U promovua libri “Simbole të Lirisë” i humanistit dhe veprimtarit, Musa Emini

Me rastin e 28 shtatorit-Ditës së Dëshmorëve të Kombit të Ferizajt, është bërë promovimi i librit “Simbole të Lirisë” e autorit,  humanistit dhe veprimtarit Musa Emini. Në këtë promovim të librit kanë marrë pjesë struktura udhëheqës të komunës, deputetë, drejtues të organizatave të dala nga lufta si dhe mysafirë të shumtë. Të pranishmëve me një fjalë rasti ju është drejtuar Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu. “Është privilegj i veçantë që në këtë ditë të shënuar për Ferizajn, ditën kur po kujtojmë sakrificën sublime të Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Ferizajt, të promovojmë këtu, një vepër unike, një album e histori lavdie, veprën e veprimtarit të shquar e humanistit të rrallë, bashkëvendasit tonë, Musa Emini. “Simbole të lirisë” mban titullin vepra që në vete përmban, ngrehinat tona të sakrificës e lavdisë, shenjat në kohë të luftës sonë çlirimtare, krenarinë që është përjetësuar në gur të palëkundshëm për lirinë e Kosovës.  Anembanë vendit, në gjithë trupin e Kosovës, Republikës i bëjnë hije, i bëjnë rojë, shtatlartat lapidare, monumente, obelisqe, fanarë këta të pashueshëm që burojnë nga lavdia e së kaluarës, për t’i bërë dritë sa të jetë jeta, së ardhmes së kombit e Republikës”, tha Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se toka e Kosovës u la me gjak dëshmorësh e martirësh, përgjatë brezave. “Një lule shprese çeli nga gjaku i tyre njomak, për t’i bërë fresk të sotmes sonë, të ardhmes sonë. Ata ranë e mbi këtë tokë mbollën lirinë. Ata ranë, për ta bërë të pavdekshme veprën heroike të tyre, Kosovën tonë, lirinë e shtetin tonë. Në mes shkronjave të këtij libri, gjejmë historinë tonë. Gjejmë vetveten. Gjejmë më të dashurit tanë, që janë përjetësuar në yje të universit mbarëshqiptar. Ata janë të shkrirë në ajrin e këtij qielli, në dheun që nuk duron këmbë pushtuesi, ata janë të shkrirë në çelik e bronz, në të gurtat shtate që si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dëshmorët e martirët e atdheut, ishin e mbeten, të palëkundur, të pathyeshëm, të parrëzueshëm, në çdo tufan të historisë sonë të përgjakshme.E sot, kjo vepër, na vjen në 150 vjetorin e themelimit të qytetit, si një punë dokumentare e rrallë, e veçantë, historike. Zë fill e del në dritë, kjo pasuri e çmuar dokumentesh, faktografi për të kaluarën jo të largët të popullit tonë. Ky frut i punës, përpjekjes e djersës, mishëron vet sakrificën, punën vetmohuese të autorit. Mosha, nuk është pengesë për bacën Musë që të hedh akoma hapat drejt ndriçimit, vënies në pah të vlerave tona të mirëfillta. Zaten, këtë mision i vuri vetes që në vitet e hershme të rinisë për të mos njohur lodhjen edhe sot, me bindjen e këmbënguljen, që nuk rresht së frymuari edhe sot, për ta shpërndarë me vepra të tilla, në vitrinat e raftet e historisë dhe në mbamendjen e gjithë shoqërisë. Ferizaj e njeh Musa Eminin. Ne, jemi krenarë me gjithë punën e angazhimin e tij dekadësh në të mirë të shoqërisë, kombit e atdheut. Vlerat e tij njerëzore, atdhetare, mishëruar pandashëm me idealin e lirisë dhe humanizmin që spikat personalitetin e tij, janë shkrirë në këtë vepër dhe në gjithë veprën e shkruar dokumentare të tij, andaj që sot, me këtë vepër, me kontributin e tij, jemi më të pasur të gjithë, është më e pasur trashëgimia jonë e lavdisë, është më i pasur Ferizaj e gjithë Kosova, është më i pasur brezi i ri që do të vie pas nesh”, ka potencuar Kryetari Aliu. Një rezyme të jetës dhe veprës së Musa Eminit, bëri redaktori i librit Tefik Ajvazi. Poashtu nje recension të librit “Simbole të Lirisë”, e ka bërë edhe Rizah Reshani si me Musli Marevci. Ndërsa autori i librit Musa Emini, është shprehur tejet emocinal në këtë promovim të librit. Ai ka falënderuar të gjithë ata që i ndihmuan në realizimin e këtij libri. “Simbole të Lirisë”, është libri i dytë i autorit Musa Emini.

May be an image of 4 people, dais and text

Kontrolloni gjithashtu

Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës

Sot, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, u shënua dita e shkollës dhe u përkujtua …