Zeqir Bekolli

Zeqir Bekolli: KUR LUFTA ÇLIRIMTARE I PENGON JUGO DHE SERBO- NOSTALGJIKËT!

Lufta e fundit në Kosovë nuk është vetëm një kapitull historie. Ajo është një përvojë e gjallë që shumë njerëz e kanë përjetuar drejtpërdrejt. Për ata që ishin në terren, që panë me sytë e tyre sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpjekjet për ta relativizuar ose për ta njollosur këtë luftë janë, jo vetëm të padrejta, por edhe fyese. Kur dëgjohen deklarata që e minimizojnë ose e shtrembërojnë të vërtetën e asaj kohe, bëhet e qartë se për disa njerëz liria e Kosovës ende nuk është pranuar si realitet i pakthyeshëm.
Për ata që e ndoqën luftën nga afër, realiteti ishte krejt tjetër nga narrativat që sot përpiqen të imponohen nga disa qarqe nostalgjike. Ngjarjet e Drenicës, të Dukagjinit, të Llapit, të Shalës, Nerodimes, të Gjakovës, Rahovecit, …që nga përballjet e hershme në fund të vitit 1990 në Prekaz e deri te betejat e vitit 1999, nuk ishin episode të rastësishme, por shenja të një rezistence të organizuar dhe të vendosur. Aty u pa qartë se për shumë luftëtarë kjo nuk ishte çështje karriere apo përfitimi personal, por një betim për liri. Shumë komandantë dhe luftëtarë e thoshin hapur: “kemi hyrë në luftë me vetëdijen se mund të mos ktheheshin më”.
Në vijën e zjarrit, dhe në shumë vendbanime të tjera, u dëshmua një realitet që nuk mund të fshihet nga propaganda e mëvonshme. Aty u pa se luftëtarët e UÇK-së nuk ishin njerëz që ndiqnin interesa personale, por idealistë që ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për një ideal kolektiv: lirinë e Kosovës. Shpesh ata shkonin drejt vijës së frontit me këngë në buzë, një simbol i vendosmërisë dhe i bindjes se sakrifica e tyre kishte kuptim. Pikërisht kjo frymë e idealizmit është ajo që sot i shqetëson disa zëra kritikë ndaj luftës çlirimtare. Për një pjesë të tyre, pranimi i kësaj sakrifice nënkupton pranimin e përgjegjësisë historike të shtetit serb për represionin dhe krimet ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
Për këtë arsye, shpesh përpiqen ta relativizojnë luftën, ta paraqesin si konflikt të paqartë ose si projekt të motivuar nga ambicie personale. Por një argument i tillë bie ndesh me logjikën elementare: kush do të rrezikonte jetën, familjen dhe të ardhmen për një karrierë që në atë kohë nuk kishte asnjë garanci?
Kjo përpjekje për ta zbehur sakrificën e luftës çlirimtare shpesh vjen nga dy burime kryesore. Së pari, nga nostalgjikët e sistemit jugosllav, të cilët ende e shohin shpërbërjen e atij sistemi si një humbje personale apo ideologjike. Së dyti, nga individë dhe struktura që kanë qenë të lidhura me aparatin politik, policor ose propagandistik të Serbisë, apo nga ata që për arsye të ndryshme nuk kanë qenë pjesë e përpjekjeve për liri dhe sot ndihen të distancuar nga ajo histori.
Megjithatë, historia nuk mund të rishkruhet sipas dëshirave të momentit. Faktet e luftës janë të dokumentuara nga dëshmitë e mijëra njerëzve, nga gazetarët që raportuan në terren, nga viktimat dhe familjet e tyre, si dhe nga dokumentet ndërkombëtare që kanë evidentuar krimet dhe represionin e asaj kohe. Për këtë arsye, përpjekjet për ta baltosur luftën çlirimtare janë më shumë një shprehje e frustrimit politik dhe ideologjik sesa një analizë serioze historike.
Ndaj, kujtesa e luftës nuk është vetëm një çështje e së kaluarës. Ajo është edhe një pjesë e identitetit dhe e ndërgjegjes kolektive të një shoqërie. Mohimi i sakrificës së atyre që luftuan dhe ranë për liri nuk është thjesht një debat politik, është një cenim i respektit ndaj historisë dhe ndaj atyre që e paguan atë me jetën e tyre. Prandaj, çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë ngjall dyshimin se, për disa njerëz, në thelb, ende nuk është pranuar plotësisht realiteti i një Kosove të lirë dhe se në ndërgjegjen e tyre vazhdon të jetojë një nostalgji për kohën kur kjo liri nuk ekzistonte.

Kontrolloni gjithashtu

Selajdin Abdullahu: Kur arti shkel mbi plagët e luftës

Në një shoqëri që ende jeton me kujtimet e freskëta të luftës, me plagët që …