U mbajt mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së anëtarit të Kuvendit Komunal të Rahovecit, Masar Popajt

Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, sot, është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Masar Popajt. Të pranishëm në mbledhje ishin: Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi; Defrim Kafexhiu, kryesues i Kuvendit; anëtar të Kuvendit, familjarë dhe qytetarë. Në fjalën e tij kryesuesi i Kuvendit, Defrim Kafexhiu është shprehur: Një mbledhje të tillë nuk do të doja ta udhëhiqja asnjëherë, por, ja që detyrohem, me arsyen e pranueshme se Zoti më të mirët i merr më herët pranë vetes. Kolegu ynë i deridjeshëm, që sot e tutje nuk do të jetë fizikisht me ne, do ta kujtojmë çdo ditë në mendjet tona, si njeri që posedoi virtytet më të larta morale e profesionale. Aktivist i kamotshëm për fshatin e tij dhe komunën tonë, punëtor i jashtëzakonshëm dhe njeri që forcoi të mirën çdo herë me urtësi e me ndërgjegje të pastër. Smajl Latifi, kryetar i Komunës  ka thënë: Familja Popaj dhe fshati Fortesë humbën veprimtarin dhe anëtarin e tyre, i cili paraqiti për shumë vite sa shërbeu, kërkesat dhe nevojat e atyre që besuan tek ai dhe e mbështetën për gjithë këto vite, kurse ne humbëm një zë aktiv të Kuvendit që u angazhua aktivisht duke përcjellë me përkushtim ngjarjet dhe jetën politike e publike të Komunës së Rahovecit. Kuvendi veçse po e ndjen boshllëkun e ikjes së tij, por me dashamirësi do t’i ruajmë kujtimet për të dhe angazhimin e tij politik e shoqëror. “Nga ai prisnim që të vazhdojë të kontribuojë edhe më tutje në këtë sferë, por janë disa gjëra që nuk i kemi ne në dorë, prandaj duhet të ngushëllohemi me faktin se e kishim të tillë dhe të marrim shembull se si duhet trajtuar problemet kur ato na shfaqen në rrugën tonë jetësore. Sëmundja e dobësoi fizikisht por nuk arriti ta ndal shpirtin e tij veprues deri në orët e fundit, një njeri që nuk e ndali angazhimin për të mirën e përgjithshme derisa pati forcë e zë për të paraqitur hallet dhe shqetësimet e bashkëvendësve të tij. Shembulli i tij jetësor duhet të na shërbejë si motiv e nxitje për t’i shërbyer vendit sa më mirë. Pikëllimi që shoh në sytë e secilit prej jush, dhimbja që po përjetoni, flet për cilësitë dhe virtytet e Masarit si dhe boshllëkun që ka lënë në shpirtin tonë. Boshllëk ky që do të lë gjurmë edhe në degën e LDK-së në Rahovec për humbjen e këtij anëtari të përkushtuar e besnik, e të një përfaqësuesi të denjë të frymës politike që ka përfaqësuar e besuar. Andaj, ju shpreh ngushëllime dhe e ndajmë dhimbjen së bashku”, ka thënë në fjalimin e tij kryetari Latifi. Në emër të familjes Popaj ka folur, Mendrit Popaj, djali i Masarit, i cili ka falënderuar kryetarin, kryesuesin, anëtarët e kuvendit, për pjesëmarrje në mbledhje duke thënë se babi na thoshte respektojini të gjithë, në mënyrë që ata të respektojnë më vonë, këtu po e shoh atë se çka thoshte babi. Burim Krasniqi, kryetari degës së LDK-së në Rahovec, parti të cilës i ka takuar edhe Masari ka thënë: Me të vërtetë është vështirë që në këto çaste të mallëngjyeshme të flitet për një person siç ishte Masari, ku i njëjti pa reshtur gjithë jetën e tij i kushtoi të mirës së qytetarëve të komunës së Rahovecit në përgjithësi e të fshatit Fortesë në veçanti, si kryetar i fshatit, anëtar i LDK-së dhe se fundmi edhe si delegat i Asamblesë komunale për dy mandate radhazi.

Mund të jetë një imazh i 5 persona, njerëz të ulur dhe ambiente të brendshme

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …