Të gjithë qytetarët e Kosovës që regjistrohen për të votuar me postë nga jashtë vendit, nuk do të figurojnë në listat e votuesve që shpërndahen në vendvotime ditën e zgjedhjeve. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili theksoi se ky është një detyrim ligjor për KQZ-në. “Është detyrim ligjor që çdo qytetar i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës të largohet nga lista e votuesve në vendvotime. Ata do të jenë të përfshirë vetëm në listën e votuesve jashtë vendit, e cila përdoret për votimin përmes postës,” tha Elezi për Kosova Press. Periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të zgjasë deri më 29 gusht 2025, duke përfshirë 38 ditë të plota për aplikim. Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, ku qytetarët kanë pasur mundësi të votojnë edhe në përfaqësitë diplomatike, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 kjo formë votimi nuk do të ofrohet — diaspora do të mund të votojë vetëm përmes postës.
