Vërshimet në disa qytete të Kosovës shkaktojnë probleme me ujë dhe rrymë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë me dije se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit. IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërpera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.

“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.

Përmbytje në disa rrugë kanë bërë që edhe Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.

Në rrjete sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale të qyteteve të ndryshme kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka publikuar disa foto nga vizitat e tij te lagjet e përmbytura dhe ka thënë se ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara në terren që nga mesnata.

Në Malishevë, shtabi për menaxhimin e situatave emergjente u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin “lëvizjet e panevojshme”, për shkak të vërshimeve.

“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.

Kontrolloni gjithashtu

Pren Marashi: “Kokat” e shtetit që nuk e duan UÇK-në, sot në Koshare edhe familjarët e dëshmoreve nuk i lejuan të shkojnë para tyre

Pren Marashi: Sakrifica për atdheun është e përjetshme, kurrë e kotë

Pren Marashi, komandant i Batalionit të Katërt të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës …