Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla

36 vjet nga vrasja në pritë e tre flakadanëve të lirisë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla

U mbushen 36 vjet nga vrasja në pritë e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Rojet e errësirës i vranë mizorisht, më 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbach afër qytetit Heilbronn, Landi i Shtuttgart-it, në Gjermani. Gjatë tërë kësaj kohe, opinioni liridashës shqiptar dhe ai i Kosovës në veçanti, nuk ka arritur të mësojë të vërtetën për aktorët e krimit, edhe pse dihet organizatori dhe urdhërdhënësi.

Jusuf Gërvalla, edhe pse  i plagosur për vdekje kishte jetuar aq sa për ta drejtuar gishtin te vrasësit, te organizatorët e krimit, por nuk kishte apostrofuar persona të veçantë, mbase edhe nuk i ka ditur, mbase nuk iu kanë kujtuar në çastet kur po përpëlitej në agoninë e vdekjes, në sallën e Spitalit, ku rastësisht, apo me sugjerim paraprak  kishte  ndodhur kujdestar në emergjencë, një mjek me origjinë nga Serbia.

Fjalët e Jusufit kishin sqaruar se kush qëndronte prapa krimit dhe për këtë nuk janë shfaqur dyshimet asnjëherë, por zbulimi i dorasit apo dorasëve ka mbetur një enigmë, e cila nuk është zbërthyer dhe duket se janë të pakta gjasat për ta zbuluar, meqë në këtë vrasje duket se kanë qenë të implikuar figura, asokohe mbase edhe të panjohur, të cilët me kalimin e moteve mund të jenë shndërruar në engjëj, në magnatë e miliarderë. Këto paragjykime nuk mund të jenë asgjë më shumë se një pretendim më tepër në mesin e qindra supozimeve lidhur me vrasësit  e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës.

Prej 17 janarit të vitit 1982 e deri tani, nga grupe dhe klane të caktuara politike  janë bërë shumë përpjekje për t’i vrarë edhe për së vdekuri, për t’i ndarë, ashtu edhe sikur kanë arritur t’i ndajnë pas vdekjes  dhe për t’i mbuluar me  hipotekën e dyshimit, ashtu sikur edhe kanë arritur, deri diku.

Ata, që kanë përcjellë me vëmendje zhvillimin e rrjedhave politike prej vitit 1981 e deri tani, ata që janë marrë me “zbulimin” e vrasësve të këtyre tre heronjve të Kosovës,  dhe shumë të tjerë që kanë paragjykuar dhe kanë manipuluar sipas interesave të grupeve e klaneve të tyre, në mungesë të versionit të vërtetë, janë shërbyer dhe ende shërbehen me paragjykime, me gjysmë të vërteta, me hamendësime dhe krejt kjo vetëm sa e ka bërë edhe më të pamundshëm zgjidhjen e enigmës, ndërkohë që projektuesit dhe zbatuesit e krimit kanë përfituar shumë më tepër sesa kanë menduar, madje ka të tillë që përfitojnë edhe sot, sepse përçarja që kanë  krijuar ata  mes shqiptarëve me kryerjen e krimit, në Shtutgart ende nuk është shafitur dhe duket se edhe për shumë kohë do të mbetet një plagë kaceroze,  në dëm të unitetit kombëtar të shqiptarëve.

Përveç ndonjë të marri, të çmenduri apo të lajthituri psikik, nuk ka shqiptar të ndershëm e liridashës që dyshon në atdhetarinë e dëshmuar të këtyre tre martirëve, tre dëshmorëve dhe tre heronjve të kombit.

Por ekziston  edhe një staf tjetër veprimtarësh të Lëvizjes dhe politikanësh, të cilët për interesa politike, ende janë në gjendje të drejtojnë gishtin andej e këndej, me qëllim për të përfituar mbi kapitalin e tyre kombëtar dhe me qëllim për ta mbajtur peng, jo vetëm familjen e të afërmit, por edhe tërë liridashësit e vendit.

Një punë krejt të pandershme në këtë drejtim, në drejtim të helmimit të opinionit me gënjeshtra e kryejnë me sukses disa medie të njohura për skandale, që mbijetojnë financiarisht  duke përhapur gënjeshtra, sensacione, duke shtrembëruar të vërtetën, duke e gjymtuar atë për qëllime që dihen dhe duke qenë zëdhënës  konstantë të politikave të caktuara antikombëtare, qysh prej mbarimit të luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Instituti Demokratik i Kosovës paraqiti raportin analitik lidhur me zhvillimet gjatë sesionit pranveror të punës së Kuvendit

Opozita është ankuar se nuk po gjejnë përkrahje nga shumica për formimin e Komisioneve Hetimore

Partitë opozitare janë ankuar se nuk po gjejnë përkrahje nga shumica për formimin e Komisioneve …