Në një atmosferë të ngrohtë, kulturore e mjaft emocionale, u bë promovimi i librit “ 24 Orët e Kujdesit Mjekësor dhe Rrëfimet e përditshme” të prof. dr. Luljeta Abdullahu, në prani të kolegëve, miqve, familjarëve dhe dashamirëve të fjalës së shkruar.
Në fillim të këtij aktiviteti, para të pranishmëve u lexua fjala e redaktorit dhe lektorit të librit, prof. Ahmet Qeriqi, i cili e kishte përkufizuar krijimtarinë e autores si një ndërthurje të harmonishme mes dimensionit arsimor, shkencor, shoqëror, filozofik dhe, mbi të gjitha, atij mjekësor-human. Luljeta Abdullahu, është ndër ato personalitete që dijen, përvojën dhe përkushtimin ndaj njeriut i kthen në vepra që frymëzojnë brezat e rinj.
Recenzenti i librit, prof. dr. Fahredin Shehu, në fillim të fjalës së tij kërkoi një minutë heshtje në nderim të profesorëve të ndjerë Ahmet Qeriqi dhe Isuf Dedushaj, të cilët prej disa muajsh janë në botën e amshuar, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në arsim dhe kulturë.
Poeti me renome botërore, Fahredin Shehu, foli me shumë emocion për bashkëpunimin e tij me autoren. Ai rrëfeu ecurinë e procesit krijues dhe përkushtimin e dr. Luljetës në çdo detaj të librit. Sipas tij, kërkesat, sugjerimet dhe përpikëria e saj profesionale kanë qenë themel për një vepër të qëndrueshme, të ndërtuar me dashuri për dijen dhe njeriun.
Në fund, para të pranishmëve foli vetë autorja, dr. Luljeta, e cila shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj akademik dhe njerëzor. Me emocion të veçantë, ajo foli për dedikimin e librit për babin e saj, Zijadin Mushlën, një figurë e respektuar dhe e dashur, që kishte qenë i burgosur për idealet e tij, e që gjithmonë e kishte përkrahur pa kushte në çdo hap të jetës.
Në një moment emocional, prof. Luljeta ndau me të pranishmit edhe një detaj simbolik: data e përurimit ishte zgjedhur enkas për të përkuar me ditëlindjen e 65-të të bashkëshortit të saj, Naserit, duke e shndërruar ngjarjen në një festë të dyfishtë – të dijes dhe dashurisë familjare.
Në përmbyllje të aktivitetit, u shpërnda libri falas për të gjithë të pranishmit, si një gjest fisnik dhe mirënjohës i autores, ndërsa ceremonia u mbyll me një koktej rasti, ku u ndanë përshtypje, emocione dhe urime për sukseset e mëtejshme të dr. Luljetës.