U mbajt për herë të parë ceremonia e diplomimit të maturantëve të Shkollës së Mesme Teknike “Jonuz Zejnullahu” në Viti

Në një atmosferë solemne dhe festive, u mbajt ceremonia e diplomimit të maturantëve të Shkollës së Mesme Teknike “Jonuz Zejnullahu” në Viti, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme të jetës së tyre arsimore dhe fillimin e një kapitulli të ri drejt studimeve, profesionit dhe sfidave të së ardhmes.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, kryesuesi i Kuvendit Komunal, përfaqësues të institucioneve komunale, Drejtoria Komunale e Arsimit, drejtoria e shkollës, stafi arsimor, prindër dhe mysafirë të shumtë, të cilët ndanë së bashku gëzimin dhe krenarinë për suksesin e kësaj gjenerate.

Gjatë ceremonisë u vlerësua puna, përkushtimi dhe angazhimi i maturantëve përgjatë viteve të shkollimit, si dhe kontributi i profesorëve dhe familjeve në formimin e tyre profesional dhe qytetar.

Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, dhe drejtori i shkollës mbajtën fjalë rasti, duke uruar maturantët për suksesin e arritur dhe duke iu dëshiruar suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejmë.

Po ashtu, u theksua rëndësia që ka arsimi profesional dhe teknik për zhvillimin ekonomik e shoqëror të komunës sonë, duke vënë në pah edhe investimet që Komuna e Vitisë po realizon në kuadër të Inkubatorit të Biznesit. Përmes kabinetëve modernë dhe infrastrukturës bashkëkohore që po krijohet për profile të ndryshme profesionale, synohet avancimi i mësimit praktik dhe krijimi i mundësive më të mira për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.

Shkolla e Mesme Teknike “Jonuz Zejnullahu” vazhdon të mbetet një nga institucionet më të rëndësishme arsimore në komunën tonë, duke përgatitur gjenerata të reja profesionistësh që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Komuna e Vitisë uron të gjithë maturantët për këtë arritje të rëndësishme dhe u dëshiron suksese në studime, në profesion dhe në çdo hap të jetës së tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Nderohet kujtimi i Heroit Skënder Rexhepi – KOMANDANT HEKURI

Në ditëlindjen e 61-të të Heroit të Kombit, Skënder Rexhepi – Komandant Hekuri, u vizitua …