18 Vjetori i Masakrës së Reçakut u shënua me zbulimin e Shtatores së William Walker në Reçak

Më 14 Janar 2017, ashtu siç ishte paraparë është zhvilluar ceremonia e zbulimit të Shtatores së ish ambasadorit William Walker afër Kompleksit Përkujtimor në Reçak, ku me këtë rast, një fjalë rasti mbajt Kryetari i Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, Presidenti, z. Hashim Thaçi dhe z.William Walker. Zbulimin e shtatores, para një numri të madh të qytetarëve e bënë kryetari i komunës, z. Naim Ismajli, presidenti, z. Hashim Thaçi, z. William Woker dhe kryetari i fshatit Reçak, z. Adem Ramadani.

Si aktivitet tjetër i kësaj dite ishte Shfaqja e filmit dokumentar ” Saga e Reçakut “, i cili u përcoll nga një numër i madh i qytetarëve në Shtëpinë e Kulturës, në Shtime.

Ndërkaq, më 15 janar, nga rra 9:00-11:00 u mbajtën homazhe dhe vendosja e luleve dhe kurorave në Kompleksin Përkujtimor, në Reçak, ku morën pjesë qytetarë nga gjithë Kosova dhe trojet shqiptare.

Vendosja e luleve dhe kurorave u bë edhe nga kryetari Ismajli me delegacionet e nivelit qendror dhe lokal.

Në ora ora 12:00, në Shtëpinë e Kulturës, në Shtime, është mbajt Akademia Përkujtimore ku fjalën tematike e ka mbajtur kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, i cili, në fjalën e tij ka thënë;

Reçaku pa dyshim është sacrificë dhe dhembje e madhe, Reçaku pa dyshim është trimëri, Reçaku pa dyshim është heroizëm, Reçaku mbi të gjitha është krenari kombëtare që më 15 janar të vitit 1999 i tregoi botës se mbrojtja e pragut të shtëpisë nuk ka asnjë çmim dhe si i tillë ka zënë vend ndër faqet e para të historisë së lavdishme të Luftës sonë Çlirimtare.

15 Janari i këtij viti shënon 18 – vjetorin e ngjarjes së përgjakshme në fshatin Reçak, kur forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë të paarmatosur.

Më 15 janar 1999, në Reçak, u dëshmua sakrifica e të gjitha gjeneratave sepse këtë ditë u martirizuan edhe fëmijë edhe pleq, edhe burra edhe gra prandaj flijimi i tyre për liri dhe gjaku i derdhur duke ruajtur pragun e shtëpisë, nënqiellit të Kosovës i dhanë dritën e jetës, por edhe të pavdekësisë historike.

Në fshatin Reçak, më 15 janar 1999, kriminelët, në mënyrë djallëzisht të planifikuar , u hakmorën ndaj qëndrimit dinjitoz të popullatës civile, e cila ishte rreshtuar përkrah ushtarëve të UÇK-së dhe, në momentin kur këta kriminelë nuk ia dolën të përballen me UÇK-në, kryen krimin monstruoz ndaj njerëzve të paarmatosur, burrave, grave, e madje, edhe ndaj fëmijëve për të zmbrapsur qëllimet që kishte UÇK-ja, e mbështetur nga populli.

Të nderuar të pranishëm, të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe të martirëve të Reçakut, e kaluara e hidhur nuk harrohet, humbja e më të dashurve tanë nuk kompensohet, por duhet të jemi krenarë që gjaku i derdhur në Reçak, më 15 janar 1999 dhe plaga shpirtërore që edhe sot na përcjellë me dhembje, bënë kthesë historike dhe ndryshuan rrjedhat e historisë sonë duke i treguar botës se si duhet luftuar dhe si duhet vdekur për lirinë e vendit.

Tragjedia e madhe e 15 janarit të vitit 1999, me dhembje pllakosi jo vetëm Raçakun, por gjithë Kosovën, të gjitha trojet etnike shqiptare dhe të gjithë shqiptarët kudo që u ndodhën.

Kjo masakër goditi rëndë edhe opinionin botëror duke e zgjuar nga letargjia e përrallave serbe, por vetëm pas deklarimit të guximshëm të udhëheqësit të misionit të OSBE-së, gjeneralit Wiliam Woker, i cili në mënyrë shumë të qartë dhe me gjithë zërin tregoi të vërtetën që pa atë ditë.

Zoti Wiliam Woker- ish shef i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, me të parë këtë ngjarje i tregoi botës të vërtetën që po ndodhte në Kosovë dhe krimin e bërë nga militarët dhe paramilitarër e shtetit serb ndaj njerëzve të paarmatosur, në fshatin Reçak, e quajti “krim kundër njerëzimit”, për çka Raçaku, Kosova dhe i gjithë populli shqiptar, përjetësisht do t’i jenë mirënjohës.

Zoti Voker, në ato ditë të vështira, ishte syri, veshi dhe zëri i gjithë asaj çka po ndodhte te ne prandaj me veprimet e tij prej diplomati bëri që Masakra e Reçakut të shënojë një kthesë të madhe në diplomacinë ndërkombëtare dhe duke bërë që të zhvillohet fushata 78 ditore e bombardimeve ajrore të NATO-s ndaj Serbisë, që bëri gjenocid, në Kosovë.

Për këtë arsye sa herë përkujtojmë sakrificën e Reçakut, ne nderojmë lart figurën e zotit Viliam Voker, mikut tonë, i cili në çdo përvjetor të ngjarjes së Reçakut, më15 Janar, është bashkë me ne, qoftë fizikisht qoftë shpirtërisht.

Kështu, ai do të jetë me ne sa herë kujtojmë 15 janarin e vitit 1999, sa here kujtojmë ato ditë të vështira, për të na ngushëlluar që ta përballojmë humbjen e më të dashurve tanë. Ai me shtatoren e tij, tani, nga dita e sotme, do të jetë engjëlli mbrojtës që u rri pranë prindërve, vëllezërve dhe motrave tona, që pushojnë në Kompleksin Përkujtimor, në Reçak, gjaku i të cilëve do të mbetet përherë i freskët në themelet e lirisë së shtetit tonë, Kosovës së lirë kurse për zotin Voker mirënjohja do të mbetet e përjetshme.

Fjalë rasti, në këtë Akademi ka mbajt edhe Kryetarit i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, z. William Walker, ish komandanti i ZON, z. Shukri Buja dhe z.Xhavit Jashari në emër të shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Po vazhdon vaksinimi i bagëtive në komunën e Ferizajt

Komuna e Ferizajt po vazhdon vaksinimi i fondit blegtoral te bagëtitë e trasha dhe të …