U mbajt mbledhja e pestë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë

Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur dje mbledhje pestë të rregullt. Kjo mbledhje me kërkesë të kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka filluar me një minutë heshtje në shenjë respekti për mjekun e QKMF-së, Fadil Zuka nga Pozherani i Vitisë, i cili ka ndërruar jetë ditë më parë. Ndonëse në këtë seancë janë diskutuar dhe shqyrtuar shumë dokumente me rëndësi, me theks të veçantë është diskutuar për informatën e kryetarit të komunës për periudhën janar-qershor 2020. Kryetari Haliti duke prezantuar këtë informatë ka folur mbi angazhimin e komunës së Vitisë gjatë këtij gjashtëmujore. “Angazhimi ynë është fokusuar në identifikimin e sfidave, përkatësisht objektivave në qeverisjen e mirë, të përgjegjshme dhe ligjore. Kundrejt këtyre objektivave, na është dashur të maten indikatorët e përformancës, duke e nxjerr pasqyrën e saktë të gjendjes, si atë të identifikimit, planifikimit dhe implementimit të projekteve, mandej në shërbime publike, të situatës në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe të tjerë” u shpreh Kryetari Haliti. Ai shtoj se që nga muaji mars kjo komunë është përballur me virusin COVID-19, ku është paraqitur edhe rasti i parë me këtë virus në Kosovë, konkretisht në këtë komunë. Ai tha se Komuna e Vitisë është mobilizuar dhe ka marrë masa të nevojshme e të domosdoshme për ta menaxhuar situatën si në aspektin shëndetësor por edhe në atë social. Ai për këtë falënderoj të gjithë mekanizmave relevant për përkushtimin e tyre në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia, si dhe bëri me dije se kjo pandemi për gjatë dy muajve ka prekur ndjeshëm edhe zhvillimin e ekonomisë në Komunën e Vitisë. Megjithatë kreu i kësaj komune, potencoi se falë njerëzve të vullnetit të mirë ata ju kanë dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë. “Na është dashur që t`iu dalim në ndihmë familjeve në nevojë, por edhe familjeve tjera të cilave iu është rënduar ndërkohë gjendja financiare. Ne kemi arrit t’i shpërndajmë diku 4452 thasë miell (111300 kg), pako familjare 3810, pako higjienike 401, patate 400 thasë 5/1, patate 1600 thasë 25/1 dhe gjëra të nevojshme elementare për jetesë”, u shpreh kryetari Haliti duke falënderuar secilin prej tyre për kontributin e dhënë në të mirën e qytetarëve vitias. Ndërkaq gjatë kësaj informata ai ka folur edhe për punën e zyrave, drejtorive dhe në të gjithë sektorët. Ndërkaq këshilltarët e Kuvendit Komunal të Vitisë, kërkuan sqarime shtesë për disa aktivitete të realizuara gjatë këtij gjashtë mujori. Ndërkaq gjatë kësaj seance që ka zgjatur disa orë janë shqyrtuar edhe këto pika të rendit të ditës:

Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga mbledhja e katërt e Kuvendi Komunal. Pasqyrat financiare të buxhetit Komunal për periudhën janar- qershor 2020.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për shpalljen në diskutim publik propozim rregulloren për taksa , ngarkesa dhe gjoba për vitin 2021.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për shpalljen në diskutim publik propozimin e rregullores për ndryshimin e rregullores për Tatimin në Pronë të Komunës së Vitisë për vitin 2021.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për formimin e komisionit vlerësues dhe zbatimin e proceduarave për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit paraprak për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale përmes ankandit publik.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për plotësim ndryshimin e vendimit nr.01-110/05-370 të datës. 08.05.2020 për caktimin e lokacionit për ndërtimin e ambulancës shëndetësore në Tërpezë.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për caktimin e komisionit për intervistimin, vlerësimin, poentimin e kandidateve të cilët kanë konkurruar në konkurset publike për pozitat Drejtor, zv. Drejtor të shkollave fillore- mesme dhe çerdhes së fëmijëve të komunës së Vitisë.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e rregullores për menaxhimin e mbeturinave. Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për miratimin e draft planit komunal për menaxhimin e mbeturinave të komunës së Vitisë 2020-2025.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit të Planit Komunal i veprimit për Eficencë të Energjisë (PKVEE) 2019-2021.

Propozim për shqyrtimin dhe miratimin për shpalljen në diskutim publik projekt planin e punës së Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2021.

Informatë për përfundimin e vitit shkollor 2019-2020 nga DKA- Viti.

Gjithashtu me kërkesën e subjektit politik PDK-së, është hartuar dhe miratuar një deklaratë që konfirmon qëndrimin e përbashkët dhe bindjen e paluhatshme se lufta mbrojtëse e qytetarëve të Kosovës është udhëhequr nga Ushtra Çlirimtare e Kosovës dhe është përkrahur nga forcat e NATO-së dhe që ishte luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, kundër regjimit gjenocidiale të Sllobodan Miloshovqit. Kjo deklaratë është nënshkruar nga shefat e grupeve parlamentare të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së por nuk është nënshkruar nga grupi parlamentar i LVV-së, të cilët kishin kërkuar disa ndryshime në këtë deklaratë. Përndryshe seanca e plotë është transmetuar drejtpërdrejtë dhe së shpejti do të publikohet e tëra në platformën e videove YouTube.com dhe në uebfaqën zyrtare të komunës së Vitisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi mori pjesë në përurimin e parqeve në fshatrat Opterushë dhe Retijë e Poshtme

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, zëvendësministrin e …