Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar deklaratat e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me mundësinë e rikandidimit të Vjosa Osmanit për postin e Presidentes së Kosovës, duke vlerësuar se këto deklarata zbulojnë vetëdijen e Kurtit për pamundësinë reale të sigurimit të 80 votave në Kuvend. Sipas Ymerit, mesazhi i Kurtit është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: nga ai nuk duhet pritur që të sigurojë shumicën e nevojshme për rizgjedhjen e Osmanit. Ai thekson se Kurti është i vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha për të bindur opozitën që ta votojë Osmanin dhe se, ndryshe nga hera e kaluar, kësaj radhe ka edhe më pak interes politik për ta propozuar atë. “Në njëfarë mënyre i tha: mos prit prej meje që unë t’i bëj 80 vota. Kurti e di që për Vjosa Osmanin është jashtëzakonisht e vështirë t’i sigurojë numrat e nevojshëm. Madje, mendoj se ai as nuk dëshiron ta propozojë dhe këtë herë ka shumë më pak nevojë politike sesa herën e kaluar”, tha Ymeri. Sipas tij, skenari ku kandidatura dërgohet në Kuvend pa konsensus, me mesazhin “nëse doni votojeni, nëse jo shkojmë në zgjedhje”, përbën një formë presioni dhe kërcënimi politik. “Nëse tentohet marrëveshja politike dhe gjendet një emër për të cilin pajtohen palët, atëherë procesi është i drejtë dhe legjitim. Për mua, kjo do të ishte shenja më e pjekur politike që ky katërvjeçar do të jetë ndryshe, të paktën në çështjet ku bashkëpunimi është i domosdoshëm”, përfundoi Ymeri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
