leoni

Zë i thekshëm i lirisë, luftëtari, këngëtari dhe pjesëtari i UÇK-TMK-së, Muhamet Ahmeti

Zë i thekshëm i lirisë, luftëtari, këngëtari dhe pjesëtari i UÇK-TMK-së, Muhamet Ahmeti

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hapur horizonte të paskajshme në krijimtarinë e shkrimtarëve, poetëve, këngëtarëve dhe krijuesve të tjerë. Nuk ka dëshmor në Kosovë,  për të cilin nuk është kënduar e nuk këndohet një këngë.  Në fonotekën e Radios-Kosova e lirë janë mbi tremijë  këngë për dëshmorët, martirët dhe luftën e UÇK-së. Një e veçantë tjetër  e kësaj lufte janë edhe këngëtarët dëshmorë, por edhe luftëtarët këngëtarë, që kanë kënduar edhe  në frontet e luftës si Mujë Krasniqi e Beqir Gashi, Muhamet Malësori e  Shkëlzen Haradinaj, Bejtë Rexhepi, Agush Gjoci e shumë të tjerë, sepse të gjithë e dinë se edhe Kryekomandanti i tyre, dhe i thë gjithë neve, Adem Shaban  Jashari gjatë luftimeve  kundër një shteti vrastar, sikur ishte Serbia e Millosheviqit,  kishte kënduar këngë bashkë me vëlla Hamzanë,  veçmas këngën e tij të preferuar  për  Çerçiz Topullin. Andaj qysh atëherë, por  edhe më herët  në historinë e rezistencës, pushka dhe kënga  ishin bërë bashkë dhe kanë mbetur  sinonime qëndrese e mbijetese e shqiptarëve atdhetarë e kryengritës.

Në mesin e luftëtarëve këngëtarë  është edhe, luftëtari i lirisë, guerili i BIA-s, pjesëtari i UÇK-TMK-së, Muhamet Ahmeti, një paraqitje e veçantë në jetë e në këngë.  E nënvizoj vlerësimin tim, në radhë të parë për faktin se Muhameti, edhe pse është këngëtar i mirënjohur,  nuk e ka profesion këngën dhe nuk jeton nga fitimet e saj, por është këngëtar me zë të lindur të këngëtarit, me frymëzim  atdhetar, i cili këngës i qaset me seriozitet, përkushtim, dashuri të veçantë dhe gjatë këndimit shkrihet në të, duke e përjetuar me thellësinë e shpirtit, ashtu sikur e përjeton dhe ashtu sikur shfaqet  me buzëqeshjen e tij karakteristike, shumë të dashur e të sinqertë, me afinitetin e tij për të rrezatuar mirësi, dashuri vëllazërore me të gjithë, tolerancë, miqësi e dashamirësi. Këto cilësi të karakterit të Muhamet Ahmetit e bëjnë po aq të dashur  me dëgjuesit edhe gjatë këndimit, ku ai ndihet në elementin e tij jetësor, qoftë si krijues, qoftë si interpret, gjithnjë i sigurt në vetvete, por pa krekosje e mendjemadhësi, pa shikim prej së larti,  edhe pse natyra i ka falur shtatin e hedhur dhe vështrimin e burrave të motit.

E si të mos këndojë Muhamet Ahmeti për bashkëluftëtarin, Zahir Pajaziti, për Ilir Konushevcin e dëshmorë të tjerë, si të mos i falënderohet  me këngë zemre, UÇK-së heroike e historike, si të mos i këndojë një familjeje dëshmore si ajo e  Vëllezërve Rama,  si ta harrojë e të mos e këndojë një këngë për TMK-në, ndoshta kënga e vetme që është kënduar ndonjëherë, me aq mall e dashuri për atë Forcë ndërlidhëse mes UÇK-së e FSK-së, pjesëtar  i zellshëm i së cilës kishte qenë edhe vetë.

Qasja e tij ndaj këngës ka kaluar në faza të ndryshme, që nga koha kur ka filluar të këndojë në rininë e hershme, ashtu sikur këngëtarët e tjerë e më pas duke u ndjerë gjithnjë e më i sigurt, ai ka bërë kapërcime sikur me hapin e ushtarakut, për të arritur nivelin e këndimit,  të cilin e disponon sot, me një kredo të veçantë krijuese, me një fond gjithnjë e më të pasur dhe stil origjinal të këndimet, me zë radiofonik  pavarësisht se këndon edhe këngë të këngëtarëve të tjerë, sikur bëjnë shumica e këngëtarëve,  jo vetëm ndër ne,  po kudo në botë.

Veprimtari dhe këngëtari, Muhamet Ahmeti, ashtu si shumë këngëtarë, luftëtarë lirie, është pjesë e trashëgimisë kulturore, kombëtare, madje është pjesë e veçantë e saj, sepse këta këngëtarë u këndojnë bashkëluftëtarëve të tyre, veprave dhe heroizmit të tyre, të vetëdijshëm se në rrethana lufte askush nuk ishte kursyer, por jo të gjithë luftëtarët bien, disa plagosën, disa shpëtojnë për t’ i tërhequr kufomat dhe për të treguar trimërinë e heroizmin e tyre.

Luftëtarët këngëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meritojnë ta formojnë një grup, ansambël apo shoqatë nderi, sepse lufta jonë për liri nuk do të harrohet kurrë, sepse ende nuk është realizuar betimi dhe amaneti i tyre për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Grupi, Ansambli apo Shoqata e luftëtarëve këngëtarë, do ta pasuronte jetën tonë muzikore me disa veçanti, jo për t’ u dalluar nga këngëtarët e tjerë, por për të  manifestuar një segment më tepër të luftës së UÇK-së, trashëgimisë së saj, sepse ashtu sikur e tha edhe Komandanti emblematik i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj me rastin e dënimit nga Gjykata Speciale të Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit,  lufta për liri e shtet,  ende është  duke vazhduar.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …