(Kështu e kujton bashkëluftëari Zenel Zakolli, Komandant i Batalionit të lll të Brigadës 121 ”Kumanova”)
Ishte viti 1998. Më 7 qershor, ne në fshatin Bllacë të Suharekës, i kishim zënë pritat, duke bllokuar magjistralen Duhël – Malishevë, në fillim ishim fare pak në numër, por nuk kaloi as java, nga 30 ushtarë, u bëmë 300. Njerëzit vullnetarë vinin nga të gjitha anët e Kosovës! Kah fundi i qershorit erdhën disa djem nga Gjilani dhe Kaçaniku. Mua mu dha detyra e udhëheqësit që të shkonim për armatim në Shqipëri, Tropojë. Por ajo që më bëri përshtypje të madhe ishte një djalë i ri nga Kaçaniku: Xheladin Kurtaj e quanin. Ishte koha ende e vështirë, sa i përket prezantimit të vërtetë dhe unë mendova që ai djaloshi (Xheladini) m’u prezantua me ndonjë pseudonim, unë nuk insistova që ta pyesja se a është emri i tij i vërtetë, meqë isha i sigurt 90% se këtë emër e ka pseudonim. Atë natë fjetëm në Bllacë, në Shtab të UCK-së. Të nesërmen herët në mëngjes nga Bllaca u nisëm 5 veta për Malishevë, ku na u bashkëngjitën rreth 100 veta, me urdhër të shtabit të Malishevës. Nisja për në Dukagjin u bë me kamionë, rrugëve dytësore, që me njëfarë forme ishin më të sigurta!? Dhe, sipas sa orëve arritëm në Gllogjan të Dukagjinit. Aty pushuam tërë pasditen, por në mbrëmje u nisëm për në Junik në këmbë, përafërsisht 500 veta, sepse na u bashkuan edhe shumë ushtarë nga Dukagjini me urdhër të Ramush Haradinajt. Në mëngjes herët arritëm në Junik, aty na dhanë mëngjes të gjithëve, normal (një copë bukë me djathë). Pasdite u rreshtuam përsëri dhe aty na u bashkëngjitën edhe 500 veta të cilët pritnin me ditë të tëra për të shkuar në Tropojë për armatim. Nga aty, u nisëm pasdite rreth orës 19 edhe pse dielli kishte filluar të fshihej prapa bjeshkëve të Junikut!.. Për dritë arritëm mbi Junik, në fshatin Jasiq. Aty filloi të errësohet, por ne nuk ndaleshim duke ecur në këmbë, edhe pse filluan lodhjet dhe rraskapitjet e para! Rruga ishte shumë e përpjetë, por vullneti e bënte të vetën. Ajo çka është me rëndësi, dhe e pa imagjinueshme, ishte sepse vetëm ai i cili printe përpara e kishte një pushkë automatike, dhe ushtari i fundit (një mijë ushtarë dy pushkë automatike)!… Nga nisja prej fshatit tim Bllacë e deri në Tropojë për asnjë sekondë nuk m’u nda djaloshi, Xheladini nga Kaçaniku. Normal, rrugës edhe pse të lodhur, të rraskapitur duhej ta kalonim rrugën duke biseduar, por në heshtje, sepse frika ishte mos të binim në pritë nga forcat serbe…
Kujtimet i kam shumë të freskëta me Xhelën. Rrugës e pyeta me çka merresh? Më tha jam student i aktrimit ( për aktor) edhe pse nëna e kishte lindur taman artist!.. Më emocionoi me fjalët e para, sepse edhe unë merresha me art qysh nga fëmijëria ( me poezi aktrim dhe këngë folklorike). Ashtu, ne tërë rrugës biseduam për artin, sidomos për filmat shqiptarë të Shqipërisë, edhe sikur bënim gara se cili po i njeh më shumë artistët shqiptarë!.. Me një moment e pyeta? Xhelë, çfarë të shtyri që iu bashkëngjite Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Ma ktheu: “Po nuk bëre asgjë për Atdheun, mos thuaj se jetoj, po nuk u flijove për Atdheun mos thuaj se jam burrë, prandaj Atdheu është si prindi, po nuk e deshte Atdheun nuk je i askujt…” Më ranë dy pika loti dhe e përqafova fort… u emocionova!.. Xhelës i shkoj buza në gaz, dhe më pyeti çfarë ke?.. Unë u bëra pak i lig.. Ja ktheva: “O Xhelë, po ti je djalë i ri dhe i duhesh familjes, i duhesh Atdheut, ende nuk e ke shijuar rininë, pse erdhe bre Xhelë, pse nuk qëndrove në Prishtinë t’i vazhdosh studimet?!” Aty iu mrrolën vetullat!. Dhe ma ktheu “O Zenel, po ti pse nuk ndejte në shkollë me dhanë mësim, por u kyqe në UÇK, pse e le ditarin dhe e kape pushkën (pasi që unë deri në atë kohë isha mësimdhënës në fshat). Po gjithë këta djem të rinj, që po na vijnë mbrapa afër një kilometër rreshti i gjatë !.. Këta a nuk kanë nanë, a nuk kanë babë, të gjithë janë të vlefshëm për Atdhe dhe për familje, por Atdheu është më i vlefshëm se të gjithë ne!…”Në atë moment përsëri e përqafova sikur vëllai vëllain ( saqë një shok më tha si me shaka: “çka keni bre, tanë rrugës jeni duke u përqafuar?!) Ne qeshëm të dytë sepse atij shokut nuk i bënte përshtypje biseda jonë!.. Atëherë ju drejtova Xheladinit me një thënie të një filmi shqiptar!…” Eeeehh, “me djem të tillë gjynah të lëngoj Vatani” Xhela me shpejtësi ma ktheu ” Udha e shkronjave” (ishte fjala për storien e filmit) … Kështu arritëm në mëngjes në Tropojë shëndosh e mirë, ne me Xhelën si zakonisht të pandarë , sepse aq shumë u mishëruam me njëri tjetrin, sikur të ishim rritur së bashku. Në Tropojë, të bënte përshtypje sikur nuk kishte asnjë banor, por vetëm ushtarë të UCK-së, që pritnin për armatim. Shkuam te një kullë, ku ishte bazë e armatimit. Aty takuam një përgjegjës të armatimit. Ishte nga Kaçaniku, e quanin “Komandant Qorri” ai kishte qenë Xhabir Zharku dhe unë iu drejtova: “Kemi ardhur për armatim, dhe duhet të armatosemi sa ma shpejt, Komandant Qorri ma ktheu: “O jaran, nuk kemi armatim. A nuk po e sheh a, të gjithë janë duke pritur për armatim?” Atëherë ju drejtova Qorrit: “Zotni ky çuni është nga Kaçaniku dhe duhet të armatoset me shokët e vet sa ma shpejt, sepse ka me shku për Kaçnik, për ta çelë pikën..”
Xhabiri nuk e di a e njohu Xhelën, edhe pse ishin të një vendi, ndonëse nuk u prezantua Qorri që është nga Kaçaniku, por na u përgjigj “sa më shpejt që kam mundësi, do të ju armatosi.” Të nesërmen shkuam përsëri me Xhelën përsëri nuk ka tha?.. Në Tropojë ndjejtëm tri katër ditë së bashku. Por unë edhe sot, pas 20 viteve nuk ja fali vetes pse insistova aq shumë për ti pajisur me armatim, edhe pse i thosha shpesh nuk kam me të lanë të shkosh në Kaçanik, ke për të ndenjur në Bllacë, sepse aty e kishim edhe Emrush Sumën “Hoxhën”. “Jo, jo thoshte Xhela, duhet sa ma shpejt të shkoj në Kaçanik!” Pas tri katër ditësh arritëm që ta pajisim me armatim Xhelën, kurse ne jo, sepse nuk kishte armatim. Sikur sot më kujtohet Xhela iu bashkua një grupi, që ishin armatosur dhe i ngarkuan në kuaj dhe pasdite u nisën, sepse natën u dashke që të kalonin kufinin shqiptaro – shqiptar. I përcollëm duke u përqafuar, si zakonisht!.. Rrugë të mbarë dhe në dorë të Zotit! Paqi faqen e bardhë! Ju lumtë pushka, o trima!..” Më kujtohet që derisa u fshehën lart në bjeshkë, duke i përshëndetur me dorë, nga larg, unë si zakonisht duke më tradhtuar lotët (sikur ma thoshte zemra që nuk do të takohemi kurrë)… U informuam se grupi që ishte Xhela kishin kaluar mirë, e kishin kaluar kufirin. Ne u gëzuam shumë, sepse thuaja për çdo ditë binin në pritë nga forcat serbe (shpesh edhe nga spiunazhe). Ne mbetëm në pritje të armatimit, sepse ishim shumë në radhë, edhe pse jo të gjithë që erdhën me neve për Tropojë vinin për armatim. Dikush ikte menjëherë për Durrës dhe ia mësynin për në Itali. Ne u armatosëm pas një jave, dhe vetëm ai që ka kaluar atë rrugë din të tregojë për sakrificën dhe mundin, sepse të kalosh ato male “Rrasën e Zogut” është histori më vete!..
Xheladin Kurtaj kishte qenë i vërteti nuk kishte pasur pseudonim, siç paragjykoja unë, edhe pse edhe unë isha Zeneli i vërtetë me emër dhe mbiemër, pa u fshehur nën petkun e një pseudonimi as Xhela, as unë.
Xheladini ishte një djalë i ri, një djalë që sytë i kërkonin Liri, një djalë pedant, pak (hall lig) por shumë i pashëm, me sharmin dhe humorin e tij, saqë derisa po e shkruaj këtë evokim për te, po më shkojnë lotët, sepse sot ndoshta do të ishte idoli i artistëve, sepse ai veç ishte artist, sepse edhe lufta është art!.. Në gusht 98 isha në Bllacë, derisa ishim në luftime, lajmin për rënien e Xheladinit bashkë me Komandantin Agim Bajramin dhe Besnik Beguncën si dhe arrestimin e vëllaut Danushit, më 10 gushtë 1998, gjatë luftimeve në Gabrricë, ma konfirmoi Emrush Suma. Eeeeh, more Xhelë, sa më hyre në zemër vetëm për një javë sa ndejtëm bashkë, e sa ma plagose zemrën që ike kaq i ri, kaq shpejt!.. E unë, mundoja ta përshkruaja herë si Mujën, herë si Halilin, herë si (artistët) Timo Fllokon, herë si Ndriçim Xhepën!.. Por përshkrimi më i përshtatshëm të shkon: Xheladin Kurtaj – Artisti i Popullit – Luftëtari i Lirisë!.. Heroi i Kombit . Lavdi jetës dhe veprës vëlla i dashur Xhelë! Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë Etnike që aq shumë e dashte!..”
*Me respekt bashkëluftëtari yt: Zenel Zekolli, komandant i Batalionit III të Brigadës 121 “Kumanova”, Bllacë – Prizren