Vlora Çitaku

Vlora Çitaku akuzon Kurtin për sabotim të qëllimshëm: “Kryeneçësia e tij po pengon ndërtimin e institucioneve”

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për sabotim të qëllimshëm të ndërtimit të institucioneve. “Deputetët u mblodhën sërish për të njëjtin skenar të partisë së parë. Kjo është tashmë një përpjekje e vetëdijshme për të sabotuar ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës”, tha Çitaku për mediat pas seancës së pasuksesshme. Ajo shtoi se sjellja e Kurtit dëshmon mungesë serioziteti dhe vullneti për të dalë nga kriza politike që ka mbërthyer vendin prej më shumë se tre muajsh. “Kurtit nuk i bëhet vonë, sepse po t’i bëhej, do të kishte pasur përpjekje serioze për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës. E ne mblidhemi për të 46-tën herë për shkak të kryeneçësisë dhe kokëfortësisë së tij”, theksoi Çitaku. Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, pasi partitë nuk arrijnë marrëveshje për formimin e komisionit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, këmbëngul në kandidaturën e Albulena Haxhiut, e cila nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme në seancat e deritanishme.

Kontrolloni gjithashtu

Janina Ymeri për Arben Vitinë: Si flen natën kur njerëzit kanë kancer, e ju rregulloni mindilin?

Deputetja Janina Ymeri i është drejtuar ministrit Arben Vitia me kritika për gjendjen në shëndetësi, …