Ukshin Qerim Jashari ka lindur më 19 shkurt të vitit 1976 në Skënderaj, nga prindërit Qerim dhe Hajrije Jashari. Ukshini shkollën fillore e kreu në Skënderaj. Shkollën e mesme e regjistroi në shkollën teknike në Klinë të Epërme, por i mbeti gjysmë sepse u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra fati dhe detyra e tij kombëtare e çuan atë në një udhëtim tjetër.
Ky vendim i rëndësishëm u mor nga baba Qerimi, i cili vendosi që fëmijët e tij të mos i lë në tokë të okupuar nga forcat serbe. Luftës për liri, Ukshini iu përgjigj me vendosmëri dhe pa hezitim, duke u bërë pjesë e një historie të madhe të familjes së tij, Familjes Emblemë të Prekazit Heroik. Ai, qysh në moshë ë re, ishte gjithmonë aty ku e kërkonte atdheu, duke shfaq vendosmëri dhe guxim të pamohueshëm. Ukshini nuk ngurroi asnjëherë përpara sfidave të luftës, duke u bërë pjesë e rojeve të fshatit në një kohë kur familja dhe gjithë banorët e Prekazit me rrethinë iu nënshtruan ndjekjeve të ashpra nga forcat policore dhe ushtarake serbe. Pavarësisht moshës së re, Ukshini tregoi një përkushtim të palëkundur ndaj idealit të lirisë.
Dita e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 do të shkruhej në faqet e arta të historisë shqiptare, si dita kur forcat ushtarake dhe policore serbe filluan një sulm të paparë ndaj lagjes Jashari të Prekazit. Në këtë betejë heroike, Ukshin Jashari, bashkë me babanë Qerimin, nënën Hajrije, vëllain Shahinin dhe dhjetëra të tjerë nga fisi i ngushtë e i gjerë i tij luftuan tre ditë e tre net me forcat pushtuese policore e ushtarake serbe. Në këtë betejë heroike, përveç Jasharajve të tjerë ka rënë edhe Ukshin Jashari me dy prindërit: Qerimin dhe Hajrjen, dhe vëllain Shahinin.
Kur është bërë rivarrimi i tij, i janë gjetur plumba në xhepa. Këta plumba sot ruhen me nderë në Muzeun e Prekazit, një vend i posaçëm që ruan trashëgiminë e tyre.
Ukshin Qerim Jashari u bë një simbol i rezistencës dhe përkushtimit të pandarë ndaj atdheut. Bashkë me babain, vëllanë, Shahinin, xhaxhallarët dhe tërë fisin, ai shkroi një kapitull të lavdishëm në historinë e kombit shqiptar. Jasharajt u bënë shembull i heroizmit dhe sakrificës nën flamurin e lirisë së Kosovës. Ukshin Qerim Jashari mbetet një kujtim i përjetshëm për gjeneratat e ardhshme, një hero kombëtar i cili u bë pjesë e lavdisë së përgjithshme të popullit të tij.
Eshtrat e tij prehen në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz. Familja e Ukshin Jasharit ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së, etj. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Hatixhe Qerim Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
