Vaxhid Sejdiu: Festë në Panairin e Librit në Torino
Salone del LIBRO 2023_Photo Nderim Kaceli

Vaxhid Sejdiu: Festë në Panairin e Librit në Torino

Angazhimi i përbashkët, ai institucional (Ministria  e Kulturës, Ministria e Arsimit, Qendra e Botimeve për Diasporën, Konsullata e Përgjithshme e R. së Shqipërisë në  Milano) dhe shkollat shqipe në Itali shndërruan pjesëmarrjen e tyre në Panairin e Librit në një ditë festive për gjuhën dhe kulturën kombëtare. Një takim simbolik të pagëzuar “Letra nga Diaspora – Gjuhë në pasqyrë”, me theks të veçantë gjuha amtare, rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe dhe botimet për diasporën. E gjithë kjo solli një organizim të mrekullueshëm, i cili gjatë do të mbahet mend.

Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD) nuk është më emër i panjohur për shqiptarët, por një emër i përveçëm  dhe një emër tepër shpresëdhënës për shkollat shqipe. Duke falënderuar drejtoreshën Mimoza Hysa për punën dhe përkushtimin e saj e të stafit që ka, kjo qendër arriti brenda 2-3 viteve të shndërrohet në një fryt të këndshëm kombëtar për librin, për botimet dygjuhëshe, për  tekstet shkollore dhe me një fjalë, është një përkushtim profesional për gjuhën shqipe në Diasporë.

Dashamirët e letërsisë dhe gjuhës shqipe patën rastin këtë herë në Panairin ndërkombëtar të Librit në Torino 18-22 maj 2023 të takojnë dhe të bashkëbisedojnë me shkrimtarët shqiptarë dhe jo vetëm. Por, këtë herë organizatorët ishin kujdesur që libri shqip të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Në hyrje të Panairit, nënndarja e Shqipërisë, ku organizatorët qenë frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Ismail Kadare “Kronikë në gurë”, sikur ishte bërë “gojëhapur” për të gëlltitur sa më shumë vizitorë dhe për të prezantuar sa më mirë letërsinë shqipe.

Edhe pse letërsia shqipe në fakt është një “kronikë në gurë”, e cila përmbledh historikisht vuajtjet e popullit shqiptar ndër shekuj. Mjafton që ajo të lexohet me kujdes dhe lexuesi do të përballet me dëshmitë e kohës, tragjeditë e njëpasnjëshme, përpjekjet, sfidat, të cilat e personifikojnë mbijetesën e popullit shqiptar. Nënndarja e Shqipërisë e përbërë në dy pjesë, në njërën anë librat shqip, botimet e QBD-së, dhe në anën tjetër librat për Shqipërinë dhe shqiptarët të shkruara apo të përkthyera në gjuhën italiane.

E veçanta e këtij Panairi ishte pjesëmarrja e nxënësve të shkollave shqipe në Itali; të shkollës shqipe të Astit, shkolla shqipe “Ura” e Novarës, shkolla shqipe në Levigo Terme, shkollën shqipe “Slowmil”, në Milano, shoqatat kulturore nga Asti dhe Torino, si dhe prindërit që kishin ardhur t`i motivonin nxënësit, recituesit e vegjël, instrumentistët apo grupin e valleve. Për seriozitetin e këtij aktiviteti flet fakti se në këtë Panair libri kishte ardhur edhe ministrja e Arsimit të R. së Shqipërisë znj. Evis Kushi, e cila përgëzoi nxënësit, mësuesit, prindërit e shkollave shqipe. Ajo, po ashtu përgëzoi gjithë stafin që ishte përkujdesur që kjo nënndarje të rrezatojë shqip. Edhe znj. Mimoza Hysa falënderoi të gjithë ata që këtë ditë panairi e shndërruan në një festë për librin, në një festë për gjuhën dhen kulturën kombëtare. Falënderoi nxënësit, mësuesit dhe prindërit të cilët nuk ishin të paktë duke i dhënë një pamje të mrekullueshme vendit ku prezantohej libri shqip. Dhe fare në fund lirisht mund të thuhet se aty ku bëhen bashkë përfaqësitë e institucioneve dhe shkollat shqipe suksesi nuk mungon. Prandaj të gjithë së bashku e kemi obligim moral dhe kombëtar të bëhemi bashkë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, sepse gjuha duhet të bartet te gjeneratat e reja me qëllim që të ketë jetëgjatësinë e saj.

Salone del LIBRO 2023_Photo Nderim Kaceli

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …