Ukshin Hoti

Ukshin Hoti: Kujtime për Andinin, Brisildën, Breshën, Erandën, Bulenën, Erletën…

Një besim i humbur?

 Besova se nga ai bazament i përmendur i piramidës arkeologjike, në shumë kuptime do të shpërthente kategoria në fjalë e të rinjve, që tani më nuk ishin të rinj. Dëgjova se të kishin zgjedhur anëtar të Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Aty pikërisht ishin të koncentruar shumë nga këta të rinj të moshës së pjekur. Meqë dikur i kisha ngritë lartë në piedestalin e politikës, kurse të tjerëve, u kisha premtuar se me çmimin e jetës nuk do ta lejonin rrënimin e saj. Shiko, ligjëratën e vitit të IV-të të Fakultetit Filozofik, me titull: “Individi dhe procesi politik”, 24 Prill 1992. Nuk desha t’i besoja një kauboji të Texas-it si edhe IDI Amin-Dadës, i cili një herë, kishte qenë i zgjedhor në forume të ngjashme.

Desha të besoja se këta nuk do të lejonin për vjedhjen e praktikave që e cenonin integritetin moral të forumit në fjalë. Desha të besoja se edhe ti vetë nuk do ta lejoje një gjë të tillë. Mirëpo, edhe këta u treguan oportunistë si të parët. Edhe ti u pajtove në këtë oportunizëm.

Lufta politike që duhej ta zhvillonit u reduktua në evidentimin e ekseseve, të ndodhive dhe të krimeve në jetën e përditshme politike të popullit në Republikën e okupuar, në vajtimin e atyre ndodhive dhe të krimeve dhe në ankimin e tyre në forumet e larta të komunitetit evropian. Me kaq përfundonte lufta politike e të rinjve të pjekur.

Thua se Evropa ato nuk i dinte dhe nuk i shihte.

Thua se ajo vetë nuk i kishte sprovuar.

Kjo më hidhëroi. Ua thashë edhe më parë me gojë, por tani ua përsëris: Ose nuk e njihnin natyrën e luftës politike ose atë nuk e besonin. Në të dy rastet do të duhej të ishin të ndershëm. Po qe se nuk ishin të gatshëm të ballafaqoheshin më konsekuencat, që doemos i nënkupton lufta politike, atëherë le të heqin dorë nga ajo. Le të merren me diçka të tjetër, që nuk ka konsekuenca të tilla, si p.sh me bujqësi ose me tregti, por jo me luftën politike për liritë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë në mënyrë që të mos e shkaktonin humbjen totale të besimit të dhënë.

 

Asistimi në mbledhje

 Gjatë një viti të tërë shkollor punonim në të njëjtin fakultet, por nuk u takuam ndonjëherë. Pastaj, meqë ishte fjala edhe kinse për mua më ftuan në mbledhjen e përmendur të 1 Korrikut,  Ti erdhe me vonesë. Por kjo gjë më dha rastin të të shikoja drejtë për së drejti. Pikërisht ashtu si mund ti përcillte Suzana grimasat e fytyrës sime, e cila si dukët, me porosi ishte ulur për përballë meje, enkas për këtë detyrë. Mirëpo më ra ndër mend me kohë. Nuk i dhashë rast ta kryente detyrën. Ka kohë që jam mësuar të komandoj në brendinë e vetes. Gjërat që i vërejta te ti, shihej qartë, nuk vinin nga pleqëria. Dëshirova t’i zbërtheja. Për këtë shkak, i mbërtheva tëmthin  me gishtat e dorës dhe sakaq më dolën përpara dridhjet e Andinit.

 

Përmendore udhëtimeve të Andinit

 Skena të tmerrshme kishte përjetuar Andini. Djalin dhe vajzën e gjorë i mbanin peng. Një herë, kur kisha kërkuar ta shihja, pas një nate të tmerrshme të kaosit shpirtëror,  ai kishte asistuar në vërsuljen e dajave të vetë për të më rrahur, sepse paska qenë ora 8 e mëngjesit dhe ua paskam prishur gjumin. Nuk e dija se për ta bërë një gjë të tillë, ishte dashur të kaloja procedura të posaçme. Po atë ditë, fshati kësaj ndodhie i kishte bërë jehonë me  propagandën e aktivistëve të LDK-së.

Kisha bërë gabim të madh thoshin ata ndonëse, nuk dinin të shpjegonin se ku qëndronte gabimi. Që nga ajo ditë, Andini e mbartë në vete një shqetësim të dridhshëm, një dridhje shqetësimi, sa herë që dëgjon se do të kaloj aty pari, kah dajat e tij.

Ndoshta, edhe për këtë shkak, qysh në moshën 4-vjeçare, i tërë një fshat me të 5000 banorët e tij, i bënte sehir udhëtimit të Andinit. Një djalth në fillim të moshës 4-vjeçare, udhëtonte gati për çdo ditë prej skajit në skajin tjetër të fshatit, nëpër stuhi  të dimrit apo vapa të verës, duke i kaluar të tëra pritat e qenve dhe shkonte për ta parë babën e tij, që donin t’ia merrnin.

Në fillim kishin qeshur me udhëtimet e tij, sepse i kishin kujtuar si produkte lazdrimi pastaj, kishin filluar ta admironin për guximin dhe gjendshmërinë që e kishte treguar gjatë atyre udhëtimeve. Më në fund, kur e kishin kaptisur esencën e çështjes, kishin filluar të turpëroheshin nga vetja e tyre, por çështja kishte mbetur aty ku kishte qenë e pa zgjidhur. Andini i vogël, gradualisht, ishte shndërruar në një legjendë lokale, por pa ndonjë përmendore të ngritur, si të “Mannequin Pisse-it” në Maneken Pis në Bruxelles të Belgjikës.

Mendoja në vete sikur udhëtimeve të Andinit t’i ngrihej ndonjë përmendore si të atij në Belgjikë, atëherë ajo patjetër duhej t’i përmbante dridhjet shqetësuese të tij, do të duhej të simbolizonte indolencën ndaj imponimit të një politike nga jashtë-brenda, shkatërrimin përfundimtar të rendit të gjërave.

Ndërkaq, figura e Mannequin Piss-it, nuk përmbante asgjë, përveç një përbuzjeje të lehtë me të cilën protestohej kësisoj, përveç një përbuzjeje të lehtë me të cilën protestohej eksportimi i një politike nga brenda jashtë dhe nuk përmbante asgjë tmerruese, por vetëm shoqërisë, për ndryshim prej udhëtimeve të Andinit, që i përkisnin atij vetë, por edhe shoqërisë që i kishin lënë vragë të thella që do të duhej t’ia zbulonte koha, por që ajo kurrsesi nuk vinte.

 

Brisilda

 Pastaj m’u kujtua Brisilda, vajza ime 3-vjeçare. Ia kishin bërë vithet shoshë me injeksione, por nuk e kishin parë të arsyeshme të më tregonin. Si gjithmonë u ishte dukur e pa rëndësishme”ftohja” e saj. Si rezultat ishte largimi i saj nga unë, si dikur dhe tani Erleta më urrente, sepse kurrë nuk isha ndodhur aty kur kishte pasur dhembje. Nuk e kisha mbrojtur, as ngushëlluar. Kisha mbetur një i huaj i pa arritur, ndonëse, i thoshin se isha baba i tyre. Pastaj, edhe unë desha ta urreja të gjithë botën e femrave, por ti ishe aty, të pashë dhe e ndjeja praninë tënde. Në të vërtetë nuk të pashë, por vetëm të ndriçova shpirtërisht.

 

Bresha

 I mbylla sytë dhe desha të përqendrohem, por tani më doli përpara, Eranda. Ti nuk e njehë Erandën, është bija 7-vjeçare e vëllait tim, Afrimit dhe mbesa ime. Është tepër e hajthme, por tejet inteligjente. Ditën që shkoi ia kishte përkujtuar babës së vetë, që veturën e tyre të ma japin  mua, xhaxhit Ukshin. U kishte shpjeguar se ajo më duhej pasi që rregullisht udhëtoja për Prishtinë dhe mund ta takoja Erletën. Pastaj, kishte kërkuar të përshëndetej me mua, por unë kisha ikur. Nuk kisha mund të përshëndetëm me to. Për këtë shkak, ia kishte plasur vajit. Vajit të saj iu kishte bashkuar edhe Albulena (Bulena) 4-vjeçare që e kishte kërkuar Andinin, por ky si zakonisht nuk e kishte honepsur, sepse iu kishte dukur si tepër atakuese. Më në fund i kishte pajtuar Arbresha (Bresha) 3 vjeçare. ”T’ia çojnë Axhës Ukshin” kishte propozuar ajo çapkëne.  Me këtë propozim ishin pajtuar që të tria dhe iu kishin bashkuar prindërve të vetë në rrugën e gjatë të mërgimit.

Të gjithë shokët e Afrimit që i njihja më parë kishin vajtur qysh herët në mërgim.

Lëndimi im ( nga policia) e kishte bindur përfundimisht se duhej të shkonte edhe ky edhe shkoi ne të tërë familjen, si të gjithë shokët e vetë.

Mendova në vete, ç’i duhej, Millosheviqit të manipulonte aq shumë për t’ ia arritur një qëllim, aq të kollajshëm?

Por përgjigjët m’u dukën si tepër triviale, Andaj, heshta.

 

 Një Inteligjencie  në një gjysmë popull

 Përderisa në vete nxora konkludime të këtilla, më pengoi zëri i asaj kolegeje që të vardisej, por edhe më zgjoi. I shikova njerëzit për rreth, të njëjtit njerëz, të cilët dikur, para 12 vitesh, i kisha parë në sallën e arsimtarëve të Fakultetit Filozofik. Mungonin ca më kryesorët, por shumë syresh ishin bërë të mëdhenj dhe ndjehej prezenca e tyre përmes bedelëve të vetë. “Një fatkeqësi e rëndomtë e shumë intelektualëve tanë”- mendova në vete”. Ata nuk avanconin së bashku me gradat”. Të gjithë e pretendonin unitetin, por shpërthenin lehtë në sipërfaqe përkufizimet e njëjta të grupeve,  si dikur në ata që pretendonin se e kishin pushtetin, por që ai iu kishte rrëshqitur nëpër podrumet e shtëpive private, në ata që e pretendonin humbjen e pushtetit. Por që megjithatë, me dinakëri, mençuri dhe xhelozi e ruanin, duke pretenduar se e ndanin me të parët, po ashtu-nëpër bodrumet e shtëpive private, dhe në ata që i bënin sehir të dy grupet në fjalë, dhe që nuk prisheshin asnjëherë, duke e pritur përfundimin e luftës midis tyre për pushtet dhe jo për shtet.

Të gjithë pretendonin se ishin kundër Serbisë, edhe pse ajo vetëm sa i kishte braktisur dhe këta nuk e kuptonin përse.

Mendova në vete. Këta nuk dinin se Eranda, Bulena dhe Bresha kishin vajtur, nuk dinin asgjë mbi prapanicën e bërë  shoshë të Brisildës 3-vjeçare, e cila në mënyrën e vetë fëmijërore, kishte  ujë-derdhje të shpeshta dhe protestonte për ndarjen me babën e vetë. Megjithatë  me këmbëngulje i jepnin injeksione, duke e konsideruar të sëmurë. Kishin dëgjuar për Erletën, por nuk mund ta njihnin botën e saj të brendshme. Dhe  kokludova: një inteligjencie, me një popull të përgjysmuar nga të gjitha drejtimet.

Mirëpo, këtë e kisha konkluduar edhe më herët.

 Motivi për të kokluduar për të dytën herë të njëjtën gjë nuk mund të ishte vetëm personal.

U përpoqa ta gjeja motivin dhe sakaq m’u kujtua biseda me atë intelektualin, ish-mikun tim, që i takonte grupit të parë d.m.th qarqeve të grupit të parë, që e pretendonin pushtetin, por që ky u kishte ikur, bile edhe nga Tirana. “ Nuk kishim pasur popull, por vetëm fis thoshte ai. Ndoshta, ishte ashtu, por ky nuk kishte të drejtë ta thoshte një gjë të tillë. -”Qen bir qeni” mendova unë”,  e dëshironte luftën,  por jo edhe përgjegjësinë. Me amoralitetin e këtij qëndrimi e degdisën çdo moral në gjendje të amullisë shpirtërore të një populli të tërë dhe pastaj me pa pikë turpi deklaronin se nuk kishte pasur popull, por vetëm fis dhe për këtë fajësonin të vdekurit dhe jo vetet e tyre.

 

Një konstatim i befasishëm

 Intensiteti i mendimeve po më shkaktonte mundime. Për këtë shkak, e ndërrova vendin, por tani, më dhembnin edhe plagët. Megjithatë, arrita të koncentrohem përsëri, se ç’kërkoja në atë vend?- e pyeta veten dhe sakaq m’u kujtua se të tërë vitin e kisha kërkuar Erletën, por nuk e kisha gjetur. Nuk ishte edhe më tutje vendi i atyre, përfundova në vete dhe përsëri të pashë. Befasisht m’u bë e qartë e tërë e vërteta e hidhur. Nuk pata nevojë ta mësoja nga biseda me ty dhe as të ma tregonin. Thjeshtë, mu bë e qartë, e kthjellët si kristali dhe e rëndë si tunxhi.

Të kishin përdorur për të ma shkatërruar jetën time, por për ta bërë shkatërrimin me themel të jetës sime, dhe  ti nuk u kishe mjaftuar. E kishin apo nuk e kishin gjetur  edhe ndonjë  tjetër, këtë e mësova. Atë që nuk e dija gjer në ato çaste, dhe për të cilën nuk kisha qenë i vetëdijshëm, ishte fakti se më kishin gjetur edhe mua,  për ta rrënuar edhe jetën tënde dhe jo vetëm për ta shkatërruar atë.

Pastaj e kishim gjetur njeri tjetrin për ta lënduar jetën e fëmijëve tanë. Ky rrënim ciklik kishte vazhduar me vite të tëra dhe akoma vazhdon edhe sot. Përkundër  premtimit, se me çmimin e jetës nuk do ta lejonim rrënimin e jetës. Jeta në Kosovë vazhdonte të rrënohej. Tani po e  rrezikon edhe vetë ekzistencën e kombit, kjo nuk duhet lejuar.

 

Një verdikt i rëndë

 Në emër të jetës sime, nuk kërkova asgjë.

As ti nuk kërkove gjë.

Erleta mund ta ndërroje mbiemrin, po deshi, por unë nuk mund të heq dorë nga ajo. Nuk do t’iu mërzis, por nuk mund të heq dorë nga asnjë fëmijë i imi. Madje, nuk do të heqë dorë nga asnjë fëmijë i familjes sime. Nuk mund t’ia fali Breshën Evropës as Erandën dhe as Bulenën.

Nuk është e mundur të pajtohen me rrënimin e jetës së fëmijëve tanë, as të fëmijëve të Kosovës.

 Të shkrova këtë letër të hapur me qëllim të mbylljes së raporteve tona në historinë e Republikës.

Ukshini

Me 18 Korrik 1993

Krushë e Madhe

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …