Zenun Gjocaj: Kosova në vargjet e poetëve kurveleshas

( Vështrim recensues për veprën poetike “FUSHA E FLAMURUT”, lexuar në promovimin e librit. Prishtinë, 8.10.2011)


 


Në përmbledhjen e poezive “Fusha e flamurit”, edhe kurveleshasit kanë shprehur botën e tyre të ndjeshme poetike për Kosovën në disa periudha kohore, duke filluar që nga viti 1959, që nga poezia e Çobo Skënderit: (“Ligjërimi i Shotës”, f.  40) Vepra ngërthen tema ndër më të ndryshmet për Kosovën martire, një spektër të gjerë temash e motivesh dhe një gamë të pasur ndjenjash dhe reagimesh emocionale, si dhembja dhe krenaria për të kaluarën e saj, heroizmi dhe trimëria që lidhet me etnopsikologjinë dhe traditën luftarake të kosovarëve e pjesëmarrësve nga të gjitha viset etnike etj. Në vargjet e tyre gjithçka që i përket çlirimit të Kosovës bëhet objekt frymëzimi, që nga historia e kombit, deri te lufta e fundit e pavarësia e saj.


Ndërkaq, individualiteti poetik i secilit nga këta poetë bëhet më i qartë dhe më i sigurt, kurse poezia e tyre ku e ku fiton një gjerësi dhe thellësi më të madhe, një rrjedhë më të gjerë të frymëmarrjes poetike, varësisht nga forca e frymëzimit.>>>


Parimi bazë krijues i poetëve kurveleshas për Kosovën është shërimi i saj, me intonim të theksuar lirik, pos tjerash, krenaria për Kosovën e luftëtarët e saj të pendës, pushkës e tingujve (Agim Shehu), kushtrimi e krenaria për dëshmorët – karafilat e kuq kosovarë (Çobo Skënderi, Halil Qëndro), pjesëmarrja e Shqipërisë perëndimore në luftën çlirimtare të fundit për liri (Dilaver Goxhaj), ekzodi biblik (Daut Gumeni), përafrimi shpirtëror e kombëtar i skajeve etnike, me gjithë copëtimin tokësor (Ibrahim Gani), mozaiku i përgjakur  si pasojë e martirizimit të egër masakrues (Ilir Balili, Martin Cukalla), copëtimi fizik i etnisë (Lirim Deda, Sulejman Mato), portretizimi i figurave luftarake e intelektuale, si dhe mynxyra që pllakosi Kosovën (Martin Cukalla)


Për poetët e Kurveleshit,: Kosova është metaforë e thellë:


 


 


 “Flamuri i kuq me fytyrën e shkabës


origjina e saktë e nënës dhe babes.


(Ilir Balili).


Përmes vargjeve poetike të kësaj përmbledhje poetike frymon Kosova herë e djegur, herë e plagosur, herë e vrarë “një zi e pafund malësi varresh, ku lulet pikojnë gjak e ku poeti kishte hyrë në vendin bosh  të zemrës së tij (A. Shehu, “Udhë në Kosovë”)


Aty-këtu  ata përpiqen t’i shërojnë plagët dhe gabimet e historisë, dhembjet dhe plagët e luftës, traumat kombëtare, si dhe të lëshojnë zëra kushtrimi për luftë të vendosur deri në fitore. Në këto poezi ku e ku shpaloset metafora e mendësisë etnike, e shkrirë në tërësinë e saj, të përthyer nëpër fate shekujsh.


Në atmosferën dramatike të fatit kombëtar shfletohet stuhia simbolike e historisë kombëtare, përcjellë me shtërgata të vogla e të mëdha, si një dramë tronditëse që përsëritet shpesh ndër shekuj. Ndërkaq, liria e projektuar që nga lashtësia në gjakimet e brezave ka dale në betejë duke e qitur veten në rreziqe.


Përgjithësisht, në vepër janë një tufë temash e poezish të përafëruara rreth një plage të madhe etnike, poetizuar nga një tematikë të përbashkët me këndvështrime të ndryshme, varësisht nga koncepti, rrethanat e pikëpamjet poetike.


Tematika kryesore e kësaj përmbledhje poetike është Kosova dje e plagosur, e përgjakur, e masakruar, me shumicën të dëbuar e të tjerët si cjapi te kasapi,.. siç thotë poeti, Halil Qendro “si varrezë e hapur, ku vrasësit e kanë frikë vdekjen e tyre  Në kontekstin etnik Kosova me viset e tjera të robëruara nën ish-Jugosllavi poetikisht kundrohet si dy kokat e shqiponjës në flamur, që iu jep përgjigje të huajve për çudinë e tyre:


 “E si mund të kem unë vetëm një kokë


gjersa trupi im qëndron akoma i ndarë më dysh?!”


 (Lirim Deda, 78).


Ndërkaq, harta e Kosovës


“në pranverë – gjethe panje


e grirë me plumba…


që poetin e ndihmoi fati


ta përqafojë Kosovën natën


për të mos ia parë


të gjitha plagët.


                (Daut Gumeni f. 54-5/


Megjithatë, nga poezitë e kurveleshasve, del se Kosova i ka rrënjët e thella që nga Iliria e Teutës dhe e Agronit, që nuk mundën ta përkulin ndër shekuj as furtunat heleno-sllave, andaj ndarja e dhunshme fizike e shqiptarëve nga kancelaritë diplomatike, nuk arriti dot ndër shekuj t’ia ndërrojë lidhjen gjenetike.


Në poezi të kësaj përmbledhje defilojnë trima e koka të mençura të mbarë hapësirës kombëtare, që nga Skënderbeu, Abdyl Frashëri, I. Boletini, Mehmet Pashë Deralla, A. Frashëri, Xheladin Beqiri, A. e Sh. Galica,, Gjoleka, Jusuf Gërvalla, Indrit Cara, Zahir Pajaziti, R. Qosja, A. Demaçi, deri te Adem Jashari, të cilët në një mënyrë a një tjetër e siguruan lirinë edhe të një pjese etnike.


                Poetët i preokupon edhe copëtimi i territoreve etnike që lane pasoja të rënda kombëtare. Dashuria dhe dëshira për bashkim është skalitur me emocione poetike: 


                 “Jam në jug dhe në veri


                Shqipëria – dritë në sy. 


                Unë jam kosovari lab,


                 i përkundur në dy djepe


                djepi im në mes i prerë


                njëra pjesë në Kurvelesh


                pjesa tjetër në Preshevë”


                                                (Ibrahim Gani, “Zogu i mallit” 91) 


                Në këtë kontekst, vepra përshkohet nga dy lidhje veri-jugore:


                1. e brendshme –  Kosova e Labëria – që i lidh një hap, por edhe


                2. e  jashtme: thikë në shpinë, që lidhi Beograd – Athinë dhe që e kafshojnë shqipërinë etnike .(Agim Shehu, “Baladë lirie e Kosovës”)


                Në këto poezi pak vend zë vajtimi për Kosovën (Ilir Balili, Martin Cukalla etj.), por dominojnë vargjet e kushtrimit, fjalë të zgjedhura me figuracion të pasur stilistik që burojnë nga thellësitë e shpirtit për dëshmorët:


Gjaku ynë u zgjua


s’ka të vdekur (Daut Gumeni), sidomos poezitë e Çobo Skënderit, D. Goxhajt, i cili e njohu nga afër frymëmarrjen dhe idealet e Kosovës si epror, strateg e luftëtar. Pos tjerash, ai shquhet për diskurs të thjeshtë të ndërtimit të vargut, por për një botë të fuqishme emocionale.


                Një pjesë poezish, në tërësi apo pjesërisht, shpreh entuziazmin për dëshmorët, duke filluar që nga A. Galica e lidhur me vokacion të hershëm (Çobo  Skënderi). Amaneti i A. Galicës, “Ta lidhim besën si dikur” (42), varg që pat përshkuar shekujt, zemrat, betejat, skajet etnike, idealet, heroizmat.                 “Vargu i këngës çdo zemër ndez


     ka për diell nënën Shqipëri”


                                                Halil Qendro: Karafilat e kuq – …qiejt e zemrës  /1981/


Një kodër e butë / e mbjellë me liri  (te Jasharët, pos tjerësh, pushon A. Jashari, “flakadan i sacrifices / Vrana Konti i Drenicës” (D.Goxhaj,  57)


Ekzodi i madh. i kosovarëve gjatë luftës trajtohet në poezitë: “Mbushur malet” dhe “Zonjë e nderuar (Martin Cukalla), “Mikpritje shqiptare” (H. Qendro); “Në kufi të dy shteteve” /S. Mato/


Me gjithë këto fatkeqësi që e kanë kafshuar Kosovën, përgjithësisht shqiptarinë, poetët e kësaj përmbledhje poezish, si shumë poetë, prozatorë e dramaturge të traditës shekullore, nuk e kanë lënë pas dore motivin e shpresës për bashkim etnik, si romanet “Sikur të isha djalë” (H. Stërmilli), “Lumi i vdekur” (J. Xoxa), “Malësorja” (N. Rrahmani), poezia “Rriti nëna dy vasha shqiptare” (J. Ceraja) etj. Kështu edhe në poezitë e Sulejman Matos:


“Janë dy male


poshtë tyre kalon një lumë…


i përbashkët i jetës së tyre


dhe do takohen bashkë


të gjallë dhe të vdekur


dhe do të fërkojnë sytë:


“Sa shumë kemi fjetur” 


                “Kjo përmbledhje poetike e kurveleshasve është një mesazh vëllazëror për Kosovën kreshnike, tanimë sovrane, fitimtare, ballndritur e lavdiplote, që ecën në udhën e fitoreve të reja.” /S. Mato/


Shquhen aty poezitë e simbolit kontekstual, ku bie në sy prirja për pushtimin e hapësirave të reja krijuese, apo për zbulimin e këndeve të reja të vrojtimit për Kosovën, si dhe gërshetimi i trashëgimisë poetike me novatorizmin, përdorimi i shpeshtë i figurave stilitike, si: krahasimi, metafora, epiteti, enumeracioni, anafora, apostrofa, pyetjet retorike etj., rritja e vetëdijes dhe e përgjegjësisë së tyre estetike, shpehja e entuziazmit të matur, pakënaqësia ndaj realitetit të hidhur, e stolisur me lirizëm ku e ku të tjerrë e të thelluar me mjeshtri.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …