UNFPA: Rënia e popullsisë në Kosovë kërkon veprim urgjent – sistemi po i pengon familjet, jo fertiliteti

Kosova po përballet me një rënie serioze të popullsisë, të nxitur nga emigrimi i lartë dhe ulja e normës së lindshmërisë, u tha sot në tryezën e organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA), me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë. Në këtë ngjarje u publikua raporti global “Gjendja e Popullsisë Botërore 2025: Krizat e Vërteta të Fertilitetit”, i cili vë në pah se problemi thelbësor nuk është ulja e fertilitetit, por sistemet që e bëjnë të pamundur për individët të krijojnë familjet që dëshirojnë. Shefja e UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, theksoi se shumë njerëz sot përballen me pengesa të mëdha për të pasur fëmijët që dëshirojnë. Ajo kërkoi investime të menjëhershme në kujdes të përballueshëm për fëmijë, leje të paguar prindërore për të dy prindërit dhe kushte pune fleksibile që nuk penalizojnë prindërit. “Kriza e vërtetë është që njerëzit nuk mund t’i kenë familjet që duan. Sistemet i dështojnë – kujdesi për fëmijë është i papërballueshëm, punët janë të pasigurta, e gratë përballen me zgjedhje të pamundura mes amësisë dhe karrierës”, deklaroi Mujko-Nimani. Ajo shtoi se Kosova nuk bën përjashtim nga këto sfida. Koordinatorja e Zhvillimit të OKB-së në Kosovë, Arnhild Spence, paralajmëroi se dritarja për të përfituar nga dividenti demografik po ngushtohet me shpejtësi. Sipas saj, që nga censusi i vitit 2011, popullsia e Kosovës ka rënë me 8 për qind, fertiliteti ka rënë nga 2.3 në 1.8, dhe grupi i personave të moshuar po rritet ndjeshëm. “Edhe pse popullsia është ende e re, ajo nuk po rritet më. Kosova duhet të veprojë tani për të investuar në kapitalin njerëzor – në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe kushte që e mbështesin jetën familjare”, theksoi Spence. Ekspertët kërkuan që në vend të përpjekjeve për “rregullim të fertilitetit”, institucionet të fokusohen në ndërtimin e sistemeve që e mundësojnë jetën familjare, që mbështesin të rinjtë dhe që garantojnë një të ardhme të qëndrueshme për vendin.

Kontrolloni gjithashtu

Dr Fitim Selimi: Rasti Agon Zejnullahu – Një thirrje për drejtësi, jo heshtje institucionale

Vdekja tragjike e qytetarit Agon Zejnullahu gjatë një aksioni policor në përpjekje për arrestim, ka …