Xhevdet Shehu

Xhevdet Shehu: Kush do t’i bëjë zap neofashistët!?

Në debatin që po zhvillohet aktualisht për çështjen e Luftës Antifashiste, nisur nga një projekt-rezolutë që i quajturi “Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit” me drejtor Agron Tufën deshi ta kalonte në parlament, ka marrë përmasa të papara. Ajo projekt-rezolutë nuk kaloi në parlament, dhe mirë u bë, por historia vazhdon me ata që mbrojnë luftën dhe me ata që duan ta nxijnë atë. Tufa ka deklaruar se do të hedhë në gjyq edhe gazetës DITA dhe një grup autorësh, intelektualë, deputetë dhe historianë që denoncojnë Tufën si një provokator. Por nga ana tjetër, kam marrë vesh se janë shumë familje nga ish-udhëheqësit e Luftës Antifashiste dhe të dëshmorëve  që cilësohen “kriminelë” nga instituti i sipërpërmendur që po përgatisin një padi të rëndë kundër Tufës për këtë akuzë të padëgjuar pas 75 vjetësh. Ndërkaq këta familjarë, ashtu si Komiteti Kombëtar i Veteranëve, Organizata e Dëshmorëve dhe shumë organizata nëpër qytete të ndryshme të vendit,  kërkojnë nga qeveria të ndërpresë financimet dhe ta shkrijë këtë institut që kërkon të kthejë përmbys një pjesë të ndritur të historisë sonë kombëtare.

Po i referohem një fakti të thjeshtë: Ne kemi një vepër artistike të mrekullueshme që titullohet “Partizani fitimtar” vepër e Skulptorit të Popullit Odhise Paskali e vendosur në Mat-hauzen, në Austri në vitin 1968. Atje, në Mat-hauzen, ka vepra artistike nga të gjithë kombet që patën viktima në atë kamp. Po kjo e jona është një nga veprat më të bukura të vendosura në atë kamp të shfarosjes në masë, në varrezat simbolike që janë ngritur në nderim të viktimave. Është një vepër artistike ekspresive, shumë shprehëse që përmbledh gjithë simbolikën e kauzës së Luftës së Dytë Botërore dhe të fitimit të saj nga ana e luftëtarëve antifashistë.

Që nga viti 1968 e deri në vitin 1990 te vepra “Partizani fitimtar” shkonin çdo vit përfaqësues nga qeveria shqiptare dhe ambasada jonë në Austri dhe vendosnin kurora me lule në çdo 5 maj, ditën që u çlirua ai kamp në vitin 1945. Ndërkohë ky memorial vizitohej nga mijëra vizitorë të huaj që mahniteshin me të, bënin aty fotografi… Më pas, ky ritual i shkuarjes tek ai memorial nga ne shqiptarët është harruar për afro tridhjetë me radhë. Dihen arsyet pse. Madje nuk dihet as fati i veprës në fjalë, e cila mund të jetë dëmtuar, mund të jetë mbuluar me shkurre e ferra nga harresa e pafalshme e treguar nga qeveritë e pas vitit 1990. Ashtu sikurse janë lënë në mëshirë të fatit varrezat e dëshmorëve në gjithë vendin.

Por ajo vepër e Odhise Paskalit, sikurse monumenti Nënë Shqipëri, në Tiranë e plot vepra të tjera madhore, janë pjesë e memories sonë historike. Shumë shqiptarëve u dhemb shpirti edhe sot e kësaj dite për të afërmit që kanë humbur në kampet naziste. E përmenda veprën e Paskalit, se ajo është një vepër simbol i Luftës sonë Antifashiste dhe është një akuzë e rëndë për ballistët e djeshëm dhe neoballistët e sotëm. Sepse ballistët nuk hanin vetëm pula, sikurse ironizohen edhe sot e kësaj dite, por kanë bërë edhe krime e masakra të përbindshme.

Sepse në Mathauzen janë djegur të gjallë në krematorium qindra shqiptarë antifashistë. Vetëm nga Vlora në një ditë janë deportuar mbi 600 antifashistë vlonjatë, të listuar nga ballistët tek gjermanët. Tek-tuk ndonjë mundi të mbijetonte nga ai kamp. A ishte kjo një masakër? Pa asnjë dyshim. E iniciuar nga Balli Kombëtar dhe e ekzekutuar nazistët.

Para disa ditësh, një invalid i luftës antifashiste, me emrin Mustafa Kondo, më solli një listë me 451 familje vlonjate, që, sipas gazetës fashiste “Tomorri” në 4 prill 1944, “po marrin në qafë Shqipërinë”. Është një listë e përpiluar nga krerët e Ballit të Vlorës të asaj kohe. Është e pamundurta sjellim të plotë atë listë sot në gazetë, por ndonjë ditë edhe mund ta sjellim Veterani Mustafa Kondo e kishte merak…

Pasi kisha në dorë listën të cilën e quajta të lemerishme, takova Lefter Gjylin, një nga bijtë e viktimave të asaj liste. Ai më tha se bazuar në atë listë të ballistëve, kishte humbur edhe babain Kristaq Gjylin, edhe xhaxhain e tij Raqi në Mathauzen, ku u dogjën të gjallë. Ky është një krim i pastër i ballistëve, më tha Lefteri, duke përforcuar fjalët e Mustafa Kondos.

(Po ta kishte ditur këtë fakt kolegu im Bedri Islami, me siguri do ta kishte futur në shkrimin e tij të para pak ditëve në DITA për masakrat e kohës së luftës. Sepse kjo është padyshim një nga masakrat më të tmerrshme që, çuditërisht është folur fare pak).

***

Vitin e kaluar, më 8 maj 2018, kam botuar një shkrim me titullin “Hipokritët”, ku e përmendja këtë fakt. Ishte ndezur debati për kampin e Tepelenës, që me propozim nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, u kthye nga qeveria e Ramës në “Aushvicin shqiptar” . Si të mos revoltoheshin veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe të viktimave të kampeve gjermane të përqendrimit që nuk kishte asnjë memorial për ta?

Ishte një person nga Vlora që nuk e njoh ende personalisht. Por historiani Paskal Milo më lidhi me të. Polizoi Kosta e quajnë. Më tha se ishte 81 vjeç. Dhe kishte një hall.

– Si mund të ndihmoj?- i thashë.

– Po ja iku 5 Maji më tha. Kam 74 vjet që shoh në ëndërr tim atë… Më ka lënë 7 vjeç… Im atë, Jani Kosta ka vdekur në kampin nazist të shfarosjes në masë të Mathauzenit në dhjetor 1944 si antifashist, si rreth 500 shqiptarë të tjerë. Ishte 33 vjeç. Eshtrat e tim eti nuk kam për t’i gjetur kurrë, pasi ai është djegur në krematorium si miliona të tjerë nga vende të ndryshme të Europës, më tha Polizoi.

Më tej shtoi se kërkonte, edhe në emër të shumë familjeve të tjera vlonjate, ngritjen e një memoriali për gjithë të rënët në kampet naziste. I kishte shkruar edhe Edi Ramës për këtë, pasi kryeministri socialist e kishte premtuar me kohë memorialin, por e kishte harruar… Një memorial për ata që kanë ngelur pa varr nga nazifashistët do na qetësojë shpirtin…

… Memoriali u ngrit pas disa muajsh dhe Polizoi më mori sërish në telefon dhe më tha i ngazëllyer: “M’u ngjall babai! Memoriali u ngrit më në fund…”

***

E solla këtë shembull për të treguar se shpërfillja ndaj Luftës Antifashiste dhe dëshmorëve të saj është e pafalshme.  Doni fakte të tjera për krimet e Ballit? Sa të doni. Një pjesë janë botuar, të tjera do të vijojnë të botohen. Nuk dua sot të numëroj krimet e pafundme të Ballit në Mallakastër e në gjithë Shqipërinë. Është e pamundur të përfshihen në një shkrim të vetëm. Se më duhet të përmend jo vetëm dhjetë këshilltarët unikalë të Hekalit të vrarë në një ditë nga ballistët, po edhe 44 kashilltarët në gjithë Mallakastrën që u vranë brenda pak ditësh në dhjetorin e 75 viteve më parë…

E vërteta nuk është thënë ende deri në fund për ballistët dhe krimet e tyre.

Por si konkluzion, në ilustrim të idesë se gjithë bota në mbarim të Luftës së Dytë Botërore i njohu partizanët si fitimtarët e asaj lufte dhe ballistët si bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë si humbës në jetë të jetëve, po sjell këtë fakt shumë domethënës:

Në mbarim të Luftës, në vitin 1946 u mbajt në Paris Konferenca e Paqes nga Kombet e Bashkuara. Në atë Konferencë mori pjesë edhe Enver Hoxha me cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, si ish-Komandant i Luftës Antifashiste  dhe si përfaqësues i atyre që e fituan atë luftë. Nuk u thirrën ballistët. Ku ishte Mit’hat Frashëri në atë kohë? I arrestuar nga italianët dhe i burgosur në një kamp përqendrimi si kriminel lufte. Ai dhe të tjerët si ai që tani Tufa i shpall nacionalistë dhe patriotë të mëdhenj.

Po i kthehem edhe njëherë veprës së Odhise Paskalit. Pas këtyre sulmeve që bën instituti fashist i Tufës, ajo nuk duhet të quhet “Partizani fitimtar”, por “Ballisti fitimtar”. Nuk e di nëse opinioni shqiptar mundtë pranojë një riemërtim të asaj vepre të skulptorit të madh. A mund të pranohet, për shembull që kapela e partizanit të zëvendësohet me një qylaf ballisti? Duket një pyetje retorike dhe e pabesueshme kjo, por ka ardhur një kohë që nuk duhet të çuditemi as nga absurditetet më të mëdha.

Dhe me këtë rrokullimë që kanë marrë ngjarjet, edhe kjo mund të ndodhë. Pra të modifikohet edhe vepra e Odhise Paskalit. Ashtu sikurse para pak ditësh u njoftuam se ka dalë një libër i madh me himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar …

***

Ka 9 vjet që instituti i Tufës punon dhe u kërkon këmbëngulshëm institucioneve më të larta të këtij shteti zhbërjen e historisë, të hidhet poshtë lufta antifashiste dhe fitimtarët e asaj lufte të shpallen kriminelë! Ndërsa bashkëpunëtorët e pushtuesve të shpallen heronj dhe të ngjiten në piedestale!

A ka absurditet më të madh? Prandaj dhe ne e kemi quajtur të dënueshme heshtjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij ndaj akteve të tilla. Pale të mendosh që Tufa me shokët e tij e bëjnë këtë luftë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pra financohet nga kjo qeveri.

Deri më sot Qeveria nuk ka ngritur asnjë komision dhe nuk ka shpallur asnjë program për kremtimin e vitit jubilar të 75-vjetorit të çlirimit ashtu si i ka hije. A është normale kjo për një qeveri socialiste dhe për Edi Ramën si kryetar i Partisë Socialiste? Padyshim që jo. Përkundrazi. Instituti i Tufës, duke marrë zemër nga realizimi i ëndrrës për kampin e Tepelenës, këtë vit i ka ndezur bateritë dhe është hedhur në yxhym për të nxirë gjithçka.

I është hapur oreksi dhe nuk ndalet… Por nuk ka kush t’i thotë ndal. Prandaj dhe besohet se është vetë Rama që e ka krijuar këtë atmosferë dhe që e ka ngjallur këtë frymë, ndërsa u fërkon kokën dhe u ka ngritur puplat neoballistëve të sotëm, ka krijuar klimën e favorshme pas ceremonisë së turpshme shtetërore që bëri për ish-kreun e ballistëve të dikurshëm, Mit’hat Frashërin në nëntor të vitit të kaluar. Nuk ka ende kontroll dhe nuk dihen se sa miliona shkojnë dhe harxhohen padrejtësisht jashtë destinacionit.

Prandaj dhe shumëkush mendon se inkurajimi i neofashistëve vjen direkt nga Edi Rama dhe inkurajimi që ai i bën me financime shtetërore. Mos i duhet thënë “Ndal!” vetë Edi Ramës në këtë revansh të tij përkrah ballistëve? Që t’i thuhet “Ndal!” edhe hipokrizisë që favorizon ngjalljen e neofashizmit.

***

Çfarë kërkon tjetër Tufa dhe bashkëpunëtorët e tij? Shumë, shumë më tepër. Atyre iu është hapur oreksi në kufij të paimagjinueshëm.

Në 22 janar të këtij viti Tufa i ka kërkuar me shkresë zyrtare ministres Belinda Balluku emrat e të gjithë punonjësve të dikasterit që ajo drejton që “kanë qenë pjesë e makinës së diktaturës komuniste”!

Vetë shkresa është një absurditet dhe një shprehje e oreksit të panginjur të këtij institucioni fashist që vazhdon të gjallojë në shoqërinë tonë.

Në radhë të parë nuk dihet se mund të ketë ngelur pas tridhjetë vjetësh nga ata të makinës së diktaturës komunistë pas tridhjetë vjetësh. Vetë Rama nuk i ka pëlqyer mbi 30-vjeçarët. Por çështja qëndron se pse e bën këtë Tufa? Çfarë objekti studimi përbën për institutin e tij ky “zbulim” dhe a mund të quhet kjo një shkelje e statutit të këtij institucioni? Por ka edhe të tjera që me siguri do të dalin në dritë. Vetë Tufa është emëruar në krye të këtij institucioni pa pasur certifikatë sigurie dhe i tillë është dhe sot e gjithë ditën. A është kjo një tjetër shkelje e dënueshme, ndërsa ka botuar dokumente që nuk lejohen atij t’i deklasifikojë?

Padyshim që po. I dënueshëm është edhe akti i atij që e furnizon këtë institut me të tilla materiale. Ky mund të shërbejë si një objekt hetimi për ata që kanë për detyrë të vrojtojnë dhe kontrollojnë veprimtarinë e të tilla institucioneve që abuzojnë me paratë e shtetit.

Sidoqoftë, debati është hapur dhe shumëkush mund të pyest dhe pyet pse u hap ai. Më mirë që u hap dhe po vazhdon ky debat. Sepse është e nevojshme të ndahet përfundimisht shapi nga sheqeri dhe të mos u lihet shteg më tej spekulimeve të neveritshme me historinë. Po nuk u turbullua, nuk kullohet, thotë një fjalë e urtë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …