Mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Malishevës

Gjysmë vjetori i dytë i vitit shkollor 2016/2017, ka filluar në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës dhe nuk është regjistruar asnjë problem. Kështu ka bërë të ditur drejtori i arsimit, Avdi Morina, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve. Me këtë rast, kryetari Begaj dhe drejtori Morina, i kanë uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë.

Përndryshe në mbledhjen e rregullt të qeverisë komunale, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka kërkuar nga drejtoritë, që të jenë të gatshëm për fillimin e realizimit të projekteve të planifikuara për vitin 2017. Edhe drejtori i financave, Vesel Krasniqi, ka bërë të ditur se të gjitha drejtoritë janë të njoftuar me planifikimet buxhetore, ndërsa dha vërejtje për neglizhencë nga ana e Ministrisë së Financave, për mos alokim të mjeteve, dhe siç tha drejtori Krasniqi, “mund të ketë vonesë deri në muajin shkurt, gjë e cila do të sjellë probleme serioze për komunën e Malishevës”.

Gjatë javës së kaluar, sipas drejtorit për bujqësi, Murat Hoxha, ka përfunduar shpërndarja e lopëve qumështore, ndërsa drejtoria që ai drejton, është në përgatitje të realizimit të projektit për ndërtimin e tridhjetë serrave për këtë vit. Kurse drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, ka bërë të ditur, se drejtoria është duke bërë incizimin e rrjeteve të kanalizimeve, si dhe janë bërë përgatitjet për fillimin e realizimit të projekteve, ku në mesin e tyre janë edhe tri shkolla të reja.

Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër, Blerim Thaçi, ka njoftuar për raportin e punës së drejtorisë, ku sipas të dhënave të nxjerra, viti 2016 ka qenë i suksesshëm edhe në grumbullimin e të hyrave nga drejtoria, ku janë realizuar 14 mijë euro më shumë se viti paraprak.

Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina, ka njoftuar se gjendja e rrugëve është e mirë, ndërsa drejtoria gjatë këtij viti, do të ketë prioritet rritjen e hapësirave të gjelbëruara dhe rregullimin e ndriçimit publik edhe në vendbanime tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Angazhohen ekipe shtesë për grumbullimin e mbeturinave në komunën e Ferizajt

Pas shpalljes së gjendjes emergjente për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave nga Komuna e Ferizajt, …