Vlora Çitaku

Vlora Çitaku me kritika ndaj qasjes aktuale diplomatike të Qeverisë së Kosovës

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, ka komentuar sot mënyrën se si po përfaqësohet Kosova në arenën ndërkombëtare, duke bërë një krahasim me periudhën kur ajo dhe Teuta Sahatqiu udhëhiqnin ambasadat e Kosovës në Washington dhe New York. Në një reagim publik, Çitaku ka thënë se suksesi më i madh gjatë asaj kohe nuk ishin fjalimet që morën duartrokitje, por puna e përditshme dhe koordinimi i kujdesshëm me aleatët e vendit. Ajo ka theksuar se falë kësaj pune, ishte arritur që raportimet e UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të reduktoheshin nga katër në dy herë në vit, si dhe që niveli i përfaqësimit të ulej nga ai ministror në nivel ambasadorësh. Çitaku ka kujtuar se raportet e UNMIK-ut ende nuk e njohin Kosovën si shtet dhe e paraqesin atë si zonë konflikti aktiv. Prandaj, sipas saj, përpjekjet e institucioneve të Kosovës duhet të përqendrohen në uljen e vëmendjes mbi këto seanca, e jo në shndërrimin e tyre në “spektakle të panevojshme”. Në fund, ajo ka thënë se diplomacia kërkon përkushtim dhe rezultate, jo protagonizëm, duke shtuar se “kasta aktuale politike duhet të gjejë forume të tjera për ta ushqyer nevojën për vëmendje”.

Kontrolloni gjithashtu

Debat për 100 eurot e studentëve: opozita akuzon qeverinë për përdorim elektoral të buxhetit

Para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, qeveria në detyrë e Kosovës kishte miratuar ndarjen e …