U bë përurimi i aneksit të shkollës në Mirushë të Malishevës

Në fshatin Mirushë të komunës së Malishevës, përkatësisht në shkollën “Labinot Krasniqi”, është inauguruar aneksi i objektit të shkollës dhe nga e hëna, kjo shkollë, bëhet shkolla e trembëdhjetë në Komunën e Malishevës, që do të mësohet me vetëm një ndërrim. Në ceremoninë e përurimit të objektit, morën pjesë edhe drejtori komunal i arsimit, Avdi Morina dhe ai i urbanizimit, Ahmet Morina, të cilët i kanë uruar nxënësit, mësuesit dhe banorët e fshatit për këtë objekt të ri shkollor.

“Ne si komunë, jemi duke u angazhuar maksimalisht, që ti ndërtojmë objektet shkollore dhe krahas kësaj, prioritet mbi prioritete është rritja e cilësisë në mësim dhe ky është qëllimi ynë. Ne jemi duke krijuar kushte për mësimdhënie dhe mësimnxënie, por krahas kësaj kërkojmë edhe rritje të cilësisë. Brenda vitit të ardhshëm, pritet të përfundojmë ciklin e ndërtimit të shkollave në të gjitha vendbanimet, dhe kjo bëhet me qëllim të ofrimit të kushteve më të mira, si për nxënës, ashtu edhe për arsimtar dhe në të njëjtën kohë edhe për ngritjen e cilësisë në arsim. Ju uroj të gjithëve, që ta gëzoni këtë objekt të ri shkollor”, tha drejtori i arsimit Avdi Morina.

Ndërsa drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, tha se “ krahas investimeve në fusha tjera të infrastrukturës, infrastruktura shkollore, është dhe do të mbetet, prioritet mbi prioritete dhe ne sot, ju urojmë për këtë objekt, i cili besoj që ju ofron kushte më të mira për mësimdhënie”.

Drejtori i shkollës “Labinot Krasniqi”, Shaip Thaçi, duke folur, me rastin e hapjes së këtij aneksi shkollor, e ka falënderuar komunën Malishevës për këtë investim. “Para luftës, ne si banorë, kemi filluar ndërtimin e saj, për shkak të rrethanave, asnjëherë nuk kemi mundur ta ndërtojmë si duhet. Sot, falë atij angazhim si fshat dhe përkushtimit të Komunës së Malishevës, u jetësua kjo shkollë dhe nxënësit, nga tani kanë filluar mësimin”, tha drejtori i shkollës, Shaip Thaçi, i cili i falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë, në ndërtimin e shkollës.

Sipas drejtorit të urbanizmit, Ahmet Morina, meremetimi i këtij objekti shkollor, buxhetit komunal i ka kushtuar rreth 25 mijë euro. Gjatë erërave të fuqishme të këtij fillim viti, kulmi i kësaj shkolle ishte dëmtuar tërësisht, ndërsa edhe gjendja brenda objektit, ka qenë jo e mirë, dhe për këtë shkak, Komuna e Malishevës, ka bërë meremetimin e këtij objekti të shkollës.

Kontrolloni gjithashtu

AAKV “Kastriotët” fitojnë dy çmime në manisfetimin kulturor-sportiv “Flakadani i Karadakut

Mbrëmë në edicionin e 23-të të festivalit të këngëve dhe valleve burimore shqipe, “Flakadani i …