Profesori i shkencave politike, Valon Murati, ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk kanë sjellë zgjidhje për ngërçin politik në Kosovë dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të përballet me zgjedhje të reja. Zhvillimet paszgjedhore dhe takimet ndërmjet partive politike nuk kanë krijuar pritshmëri për formimin e institucioneve të reja. Sipas tij, një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe PDK-së duket e vështirë, ndërsa edhe mundësia e një bashkëpunimi me LDK-në mbetet e pasigurt për shkak të situatës së brendshme në këtë parti dhe mungesës së numrave të qëndrueshëm. Murati theksoi se një nga rrugët e mundshme për dalje nga kriza do të ishte një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit me një kandidat të pranueshëm për shumicën e subjekteve politike. Ai paralajmëroi edhe një situatë të paprovuar më parë në Kosovë, ku mund të tentohet formimi i qeverisë pa zgjedhjen paraprake të presidentit, çështje që sipas tij mund të përfundojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. “Duke jetuar në status quo, ne po shkojmë mbrapa”, tha ai, duke përmendur përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe ngecjen e Kosovës në këtë drejtim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
