Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqen pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe duke kënduar vargjet “Po shkojmë drejt në Kosovë”, ka nxitur reagime dhe debat në opinionin publik, veçanërisht në Kosovë. Pamjet, të cilat mbajnë logon e Sputnik, tregojnë efektivët e rreshtuar gjatë një stërvitjeje demonstrative, ndërsa interpretojnë këngën “Hriste Bože”. Videoja është shpërndarë gjerësisht në platforma të ndryshme sociale, duke rikthyer diskutimet mbi retorikën nacionaliste në strukturat e sigurisë serbe. Për një pjesë të opinionit në Kosovë, mesazhe të tilla nuk konsiderohen thjesht si elemente të traditës ushtarake apo folklorit, por si shfaqje të narrativave që vazhdojnë të ushqejnë tensione dhe pretendime politike ndaj Kosovës. Fakti që vargje të tilla këndohen nga një njësi elitare e sigurisë shihet nga kritikët si një mesazh me simbolikë të fortë në një rajon ende të ndjeshëm ndaj çështjeve të sigurisë. Analistë dhe qytetarë kanë vlerësuar se skena të tilla rikujtojnë retorikën e dekadave të kaluara dhe nuk kontribuojnë në forcimin e besimit dhe stabilitetit rajonal. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me videon dhe përmbajtjen e saj, ndërsa debati mbi kufirin mes traditës ushtarake dhe mesazheve politike vazhdon të mbetet i hapur. / epoka e re/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
