Në pesëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka zhvilluar një protestë simbolike para selisë së EULEX-it, në Prishtinë. Veteranët, me flamuj kombëtarë dhe pankarta përreth objektit të EULEX-it, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj asaj që e quajnë “pesë vjet padrejtësi të organizuar ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”. Në një shirit të madh që mbajnë në duar, shkruhet: “Pesë vjet padrejtësi e organizuar – pesë vjet turp ndërkombëtar.” Në reagimin e tyre zyrtar, OVL-UÇK thekson se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar të tregojë paanshmëri ndaj luftëtarëve të lirisë, ndërsa proceset gjyqësore në Hagë po zvarriten pa vendime përfundimtare. “Sot bëhen pesë vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së. Sipas veteranëve, misioni i BE-së në Kosovë nuk ka vepruar në përputhje me parimet e drejtësisë, por ka heshtur përballë shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve në Hagë dhe trajtimit të pabarabartë që u është bërë ish-luftëtarëve krahasuar me kriminelët serbë. Protesta përfundoi pa incidente, me thirrjet “Liri për çlirimtarët!” dhe “Drejtësi për UÇK-në!”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
