leoni

Tri prononcime deklarative, djallëzore, të tre pushtetarëve, tri përpjekje për të thënë diçka, por jo esencën, realen, as historiken

Politikanët mediokër dhe arrogantë në të njëjtën kohë, sikur është, “treshi-përsheshi” politik i Kosovës, Kurti, Konjufca, Osmani, edhe në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës, i ranë rreth e rrotull, me qëllim për të mos përmendur protagonistët e  meritorët konkretë të bërjes dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Duke qenë se asnjëri prej tyre nuk ka qenë pjesë fizike, as organizative, as maturuese, as heroike, as luftarake, as çlirimtare, as sakrifikuese, as drejtuese, para, as me rastin e shpalljes së pavarësisë, edhe me këtë rast,  këta tre inatzi të lindorizmit shqiptar  i kanë rënë rrotull, sepse inati, urrejtja, smira, xhelozia, noprania shpirtërore, mungesa e edukatës familjare e shoqërore, mungesa e sakrificës për çlirim, ikja nga  vendi për ta shpëtuar kokën bashkë me prapanicën, kur po luftohej kundër barbarisë pushtuese,  i ka krijuar si tipa  sui generis, si racë sahariane, orvelliane, nga tharku i njëjtë, hibridë të llojit të veçantë, sikur janë këta tre tipa të tipologjisë bizantine, sikur i katipizuar filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku.

 

“Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë, që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për të mos thënë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët, ashti si ujqit që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi. Është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë islame, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, Lindorizma e jonë është një dhunti fatale e krishterimit euro-aziatik”. ( Përpjekja shqiptare 1937)

 

Ja si shprehet, Albin Zaim Kurti,  në një fragment të fjalës së tij në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

 

“U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin e pavarësisë. Mirënjohje e veçantë për partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, së cilës ne i dalim zot.

Kurti shpreh mirnjohje për të gjithë kontribuesit e luftës sonë çlirimtare duke nënkuptuar edhe veten, në shumës, pa dallim, pa veçim, edhe pse data e caktuar historike sikur 17 shkurti i vitit 2008, është e veçantë, është kalendarike, është vetë kryefjala e cila ka brenda përmbajtjen e saj, ka protagonistët, me emër e mbiemër, ka kontribuesit e caktuar përfaqësues institucionesh, emrat e mbiemrat e të cilëve  janë publikë, janë ndër të gjallët, madje dy prej tyre janë, në Hagë, në mbrojtje të vlerave të  lirisë dhe pavarësisë së Kosovës,  sikur ish kryeministri në kohën e shpalljes së Pavarësisë, Hashim Thaçi dhe ish kryekuvendari, Jakup Krasniqi.  

 

Kjo është njësoj si ta përkujtosh Luftën heroike të popullit shqiptar në kohën e Skënderbeut, pa ia përmendur emrin e mbiemrin, njësoj si ditën e shpallje së Pavarësisë së Shqipërisë, pa ia përmendur emrin, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit e të tjerëve. Është njësoj sikur të flasësh për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare Të Shqipërisë pa ia përmendur emrin Enver Hoxhës, në data të caktuara të historisë kombëtare, sikur është edhe 17 shkurti i vitit 2008.

Si mund të jetë ndryshe tërë kjo  për një njeri normal, i cili është  betuar në qenien e tij lindoriste, për të mos i përmendur emrat e liribërësve dhe shpallësve  të Pavarësisë së Kosovës.

Ja si shprehet, Glauk Sherif Konjufca,  në një fragment të fjalës së tij, në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

“Në themelin e shtetit tonë qëndron heroizmi i Jasharëve, urtësia e Ibrahim Rugovës dhe ideali i Adem Demaçit”…

Kryekuvendari, Ky konj-ufca edhe pse i gjatë në shtat, i bie shkurt, me aq sa ia qet rradakja, pa e veçuar, pa e përmendur   Adem Jasharin,  nga mesi i Jasharëve, sepse do të duhej të pranonte se ai kishte qenë kryekomandanti i UÇK-së. Ai i përmend emrat e Rugovës e Demaçit, si emra të veçantë, madje duke i  relativizuar, për merita  njëjtë si Adem Demaçin, simbolin e Rezistencës Kombëtare, ashtu edhe Ibrahim Rugovën anëtarin e LKJ-së, njeriun i cili në Beograd, kishte kërkuar që NATO ta ndalte bombardimin kundër forcave  kriminale, shqiptarë-vrasëse, të regjimit të MIllosheviqit,  me të cilin i kishte shtrënguar duart dhe kishte ngrehë dolli, në rezidencën e kasapit serb, në maj të vitit 1999.

Ja si shprehet, Vjosa Raif Osmani,  në një fragment të fjalës së saj në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike. Është reflektim i idealit tonë, i gjyshërve e i stërgjyshërve tanë, i brezave të tërë ndër shekuj, për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur, në të cilin liritë e të drejtat njerëzore, paqja dhe harmonia janë thelbësore.

Kryetarja e pazarit politik me Albin Kurtin,  Vjosa Osmani, Ditën e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e relativizon me përpjekjet shekullore për liri, të tërë brezave, duke humbur rrugën në saharanë e saj politikr, historike, sepse kërkesa për Kosovën Republikë të barabartë në ish-RSFJ daton prej vitit 1981, kur babai saj ishte në anën tjetër të historisë. Nuk ka qenë kërkesë shumëshekullore historike kërkesa për shtetin e  Kosovës, por kërkesa për bashkim me Shqipërinë, qysh  prej vitin 1913. Me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën e aleatëve veçmas të Amerikës,  më qershor të vitit 1999, Kosova u çlirua dhe më 17 shkurt të vitit 2008 u kurorëzua  Shteti i Kosovës.

Këto janë tri djallëzitë dhe inkursionet, politike, diplomatike, sofistike, të tre krerëve të Shtetit të Kovës, me të vetmin qëllim, të sëmurë dhe fiktiv, inatzi dhe primitiv,  për të mos i përmendur emrat dhe për t i anashkaluar meritat e tre protagonistëve për të mos i përmendur emrat e mbiemrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Fatmir Sejdiut, këtij të fundit për inatin e dy të parëve, jo për tjetër.

 

ANDAJ mos harroni…

Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë, që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet…

Lindori shqiptar për t’i siguruar vetes të mira  përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë.

Lindori shqiptar në shpirtin e vet është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët, ashtu si ujqit,  që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset, gjatë  udhës…

 

Ahmer Qeriqi

  1. 2. 2024

Shtime

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ka disa vite që veprimtari i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës, ish i …