Brickos

Lulzim Basha, më në fund ka pranuar t’i “dorëzohet” Prokurorisë së Tiranës

Viktor Malaj: Gjithë sjellja e Lulzim Bashës është një shtirje dhe hipokrizi e kulluar

 Kush nuk e njeh Lulzim Bashën dhe vetëm dëgjon apo lexon predikimet e tij për moral e drejtësi, shtet ligjor e demokraci dhe mallkimet e tij për të kaluarën krijon shpejt iluzionin e fatit që Perëndia na e dërgoi, më në fund, një tribun që të na shpëtojë nga gjithë të këqijat që na kanë sjellë të tjerët. Demagogjia dhe mashtrimi, pafytyrësia dhe sharlatanizmi kanë qenë vazhdimisht tipare shoqëruese dhe, mjerisht, ndihmuese të politikës dhe politikanëve në gjithë botën. Hipokrizia, kjo prostitutë e paepur, me të cilën politikanët kanë turbulluar dhe joshur tufën pafundësisht të madhe të budallenjve dhe të paditurve, vazhdon të shërbejë si armë në sjelljen e përditshme të shumë politikanëve të sotëm.

Sa më shumë kalojnë ditët aq më qartë konsolidohet bindja se demagogu, Sali Berisha nuk mund të kishte gjetur njeri më të denjë se Lulzim Bashën për ta pasuar. Shumëkush ka menduar fillimisht se zgjedhja e tij ka ardhur thjesht nga lidhjet e tij me pjesëtarë të familjes Berisha mirëpo koha po tregon se, pavarësisht dallimeve në shfaqjen e jashtme, zgjedhja e pasardhësit është bërë për shkak të bërthamës morale të përbashkët. Një njeri që shfaqet herë si kloun, herë si sharlatan, herën tjetër si diktator dhe pas pak si predikues i librave të Shenjtë apo i moralit shoqëror, një herë si sipërmarrës i rremë i ndryshimeve radikale politike dhe pastaj si negociator marrëveshjesh paqsjellëse, Lulzim Basha nuk është asgjë tjetër veçse një mashtrues dhe mëkatar i së kaluarës së afërt që ka marrë përsipër të çojë më tej veprën e turpshme të paraardhësit të tij politik si përçarës i shqiptarëve, destabilizues i jetës politike e shoqërore dhe një këmbanë e zhurmshme, rrumin e së cilës e tundin të tjerët.

Një njeri i cili iu bashkua vullnetarisht dhe për shkak të ambicieve të veta për pasuri e pushtet një partie politike e cila kishte rezultuar një dështim politik dhe një turp moral për shqiptarët, një partie që vetëquhej demokratike, por që në pak muaj të qeverisjes kishte humbur besimin popullor dhe për katër vite ishte futur në konfliktin më të gjerë dhe më të thellë politik në historinë e Shqipërisë me popullin e vet dhe që kurrë nuk i kishte njohur vetes asnjë faj apo përgjegjësi, ky njeri pra nuk kishte kurrfarë gjasash që angazhimin e vet politik ta kishte të shtyrë nga ndonjë motiv idealist apo atdhetar. I gatshëm t’i afrohet kujtdo që mund ta ndihmonte të arrinte  ambiciet e veta private, Basha u përdor për t’i bërë makiazh një plake politike në prag të vdekjes morale ndërsa synonte t’i merrte asaj krejt “shtëpinë” si shpërblim.

Gjithë sjellja e tij është një shtirje dhe hipokrizi e kulluar. Duke aluduar për Kryetarin e Kuvendit, ai hiqet si i trishtuar pse një njeri që u bë drejtues partie fare pak vjet para rënies së sistemit të kaluar qenka tani duke drejtuar këtë institucion por, nga ana tjetër, ai ndihet i lumtur dhe krenar që iu bashkua shkollës politike dhe mori përsipër të trashëgojë moralin, politikën dhe sjelljet e një tjetër njeriu, Sali Berishës i cili jo vetëm ka qenë “i edukuar dhe stërvitur me mësimet e Enver Hoxhës”, por edhe anëtar dhe drejtues partie për më shumë se njëzetë vjet.

Lulzim Basha hiqet si “i turpëruar” për ato faje apo krime, reale apo jo, që kanë ndodhur pa lindur ai, por nuk ndien as brerje ndërgjegjeje dhe as kurrfarë përgjegjësie për fajet dhe krimet e kryer nga partia e tij, nga mentori dhe ati i tij politik dhe as nga ato të kryera personalisht prej Bashës vetë. Ai hiqet si i turpëruar pse Kuvendi drejtohet prej G.Ruçit megjithëse askush s’e ka akuzuar deri më sot dhe asnjë gjykatë s’e ka marrë të pandehur për ndonjë krim, mirëpo nuk ndien asnjë përgjegjësi morale apo politike për faktin se gjatë qeverisjes së partisë së tij janë kryer me mijëra krime, janë flakur nga puna qindra mijëra njerëz, janë rrahur e burgosur gazetarë, janë rrahur e burgosur politikanë, janë rrahur e poshtëruar të përndjekurit që partia e tij i përdor dhe keqpërdor jo vetëm për t’u marrë votën, janë rrahur e vrarë protestues të pafajshëm, janë falsifikuar dhe dhunuar zgjedhje, janë sulmuar, djegur dhe pushtuar institucionet kushtetuese të vendit, ka kaluar Shqipëria (të vetmen herë në histori) në Gjendje të Jashtëzakonshme, kanë ardhur (për herë të parë në histori) trupa ndërkombëtare paqeruajtëse, janë mobilizuar forca civile të paligjshme nga veriu për të luftuar jugun dhe janë bërë plane e lëshuar urdhra për përdorim aviacioni dhe Lëndësh Helmuese Luftarake kundër popullsisë civile.

Lulzim Basha është aq i paskrupullt sa e quan Ruçin “pjesë aktive e asaj klike kriminale që vrau dhe dhunoi shqiptarët që donin lirinë dhe dinjitetin e njeriut”, por “harron” se vetë ai është aktor dhe pjesë e asaj klikës tjetër që ka vrarë njerëz të pafajshëm në mes të kryeqytetit, që ka fshehur provat dhe fajësuar të tjerët për krimet e veta, që ka sajuar organizata kriminale dhe ka arrestuar e dhunuar dhjetëra shtetas shqiptarë pas Malit të Dajtit, që ka dhunuar, vrarë dhe groposur individë për motive politike (rasti i Remzi Hoxhës), që ka djegur redaksi gazetash dhe sakatuar gazetarë (Zamir Dulen, Bardhok Lalën etj.). Basha shfaqet aty-këtu duke folur për moral dhe atdhetarizëm, për demokraci dhe zgjedhje të lira, dhe hiqet si halleqarës i popullit ndërsa është pikërisht ai që iu ka borxh shqiptarëve 230 milion euro të zhdukur kur ishte Ministër Komunikacioni, është ai nënshkrues i marrëveshjes së turpit me Greqinë për tjetërsimin e 350 km2 det; është ai falsifikuesi i zgjedhjeve të bashkisë së Tiranës në 2011 dhe i zgjedhjeve brenda partisë së vet në 2013 dhe 2017.

Njeriu që nuk ndihet i turpëruar për krimet e veta dhe bën sikur turpërohet e trishtohet nga ato që kanë ndodhur pa lindur ai është një njeri që ia ka me hile edhe të shkuarës, por akoma më shumë të tashmes. Për ato që kanë ndodhur dikur ne mund të ndiejmë keqardhje dhe dhimbje, por neve duhet të ndihemi të turpëruar dhe të trishtuar për gjërat që ndodhin në praninë tonë të cilat nuk kemi mundësi t’i parandalojmë apo ndëshkojmë, si individë dhe si shoqëri.

Unë dhe mijëra shqiptarë të tjerë ndiejmë keqardhje dhe trishtim kur shohim se partia e parë politike opozitare në vend, përveç përcaktorit joshës “demokratike” nuk ka asgjë tjetër të kësaj natyre pasi jo vetëm është sjellë në mënyrë antidemokratike me shqiptarët, por ka shkelur çdo normë demokratike në organizimin dhe funksionimin e vet duke i shërbyer sundimit dhe glorifikimit të kryetarit të saj, duke përjashtuar apo detyruar të largohen mbi 90% e figurave themeluese si dhe duke organizuar zgjedhje farsë në strukturat e saj për të mundësuar kapjen e partisë nga një familje.

Ne ndihemi të trishtuar kur shohim se pas gati 30 vjet nga ndryshimi i sistemit politik produktet e krimit i shiten popullit shqiptar si “arritje demokratike” dhe se elita ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe politike i ka rrënjët në paligjshmërinë dhe amoralitetin e kultivuar nga udhëheqësit politikë; kur shohim se horri më i madh shfaqet si predikuesi më pasionant i moralit, se e drejta fitohet në raport të drejtë me pasurinë dhe pushtetin, se gjysma e popullit shqiptar e sheh të ardhmen e vet jashtë vendit, se bazat e familjes dhe themelet morale të shoqërisë plasariten e lëkunden përditë e më tepër, se krimi dhe pasiguria e jetës mbeten shqetësuese pavarësisht ndërrimeve të pushtetit.

Ne që nuk aspirojmë pushtet e pasuri, por drejtësi e dinjitet do të kishim dashur që Spaçi dhe Burreli të ishin ringritur dhe të bëheshin vendbanime të gjata për të gjithë mëkatarët e para 1990 dhe banditët e të sotmes; që hajdutët e pasurisë kombëtare të ishin duke pritur ndonjë amnisti lirimi nga burgu dhe të mos ngjisnin shkallët më të larta të pushtetit, edhe pasi janë filmuar duke shpjeguar skemat e ndarjes së parave të popullit; që falsifikatorët dhe dhunuesit e proceseve zgjedhore të mos na jepnin leksione për “zgjedhje të lira e të ndershme”; që shpërdoruesit e qindra miliona eurove të buxhetit të shtetit, si Lulzim Basha dhe jo vetëm, të mos na shurdhonin nga mëngjesi deri në darkë me propagandën e luftës kundër korrupsionit; që vrasësit e sotëm pa gjyq të protestuesve në bulevard të mos na hiqen si njerëz të indinjuar për vrasjen e disa njerëzve me vendime gjykatash para 70 vitesh; që cënuesit e djeshëm të integritetit territorial të vendit të mos na shesin atdhetarizëm të rremë nga mëngjesi deri në darkë.

Ne që ia duam të mirën vendit më shumë se partive ndihemi pesimistë, por edhe të trishtuar kur shohim se qeveria e sotme ka për alternativë një klikë mëkatarësh që besojnë se pushteti merret me çadra dhe hakërrime, që në vend të arsyes përdorin dhunën, që besojnë se përgjimet e dy trafikantëve në Itali janë “provë e artë” për implikime në krim dhe shkak i mjaftueshëm për dorëheqje qeveritare në Shqipëri, por vrasjet e para drejtpërdrejt (live) në bulevard dhe fshirja e regjistrimeve filmike të vendngjarjes apo regjistrimet me zë e figurë të krerëve qeveritarë të djeshëm apo filmimi i furnizimeve me ujë të plantacioneve të drogës në Lazarat me makinat zjarrfikëse shtetërore dje apo pardje nuk kanë kurrfarë vlere.

Ne ndihemi keq dhe të trishtuar kur shohim se kreu formal i opozitës, i rrethuar nga një tufë paloqesh, bën të fortin në parlament në përpjekje për të imponuar procedura parlamentare dhe fjalime të pafundme boshe në vend që të imponohej me forcën e arsyes. Për ne është dëshpëruese që të dy krahët politikë, në vend që të debatonin alternativa dhe rrugëzgjidhje për zhvillimin e vendit, vihen në garë se cili ka takuar dhe është fotografuar më shumë me elementët keqbërës të shoqërisë.

Për shqiptarin e ndershëm është e trishtueshme kur sheh që elita politike e këtyre tri dekadave, e majtë dhe e djathtë, ka ngritur në kult fitimin material, i thur lavdi tradhtisë kombëtare, ngre në piedestal spiunët e të huajve dhe bashkëpunëtorët e pushtuesve të vendit, përdor luftën kundër të kaluarës si perde tymuese për të fshehur pafuqinë e vet shtetndërtuese dhe imoralitetin e vet të skajshëm në qeverisjen e shoqërisë, ndërkohë lë pas dore të varfrin dhe të pafuqishmin, përçmon njeriun e thjeshtë dhe njeriun e punës, përgojon, fyen, mohon dhe poshtëron luftën për çlirim kombëtar dhe përpjekjet e pjesës më idealiste të shoqërisë për rindërtimin e vendit gjatë dyzet viteve.

Këto sjellje dhe qëndrime mund t’i bëjnë vetëm njerëzit e zhveshur nga çdo ndjenjë humane e kombëtare dhe nga çdo lloj përgjegjësie individuale e politike për të sotmen dhe të ardhmen e vendit dhe të popullit. Ndërmjet këtyre politikanëve të paskrupullt Lulzim Basha ka “nderin” të radhitet diku nga kreu sepse, siç i thoshte zonja Jozefina Topalli: “Ti kërkon vetëm karrige. Gratis bile. Aty ku nuk ka turp mungon virtyti dhe nderi”.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …