Labinot Gani Krasniqi (21.7.1979 – 6.6.2001)

Xhevat Bislimi: Lufta për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe dëshmori, Labinot Krasniqi

(Njëzetë vjetori i rënies së Imer Krasniqit dhe 17 vjetori i rënies së Labinot Krasniqit)

Të dashura familje të dëshmorëve: Imer e Labinot Krasniqi, të nderuara familje të Dëshmorëve të Kombit, të dashur bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të përpjekjeve e të luftës për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, Zonja dhe zotërinj të pranishëm në këtë akademi përkujtimore!

Jam i nderuar që sot më jepet mundësia t’i them pak fjalë për Luftën Çlirimtare dhe për luftëtarët, dëshmorët e heronjtë e saj, me theks të veçantë për Dëshmorin e Kombit, Labinot Krasniqin.

  Ishin kohë dhe rrethana të vështira për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë në Iliri (Ballkan). Robëria e gjatë, përndjekjet, dhuna, terrori dhe represioni që ushtronte shteti i Jugoserbisë ndaj popullit të pushtuar shqiptar ishin sistematike dhe të egra. Por, edhe përpjekjet, qëndresa dhe organizimi i bijve dhe bijave më të mira të kombit për ta hequr qafe zgjedhën e pushtuesit ishin këmbëngulse dhe të pathyeshme. Shembja e asaj që quhejë Jugosllavi Federative e që në fakt ishte Jugoserbi, e gjeti popullin e pushtuar shqiptar me një klasë politike kryesisht të shpenzuar nga kolaborimi i gjatë dhe i “sinqertë” me pushtuesin! Vetëm popullit të tyre ia kishin me hile politikanët dhe pushtetarët kolaboracionistë! Kjo klasë politike u gjend në të njëjtin istikam me pushtuesin edhe në kohën e Demonstratave të Mëdha Shqiptare të vitit 1981! Ishim me fat që në krah të përpjekjeve dhe kërkesave tona kishim Tiranën zyrtare, që ishte burim frymëzimi, force e shprese.

Veprimtaria e grupeve dhe organizatave të shumta atdhetare ndiqejë e përndiqejë egërsisht nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij shqipfolës. Mijëra simpatizantë, anëtarë, veprimtarë e drejtuesë të këtyre grupeve e organizatave arrestoheshin e dënoheshin me shumë vite burg të rëndë. Njëri prej tyre ishte edhe i ati i Labinotit, Gani Krasniqi, i cili ishte edhe prej luftëtarëve dhe organizatorëve të parë të Luftës së Armatosur Çlirimtare në Malishevë e në Kosovë. Represionit dhe terrorit policor jugoserb mendjet e ndritura dhe liridashësit shqiptarë iu përgjigjen duke i bashkuar organizatatë dhe grupet e kohës në një organizatë të vetme politike e atdhetare për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Në themele të këtij bashkimi është gjaku i tre bijve të kombit shqiptar: Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, është vizioni i simbolit të qëndresës shqiptare, Adem Demaçit, është puna dhe mundi i Ahmet Haxhiut, është gjaku i Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut dhe i shumë e shumë atdhetarëve e Dëshmorëve të Atdheut. Kjo organizatë më vonë u quajtë Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila edhe mori përgjegjësinë dhe vendimin historik për Luftë të Armatosur Çlirimtare kundër pushtuesëve të tokave të pushtuara të Shqipërisë. Forca e armatosur çlirimtare, që u krijua me përpjekjet, përkushtimin, mundin e gjakun e djemve e vajzave më të mira të Lëvizjes Popullore të Kosovës, më 17 Nëntor të vitit 1994, me vendim të Kryesisë së LPK-së, u quajt: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftëtar dhe organizator i të cilës ishte edhe Imer Krasniqi, i cili pati fatin të bëhet Dëshmor i Parë i Llapushës.

Lufta dhe rënia heroike e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, dhe e Jasharëve mobilizoi kombin shqiptar si asnjëherë më parë për çlirimin e tokave të tij të robëruara e të copëtuara barbarisht. Lëvizja Popullore e Kosovës organizoi dhe mbajti mijëra takime, tubime e demonstrata anekënd botës në përkrahje të Luftës Çlirimtare. Mijëra djem e vajza, burra e gra linin punën, familjen dhe jetën e mirë të Perëndimit e vinin i mbushnin radhët e UÇK-së, por edhe viheshin në ballë të saj dhe binin në luftë me forcat serbe si me le. Pas luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, UÇK-së iu bashkua edhe LKÇK-ja. Ishin të shumtë edhe vullnetarët nga shteti shqiptar që iu bashkuan UÇK-së. Ushtria Çlirimtare fitoi dashurinë,  përkrahjen dhe nderimin e kombit dhe të çdo shqiptari në botë. Me luftën e saj të drejtë fitoi edhe mbështetjen e vendeve dhe qeverive demokratike të botës. Ajo u bë sinonim i qëndresës, i shpresës, i luftës, i heroizmit dhe i nderit e krenarisë shqiptare. Në krah dhe në ballë të ushtarit e të eprorit të UÇK-së ishte Shqiponja e kombit me ngjyrat e flamurit kombëtar dhe me shkronjatë e arta, ndërsa në zemër e në gojë BETIMI për të luftuar deri në vdekje për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Me këtë betim në zemër e në gojë shkuan në luftë, luftuan heroikisht e ranë për të mos vdekur kurrë edhe dy dëshmorët që po kujtojmë dhe nderojmë sot: Imeri e Labinoti.

Bazë dhe strehë e dashur dhe e sigurtë e LPK-UÇK-së dhe e luftëtarëve të lirisë ishte shteti ynë shqiptar. Aty stërviteshin, aty përgatiteshin dhe aty armatoseshin e niseshin në luftë djemtë dhe vajzat që i bashkoheshin luftës së UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës. Në këtë bazë dhe strehë të sigurtë edhe ktheheshin nga lufta për t’i shëruar plagët luftëtarët e lirisë.

Familje të nderuara Krasniqi, vëllezër e motra,

Edhe Dëshmorët e Kombit që po kujtojmë sot janë dëshmi e vetëdijes, e përcaktimit dhe angazhimit të një populli në luftë të pakompromis për çlirimin e çdo pëllëmbe të tokës së pushtuar shqiptare. Lufta dhe rënia e Labinotit, e Visarit e Elmiut dhe e shumë luftëtarëve tjerë në Kumanovë, në Tetovë, në Preshevë, në Gostivar, në Plavë, në Shkup, e gjetiu vërteton më së miri përcaktimin dhe qëllimin e Imerit dhe të Luftës Çlirimtare shqiptare. Ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftimeve në Kosovën e kufijve të përcaktuar nga pushtuesit, por luftëtarët e LPK-UÇK-së vazhduan misionin e tyre për çlirimin e Kosovës Lindore dhe për çlirimin e Maqedonisë shqiptare. Ishin me qindra ata që morën armët dhe u shkuan në ndihmë vëllezërve të tyre shqiptarë në Maqedoninë e tyre të robëruar, siç kishin ardhur Ismet Jashari, Mujdin Aliu e qindra djem shqiptarë nga Maqedonia dhe nga e gjithë Shqipëria për të luftuar dhe për të rënë përkrah vëllezërve të tyre në Kosovë. Midis atyre që rrokën armët dhe iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ishte edhe i riu nga Malisheva, Labinoti, djali i vogël i Gani dhe Xhemile Krasniqit, i cili ra heroikisht duke sulmuar forcat policore dhe ushtarake sllavomaqedone në Mateq, më 6 qershor të vitit 2001.“Noti”, siç e thërrisnin prindërit, vëllezërit e motrat, nuk i kishte mbushur dy vjet jetë, kur ia kishin burgosur të atin, Ganiun, i cili ishte dënuar 15 vite burg për bindjet dhe angazhimin e tij politik e patriotik për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Labinoti po rritejë dhe edukohejë në një familje me tradita atdhetare. Gjyshi i tij, Selmani, ishte luftëtar i dalluar përkrah Shaban Polluzhës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur ishte kthyer Ganiu nga burgu, Noti ishte 12 vjeç. Ardhja e të atit në shtëpi i dha krah Notit që po rritej e po burrërohejë. Pas disa vitesh, fare i ri, shkoi te vëllezërit në Gjermani e në Zvicër. Në luftën për çlirimin e Kosovës kishte ardhur me vëllezërit, që ishin bashkuar me UÇK-në e po luftonin përkrah të atit. Pas mbarimit të Luftës Noti ishte martuar me vajzën që donte. Nuk vonoi shumë dhe shpërtheu lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e themeluar edhe kjo nga Lëvizja Popullore e Kosovës. Kudo flitej dhe bëheshin përpjekje për ta ndihmuar luftën për çlirimin e Maqedonisë shqiptare. Pjesë e organizimit për të shkuar në luftë ishte bër edhe Labinoti me shumë të rinj nga Malisheva dhe rrethe tjera të Kosovës.

“Nusja i ishte lutur Labinotit të mos shkonte në luftë, rrëfen e nënë Xhemilja. Por, ai e kishte vendosur: do të shkoj patjetër, ia kishte kthyer nuses. Pse nuk kishin gra, nëna e motra ata shqiptarë të Kumanovës, që erdhën këtu në Malishevë e kudo në Kosovë dhe luftuan e u vranë për trojet shqiptare?… Çdo çast më duket se ata kanë lënë një amanet të madh, aq sa nuk më mban vendi këtu, më thërret lufta e madhe që po bëjnë luftëtarët e mbledhur në Maqedoni nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe ata bijë nënash janë: kanë lënë gratë, fëmijët dhe njerëzit e tyre më të dashur dhe kanë shkuar në luftë. Pse unë jo”?!, i kishte thënë Noti nuses së tij. Ndërsa nënë Xhemilja i kishte thënë të birit se ishte i ri dhe i papërgaditur për luftë. -…”Nënë, i kishte thënë Noti, bëre shumë mirë që e hape këtë bisedë, sepse unë vetë nuk dija si të ta thosha. E kam menduar gjatë dhe e kam ndarë mendjen, moj nëna ime, prandaj më jep bekimin, ashtu siç ua kishe dhënë Sylës e Dinit, se nesër nisem… Mos më pengo të luftoj, kam kohë që e mendoj këtë gjë… -Jo, or bir, nuk të pengon nëna, por po të them se je fare i papërgatitur, nuk di as çka është arma që do të hedhësh në krah, as çka është lufta ku do të shkosh… –Di, nëna ime, di aq sa duhet. Por, edhe në mos ditsha, ku mund të mësoj më mirë se në luftë? –Atëherë, shko bir, vafsh dhe ardhsh i bardhë! Këtë ta them me gjithë zemër, megjithëse kjo e shkretë zemër kësaj here nuk ma jep për mirë dhe gati sa nuk po më del prej vendit. –Si ta kem fatin, oj nënë. Tani bëhu e fort, më përqafo dhe më jep leje, se do të vij makina për të më marrë. Me të tjerët jam përshëndetur”, i kishte thënë Labinoti nënë Xhemiles. Kjo ishte biseda e tij e fundit me nënën. Lajmi se Labinoti kishte rënë në luftë për lirinë e asaj pjese të Shqipërisë e kishte tronditur shpirtin e nënë Xhemiles. –“Bëhu e fortë Xhemile, i kishte thënë i ati i Labinotit, Ganiu. Noti na la, ai tani është Dëshmor i Kombit, por ti mos u ligshto se ke edhe tre djem tjerë. Ke vajzën, nuset dhe do të kesh prej tyre edhe shumë nipa e mbesa”… (Cituar nga libri: “Gjashtë ditë sa një jetë”, Apostol Duka, Grand Prind, Tiranë, 2016, faqe 127,128, 129, 130)

Labinot Krasniqi iu bashkua armatës së madhe të Dëshmorëve të Kombit, të cilët vun jetën dhe gjakun e tyre në themele të përpjekjeve, të luftës dhe të drejtës për jetë të lirë e të pavarur në një shtet e në një Shqipëri të bashkuar. Nënë Xhemilja dhe i ati Ganiu e përballuan me forcën e krenarinë e traditës shqiptare rënien e djalit të tyre të vogël për komb e atdhe, për flamur e Shqipëri të lirë e të bashkuar. “Ashtu sikundër që, kur ra Imeri, e zëvendësoi i biri, shkruan Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj, kur na ra Labinoti, atë e zëvendësuan jo një, por dy luftëtarë: e shoqja, Lindita dhe i vëllai, Dini. Si e tillë kjo familje e ngriti edhe më lart traditën tonë kur bëhet fjalë për Atdhenë: NJË BIJE, MIJËRA NGRIHEN! Dhe lufta vazhdon e do të vazhdojë deri në plotësimin e atij betimi: deri në bashkimin me shtetin amë”! (Cituar nga i njëjti libër: “Gjashtë ditë sa një jetë”, Apostol Duka, f. 2016). Falë luftës së Imer e Labinot Krasniqit dhe mijëra dëshmorëve e luftëtarëve të Ushtrive tona çlirimtare pozita e shqiptarëve në Maqedoni, në rajon e në botë është më e mirë dhe më e fuqishme se kurrë më parë. Jemi të pafat që nuk ia dolëm të krijonim një klasë politike autoktone, që do të dinte ta shfrytëzonte këtë situatë të re për ta shtyrë më tej projektin mbarëkombëtar. Nëse dikur klasa politike ishte bashkëpunëtore e drejtëpërdrejtë e pushtuesve, sot ajo është pjesë dhe kolaboratore e një projekti të huaj që ka për synim zvarritjen e bashkimit të kombit shqiptar dhe zvarritjen e zhvillimit e të përparimit të tij me lloj-lloj ndërskamcash… Koha ishte dhe është që Dëshmorët e Kombit t’i kujtojmë e nderojmë gjithmonë, kudo e në çdo kohë, por mbi të gjitha të angazhohemi pa hile për jetësimin e BETIMIT të tyre dhe të UÇK-së.

I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për Imer e Labinot Krasniqin dhe për të gjithë Dëshmorët e Kombit! E përjetshme lavdia për Ta! Lvdi LPK-UÇK-së!

Prishtinë, më 16 qershor 2018

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …