Brickos

U mbajt nata e parë e edicionit të gjashtë të festivalit “Oda e Llapushës”

 

Është mbajtur nata e parë e festivalit mbarëkombëtar të folklorit “Oda e Llapushës”, edicioni i gjashtë. Në natën e parë, janë paraqitur disa nga ansamblet, grupet dhe rapsodët, por shiu e ka ndërprerë në gjysmë dhe pjesa e mbetur do të vazhdoj konkurrimin në natën e dytë, e cila mbahet me 2 gusht nga ora 19:00. Nata e parë e festivalit, ka filluar me tingujt e këngës “Baresha” e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, pasi ashtu edhe sikur është bërë traditë, secili edicion i festivalit, fillon me tingujt e një prej perlave të muzikës popullore apo folklorike nga Malisheva. Krahas shumë qytetarëve dhe zyrtarëve të qeverisë komunale të Malishevës, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, zv/ministrat Vesel Krasniqi dhe Arbëreshë Krasniqi, si dhe një numër i madh i artdashësve dhe kultivuesve të folklorit dhe të artit, nga të gjitha trevat shqiptare. Festivalin e ka hapur, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nën përkujdesjen e të cilit edhe mbahet Festivali Folklorik “Oda e Llapushës”. “Ky festival ka nisur për të mbarë dhe kështu po vazhdon. Malisheva është djepi i folklorit dhe rapsodëve dhe kjo traditë do të vazhdojë, që të kultivohet trashëgimia dhe kultura jonë e pasur”, tha Begaj, i cili i përshëndeti të gjithë të pranishmit, e sidomos mërgimtarët, pasi edhe festivali mbahet në kuadër të shënimit të ditëve të mërgatës, si dhe pjesëmarrësve ju uroj suksese. Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj,e cila është edhe drejtoreshë e festivalit, pasi i ka përshëndetur të gjithë, tha se “Malisheva është treva më emblematike e folklorit shqiptar, Malisheva është e këngës, e luftës dhe e lirisë, prandaj kënga asnjëherë nuk është ndalur dhe as nuk do të ndalet, pasi është burim i pashtershëm i folklorit, i kulturës, i artit dhe i traditës”, tha drejtoresha Kryeziu-Ramaj. Festivali vazhdon sonte, me natën e dytë, ndërsa të gjitha prezantimet konkurruese do të vlerësohen nga juria profesionale, në përbërje nga Prof.Dr.Zymer Neziri, prof.Dr.Adem Zejnullahu dhe prof.Dr.Sami Piraj, njohësit më të mirë të folklorit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …