Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke shprehur keqardhje për bllokadën e vazhdueshme dhe duke fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për qasjen e saj kryeneçe. Pas ndërprerjes së seancës së sotme, Çitaku theksoi se situata aktuale nuk duhet të pranohet si normale dhe kërkoi reflektim nga të gjitha palët: “Fatkeqësisht situata absurde në Kuvend po vazhdon… S’është në rregull të normalizohet kjo situatë. Bëj thirrje për reflektim.” Ajo rikujtoi se PDK ka ofruar zgjidhje për të dalë nga ky ngërç, por sipas saj, mungesa e gatishmërisë për kompromis nga ana e VV-së po e thellon krizën: “S’është koha të barrikadohemi. Kosova është shumë më e madhe se secila parti, e secili prej nesh veç e veç.” Kuvendi i Kosovës ka dështuar mbi 28 herë të konstituohet për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryetarit, ndërsa tensionet ndërmjet partive politike vazhdojnë të pengojnë funksionalizimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
