Në një ceremoni të mbajtur sot në Prishtinë, është vendosur pllakë përkujtimore në shtëpinë e veprimtarit të çështjes kombëtare, Zijadin Hoxha, pjesë e lëvizjes ilegale, i burgosur politik për idealin e lirisë, pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe më vonë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij në shërbim të lirisë së Kosovës.
Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të luftës, ish të burgosur politikë, bashkëveprimtarë, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë të shumtë, të cilët u mblodhën për të kujtuar dhe vlerësuar kontributin e njërit ndër veprimtarët më të përkushtuar të kohës së rezistencës.
Gjatë ceremonisë u theksua se Zijadin Hoxha ishte pjesë aktive e lëvizjes ilegale, i burgosur politik për idealin e lirisë, pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe më vonë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Folësit e shumtë që morën fjalën në këtë ceremoni e çmuan lart figurën dhe kontributin e tij, duke e cilësuar si simbol të një brezi që nuk pranoi nënshtrimin, por zgjodhi rezistencën dhe sakrificën për liri.
Në emër të bashkëveprimtarëve foli Bejtullah Tahiri, i cili vlerësoi lart angazhimin dhe guximin e Zijadin Hoxhës në vitet më të vështira të organizimit ilegal, duke theksuar se ai ishte ndër ata që nuk u tërhoqën asnjëherë nga rruga e nisur.
Ndërkaq, në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nënkryetari Fatmir Sopi u shpreh se figura e Zijadin Hoxhës përfaqëson lidhjen e pandashme mes brezave të rezistencës, nga lëvizja ilegale deri te lufta çlirimtare.
Ish-deputeti Fatmir Humolli ndau kujtime personale nga koha e aktivitetit ilegal, duke rikujtuar përkushtimin dhe vendosmërinë e tij në organizimin dhe zgjerimin e veprimtarisë atdhetare.
Po ashtu, ish i burgosuri politik Ramadan Avdiu foli për sakrificën dhe qëndresën e tij gjatë viteve të burgimit, duke e cilësuar atë si shembull frymëzimi për brezat që erdhën më pas.
Një theks i veçantë gjatë ceremonisë u vendos në fjalën e veprimtarit Shemsi Veseli, i cili deklaroi se shtëpia e Zijadin Hoxhës kishte qenë një nga bazat kryesore të veprimtarisë ilegale në atë kohë. Sipas tij, ajo shtëpi nuk ishte vetëm një vendbanim familjar, por një vatër organizimi, strehimi dhe koordinimi për shumë veprimtarë të çështjes kombëtare.
“Shtepia e Zijadin Hoxhës ishte bazë e veprimtarisë ilegale, një derë e hapur për atdhetarët dhe një pikë e rëndësishme e organizimit të rezistencës”, u shpreh Veseli, duke shtuar se kontributi i tij nuk mund të matet vetëm me vitet e burgut, por me ndikimin që pati në organizimin e lëvizjes.
Në emër të familjes, Benjamin Krasniqi falënderoi të pranishmit për nderimin dhe respektin e treguar, duke theksuar se kjo pllakë përkujtimore është dëshmi se sakrifica dhe kontributi i Zijadin Hoxhës nuk do të harrohen kurrë.
Në fund të ceremonisë u bë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore nga familjarët dhe organizatorët, në një moment solemn që u shoqërua me nderime dhe përkulje për jetën dhe veprën e tij.
Të pranishmit u shprehën se përmes kësaj pllake nuk mbyllet një histori, por përkundrazi, ajo mbahet gjallë për brezat që vijnë, si kujtesë e përhershme se liria ka emra, sakrifica dhe njerëz që nuk harrohen kurrë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
