse ky titull, ‘’Sonte hëna’’, që në të parë është në kundrim jo të drejt sintaksor? Shpjegimin për këtë titull  do e gjeni në tregimin, me të njëjtin titull (fq.125. Është një tregim-skicë që trazon shpirtin e autorit për fshatin e tij Velahovë, të braktisur nga banorët e fshatit. Duke soditur hënën që del ngadalë dhe ndriçon fshatin, autori thotë:  ‘’Doli hëna lozonjare; doli të lajë me magjinë e saj fshatin tim, sokakët dhe njerëzit e fshatit tim… Atje…hëna nisi të m’i çmbështjellë kujtimet…Ku u arratis jeta e vrullshme e fshatit tim?… Mes qetësisë, një këngë popullore çon notat andej nga ana veriore e fshatit. Dikush i ka ngritur volumin televizorit për të trembur vetminë…Sonte hëna ndriçon ndryshe. Ndriçon dhe…trazon edhe shpirtin tim’’. Është ky një tregim i dhembshëm i jetës sociale dhe problematikës së braktisjes së fshatrave, qoftë të migrimit nga fshati në qytete, qoftë të emigrimit jashtë atdheut, që është bërë një plagë e përgjithshme.

Po në këtë frymë të dhembshme, sociale,  është tregimi vijues ‘’Kush ia vodhi shokët dhe lodrat Alekos së vogël’ fq.128)’,  i cili qan pse nuk ka shokë që të lozë me ta, shikon në televizor bashkëmoshatarët që këndojnë, luajnë, qeshin, shamatojnë. Do edhe ai që në fshatin e tij të kish shumë shoqe e shoqe, por…bota e tij e vogël, shpirti i tij i brishtë e ndien vetminë. Ndonëse i vogël, vetëm pesë vjeç, insiston të shkojë në shkollë me vëllain e tij, që të ketë shokë të luajë.

Pas një vështrimi të përmbajtjes së librit, shkruar nga Zhaneta Këmbora (fq.5-11), janë radhitur  tregimet dhe skicat, me tituj e tema të ndryshme, shumica e tyre të rrëfyera në vetën e parë. Prinë tregimi nga jeta dhe puna reale e autorit si mësues, i cili me klasën e tij me 42 nxënës, kishin vendosur të bënin një marshim për vizitë përmendores së 8 dëshmorëve të rënë në Fushën e Pojskës. Për realizimin e atij marshimi të mundimshëm, hasë edhe në pengesa nga drejtoresha e shkollës dhe sekretari i byrosë politike,  që  kanë tendenca hakmarrje dhe egoiste, për shkak se ‘’letrari’’ i kishte thumbuar disa herë në shtyp dhe kishte bërë për vete rininë. Përkundër pengesave, me vendosmërinë e mësuesit me nxënësit e tij, realizojnë marshimin mbresëlënës, shkojnë vejnë kurore në Përmendoren e dëshmorëve, bëjnë fotografi të përbashkëta dhe lozin futboll në fushën para Përmendores. Në këtë tregim, autori shpërfaqë tërë dashurinë, ndjesinëë dhe afërsinë me nxënësit e tij, siç thotë: ‘’Nxënësit e mi aq të mirë…Ishin 42 nxënës e unë i 43-ti. Kaq ishte klasa ime e madhe: 43 zemra ishim bashkë. 86 sy bashkuam dritën…’’. Vërejtja e sekretarit të byrosë, për ‘’mësuesin rebel të letërsisë’’, mbeti  nën hijen e kënaqësisë së tij me nxënësit e vet.

Kështu, tregim pas tregimi: vijnë ‘’Telashet për notën e ngeljes së Agronit’’, që kishte axhën funksionar i partisë. Përkundër kërkesave dhe intervenimeve, mësuesi nuk lëshonte pe, sidomos kur krahasonte me angazhimin dhe zellin e Arifit i cili e kishte shtëpinë 3 km larg prej shkollës. Dhe derisa Ministria e Arsimit e kishte vlerësuar punën e mësuesit, sekretari i partisë i ‘’qëndiste një vërejtje’’!

Tregimi ‘’Usta Dani’’(fq.27), lidhet me fillimin e punës së autorit si mësues në fshat, plot gëzim, emocione, ankth. Kushtet e jetës në atë fshat ishin të vështira. E kishin udhëzuar të shkonte të zdrukthtari Dani, për t’ia punuar një krevat dhe një dollap. ‘’Ai kaloi vështrimin nga koka te këmbët e mia, sikur donte të më maste gjatësinë për krevatin’’. Që në takimin e parë, mësuesi fiton një përshtypje pozitive për Usta Danin, si njeri elegant, jo vetëm në veshje, por edhe në ecje. Por, mësuesi u çudit nga fjalët e Danit pa lidhje sintaksore: ‘’Na këtu, mësues… bënë për ty krevat…mirë… Ti mësues, mir.Dan pret shtëpi…’’. Më vonë mësuesi merr vesh për peripetitë jetësore të Danit, që në një fatkeqësi komunikacioni kishte mbytur një njeri, ishte burgosur e dënuar dhe gjatë punës si i burgosur i ndodhi fatkeqësia tjetër, në të c’rast e person një i burgosur, por edhe  Danit i bie skelja në kokë, merr tronditje truri, me pasoja të përhershme. Autori shprehë gjithë ndjesitë për vuajtjet, humanizmin, ngrohtësinë njerëzore të Usta Danit, i cili nuk rron më.

’Perustia dhe diktatura’’ është një tregim sa real i dhembshëm, aq edhe humoristik për procesin e kooperativizimit në Shqipëri. Me që Gjyshi ishte kundër hyrjes në kooperativë, djali e sjell propagandistin për ta bindur ‘’për të mirat’’ që sjell kooperativa.  Propandisti ia përmend Leninin, ndërsa Gjyshi, gjoja se nuk e kuptoi:

  • Lere Lenin… Unë Lenin e kam martuar. Ajo të shikojë shtëpinë e saj.
  • Lenini, xhaxha, Lenini.

Ai bëri sikur nuk e kuptoi dhe vazhdoi me të tijën:

  • Të thash, Leni të shikojë shtëpinë e saj dhe të mos futë hundët në shtëpinë time.

Tregimi ‘’Fli zogëza ime, fli’’, bënë fjalë për pagëzimin në kushte ilegale në kohën e ndalimit të fesë në Shqipëri, kur u rritën kundërshtimet edhe brënda familjarëve.

Tregimi ‘’Zemërimi i profesorit’’ (fq.42) sikur ka të bëjë me vet autorin e tregimit dhe telashet e tij me profesorin e psikologjisë, njeri i partisë i cili i kërcënohej studentit (Parit) se do ta përjashtonte nga universiteti.

‘’Trëndafili i bardhë’ është tregimi tjetër antipod me atë paraprak, se është përjetim i gëzueshëm i vet autorit, kur  ishte caktuar ta bënte praktikën pedagogjike si mësues në gjimnazin në të cilën kishte qenë vet nxënës, ku u prit me mirëseardhje,  e takoi edhe mësuesen e tij (Leta). Në atë kohë përjetoi momnte të këndshme e të gëzueshme nga nxënësit dhe nga arsmtarët. U kishte hyrë në zemër të gjithëve. Një nxënëse (Elsa) kishte shkruar në një petale të drandofiles së bardhë: ‘’Ti je mësuesi më i mirë’’, dhe ajo petale ishte oguri më i mirë – i rrugëtimit të autorit…

’Motra e shokut’’ është një tregim që dëmkos veset e intervenimit për dhënien e notave të pamerituara, në bazë të lidhjeve familjare a shoqërore.

‘’Stacioni pa emër’’, një tregim për telashet e migrantëve sqiptarë në Greqi, për shkak të mosnjohjes së gjuhës së vendit, ku duhet ta ndërrojnë edhe emrin personal (nga Ilir, në Ilija) Ka edhe një dozë humori, kur Iliri kishte dëgjuar dike se paraqitej se ishte nga ‘’Shën Saranda’’, ky i kishte thënë: ‘’Edhe unë, afendiko, jam nga Shën-Puka!.

Është i lezeçëm për lexim edhe tregimi ‘’Qeni dhe rosaku i bardhë’’, të cilët shkonin gjithnjë bashkë, e kur rosaku ishte ‘’zhdukur’’ e nuk po dukej më, qeni nga trishtimi bëri vetëvrasje, duke u hedhur nën rrotat e një makine në lëvizje.

Tregimi ‘’Tulla’’ në një mënyrë përqeshë kuadrot e emëruara nga Partia për të udhëhequr ndërmarrjet e pa përspektivë.

Përmes tregimit ‘’Kazanët e rakisë’’ , vëhet në shpotitje neglizhenca e byrokracisë së shtetit. Kazanin e vjedhur gjykata e mban si provë materiale (‘’corpora delicti’’) për seancën gjyqësore kur ta shqyrtojë rastin. Meqë procesi gjyqësor u zgjat shumë kohë, pronari pyet: ‘’Po të ma kishin vjedhur lopën, a do ta mbanin atë si kazanin’’?

‘’Haraçi i hidhur’’ është tregim historik për 300 robinja që Pashai i Janinës ua kishte kërkuar suliotëve, e këta i kishin dërguar 300 bura, të veshur si nuse, dhe ngjarjen e zhvilluar të atij rasti.

‘’Përralli i moçëm dhe deputeti’’ është tregim satirik, për premtimet që japin deputet gjatë fushatave para zgjedhjeve. Kandidati iu ishte betuar fshatarëve se poqese nuk do t’ua asfaltonte rrugën, do të varej në degën e atij Përralli, nën hijen e të cilit mbanin mbledhjen. Për fat, pas tri ditëve, nga një erë e fortë ishte thyer dega..

‘’Një ngatërresë e vogël’’. lajmërim i rremë në gazetë, bënë të shkojë njeriu për ngushëllim, e ‘’të vdekurin’’ e gjen me shati duke punuar në kopësht!

’Diversanti’’ është një nga tregimet  për trishtimin që propaganda i kishte futur popullit nga diversantët, të cilët vrisnin njerëz, plaçkitnin, hedhnin bomba e mina, prishnin hidrocentrale, mbillnin panik. Një ‘’diverzant’’ i tillë i rrezikshëm, që ‘’sillej gjithandej’’, ishte daja, i cili u lajmërua nga Sidneji i Australisë, e që as nuk e kuptonte fjalën diversant.

‘’Thethi na priste’’  është një tregim real, mbresëlënës i autorit, për një vizitë triditëshe perlës turistike në Veri të Shqipërisë, gjatë kohës kur autori ishte studentë i letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Grupi i letërsisë ishin organizuar atë ekskursion. Me lidhje të caktuara e kishin gjetur një makinë për transport. Peripetitë e udhëtimit u harruan gjatë kohës së qëndrimit në atë ambient të mrekullueshëm. Në të kthyer, në një teposhtëze, shoferi u thotë: ‘’Motori nuk punon, po s’ka gjë, e tatëpjetë është’’. Në Bajzë i takon  autobus dhe e lidhin makinën pas tij, deri në Shkodër. U kthyen me buçitje këngës në mesnatë. Studentët kishin dalë në dritare të shihin ç’ishte ajo zhurmë:

Janë ata të marrët e letërsisë, tha njeni dhe e mbylli dritaren!

’Fotografia mëkatare’’ – një fotografi e para  30 vjetëve ia kujton autorit ngjarjen.  Është tregim i këndshëm nga ditët studentore të autorit, kur për të justifikuar ikjen  nga ora e sintaksës, grupi i letërsisë shkojnë për t’u binjakëzua me një organizatë të rinisë punëtore. Njeni nga ata (Riza) nuk shkoi me shokët. Kur ishin kthye në konvikt, Riza turfullonte: – ‘’I mblodha unë tëra për ju, më çoi edhe në katedër, më bënë rezil. Ç’borxh ju kam të më bërtasin ma’’: Këta ‘’sherrat’’ nuk e mbanin të qeshurat. Ditën tjetër, profesori kujdestar (Simo), nuk i qortoi, veçse me një nënqeshje u tha: – Më të kujdesshm, çuna, herë tjetër…

Kështu radhitën edhe skicat: ‘’Vëllami’’, ‘’Buzëqesha e trishtuar e fshatit tim’’, ‘’Eleni me sy të bukur’’, ‘’Sonte hëna’’, ‘’Kush ja vodhi shokët dhe lodrat Alekos’’, ‘’Letër Babagyshit të vitit të ri’’, ’’Urimi i parë’’,  ‘’Marsi i një pranvere të ngrirë’’, ‘’Një mars më vonë’’, ‘’Buzëqeshja e vrarë’’, ‘’Duke luajtur me vdekjen’’, ’’Lule në grykën e tankut’’, ’’Fqinja e çuditshme’’, ‘’Dallëndyshja dhe eseja’’, ‘’Fisnikëri’’, ‘’Aristea në kopshtin magjik’’, ‘’Një italiane e bukur mbi bunker’’ ‘’Ura e pshertimave’’.

Fabula dhe protagonistët e të gjitha tregimeve mbeten në kujtesën e lexuesit, qoftë për motivin, qoftë për stilin lirik  të shtjellimit, qoftë për humorin dhe sarkazmin e përqeshjes së dukurive negative në shoqëri. Por autori nuk le pa i shqua e lavdërua virtytet, mirësitë dhe raportet e mira njerëzore. Notë e veçantë e rrëfimeve në këtë libër është ndjesia e hollë e autorit për njerëzit, për shokët e kolegët, për nxënësit e tij, për fshatin e tij, për natyrën, malet, shpezët. Modestia e tij kudo që shfaqet si protagonist, është një karakteristikë tjetër e rrëfimeve në vetën e parë, e që në galerinë e protagonistëve paraqiten edhe shumë personazhe, me veti të ndryshme, por të shumtën pozitive.

Në shtjellimin e tregimeve dhe skicave në këtë libër, autori ka dëshmuar prirjen dhe talentin e tij të hollë. Në këtë kohë të zymtë të vërshuar nga politika, ngjarjet, propaganda që të lodhin shpirtin, leximi i tregimeve çfarë i përmban libri ‘’Sonte Hëna’’, është si ilaç për të krijuar disponim. Tregimet nuk janë të gjata, janë tamam si fustani i bukuroshes: ‘’mjaft i gjatë sa për ta mbuluar atë që duhet mbuluar, dhe mjaft i shkurtër sa për ta nxitur kërshërinë’’.. Nga secili tregim mund të vëresh mesazhin e mirësisë, dashurisë, fisnikërisë njerëzore, apo edhe mesazhe të fshikullimit të veseve të këqija. Temat janë nga burime të ndryshme: nga përvoja e vet autorit e tema tjera sociale të  realitetit. Si profesor i gjuhës dhe letërsisë, autori shkruan me një fjalor të pasur e gjuhë të pastër shqipe, ndonëse këtë nuk e ka gjuhë amtare (se është minoritar grek), që shkruan dhe boton në të dy gjuhët. E të shkruash e botosh në të dy gjuhët, pa përkthyes, është përparësi e madhe për shkrimtarin, sepse ka rrethin më të gjerë dhe numrin më të madh të lexuesve.

_________

Panajot Boli u lind (1959) në fshatin Velahovë të Delvinës. Ka kryer studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Shkodrës. Krahas punës si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë, ka shkruar e botuar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën greke (më shumë në shqipe) poezi, skica, tregime, reportazhe. Ka disa vëllime të botuara, në poezi  dhe në prozë. Është anëtar i Unionit të Gazetarëve të Pavarur të Shqipërisë dhe kryetar i Bordit të Agjensisë Joniane të Medias dhe Informacionit. Vazhdimisht boton poezi ose tregime në mediat elektronike.

                                                                                                                        Adil FETAHU

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi: 2 NËNTORI

Mehmet Bislimi: 2 NËNTORI

Bacë Osmani, sot është 2 nëntori … ti o palcë prej guri a thua do …