Vërshimet në Kosovë marrin vëmendjen e mediave ndërkombëtare, Reuters publikon pamje me dron

Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur nga mbrëmë në Kosovë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa zona të vendit, duke tërhequr vëmendjen edhe të mediave të huaja. Situata më e rënduar raportohet në Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Drenas dhe Klinë, ku dhjetëra shtëpi, automjete dhe toka bujqësore janë përfshirë nga uji. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se vërshime lokale janë regjistruar në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit, përfshirë komunat e Gjakovës, Junikut, Deçanit, Malishevës, Rahovecit dhe Klinës. Si pasojë e reshjeve intensive, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre. Sipas IHMK-së, reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm, duke rritur rrezikun për vërshime të tjera lokale, probleme në komunikacion, mbingarkesë të sistemeve të kanalizimit dhe vështirësi në qarkullimin rrugor. Instituti bën të ditur se lumenjtë kryesorë të vendit, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, kanë shënuar ngritje të lehta të nivelit të ujit, veçanërisht në pjesën qendrore, lindore dhe jugore të Kosovës. Përmasat e vërshimeve janë pasqyruar edhe nga agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters, e cila ka realizuar pamje ajrore me dron. Incizimet tregojnë zona të tëra të mbuluara nga uji, përfshirë shtëpi, automjete dhe sipërfaqe të mëdha toke bujqësore, duke dëshmuar seriozitetin e situatës në terren. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, derisa institucionet kompetente po monitorojnë nga afër zhvillimet dhe gjendjen hidrologjike në vend.

Kontrolloni gjithashtu

KDI ka folur për një situatë të kundërligjshme, të cilën kryetarja Osmani është duke e toleruar që afro 3 muaj

Eugen Cakolli: Votat e Nismës nuk u shpërndahen partive tjera dhe nuk ndikojnë në ndarjen e mandateve

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka sqaruar mënyrën e trajtimit të votave të …