Ish-ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery, ka paralajmëruar për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Ballkan, duke vlerësuar se tensionet në Kosovë dhe Bosnjë mund të shpërthejnë në dhunë. Në një intervistë për gazetën serbe Danas, ai ka kërkuar angazhim më të madh amerikan në rajon dhe ka shprehur pritje që presidenti Donald Trump të luajë rol aktiv në zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Mendoj se situata tani po bëhet potencialisht e dhunshme dhe e paqëndrueshme. Ka shumë situata, veçanërisht në Kosovë, por edhe në Bosnjë, ku njerëzit janë shumë të zemëruar me njëri-tjetrin dhe dhuna mund të shpërthejë. Kjo është arsyeja pse mendoj se kësaj duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje,” ka deklaruar Montgomery. Ai ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për mungesë të fokusit ndaj zhvillimeve në Ballkan, duke theksuar se sistemi aktual në Kosovë dhe Bosnjë ka dështuar të funksionojë për më shumë se tre dekada. “Sistemi duhet të ndryshojë. Do të kërkojë kohë, mund dhe imagjinatë, por ndryshimi është i domosdoshëm. Kam shpresa të mëdha se Presidenti Trump mund të jetë pjesë e këtij ndryshimi,” ka theksuar Montgomery.
