Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se qeveria e tij ka qenë “shembull” dhe pa afera korruptive, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe mashtruese për publikun. Çitaku theksoi se disa ministra të kabinetit Kurti janë aktualisht nën aktakuzë, çka sipas saj e rrëzon narrativën për “pastërti” institucionale. Ajo përmendi edhe atë që i quajti afera multimilionëshe, të lidhura me rezervat shtetërore, tregtinë e energjisë dhe dhënien e kontratave pa procedura të rregullta tenderimi. Sipas Çitakut, qindra miliona euro janë shpërndarë në kontrata pa tender, ndërkohë që vendi, siç u shpreh ajo, po përballet me krizë ekonomike dhe energjetike. “Vendin në terr e ki. S’ka ekonomi, s’ka energji”, shkroi ajo, duke e akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë vizioni zhvillimor. Çitaku kritikoi gjithashtu refuzimin e Kurtit për t’iu përgjigjur thirrjes së Prokurorisë, duke thënë se kjo sjellje nuk përfaqëson shembull institucional dhe as përgjegjësi politike. Sipas saj, një kryeministër që shmang drejtësinë nuk mund të pretendojë standarde të larta etike për qeverisje. “Kjo nuk është shembull. Kjo nuk është përgjegjësi. Gënjeshtra pa kripë”, theksoi Çitaku, duke përfunduar reagimin e saj me kritika të drejtpërdrejta ndaj Kurtit: “Keq, Albin. Shumë keq.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
