Rexhep Qosja

Qosja shpreson që SHBA dhe BE do ta lirojnë Kuvendin prej kushtëzimit jodemokratik

Akademik Rexhep Qosja, duke komentuar kërkesat e SHBA-së dhe BE-së që për formimin e Ushtrisë së Kosovës të vendoset jo me numrin e votave të deputetëve, por me pajtimin e të gjitha grupeve etnike të Kosovës, ka thënë se shpreson që SHBA-të dhe BE-ja, në pajtim me Kushtetutat e tyre, do ta lirojnë Kuvendin e Kosovës prej këtij kushtëzimi jodemokratik, që për fatin e Ushtrisë tonë të mund të vendosin deputetët serb. “Me politikën e saj, me sjelljet e saj, me deklarimet e saj udhëheqja politike e shtetërore e Kosovës dhe populli shqiptar i Kosovës e kanë dëshmuar përkushtimin e sotëm dhe përkushtimin e ardhshëm, që mund ta quajmë historik, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj Bashkimit Evropian. Në këtë përkushtim janë të përmbajtura mendimet dhe ndjenjat e gjithë shqiptarëve ku do qofshin ata sidomos ndaj SHBA-ve. SHBA-të dhe shtetet më të mëdha të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur e sovran. Me njohjen e këtillë, si shtet i pavarur dhe sovran, ato, SHBA-të dhe BE-ja, ia kanë njohur Kosovës të drejtën që, përpos të tjerash, të krijojë edhe Ushtrinë e saj, në këtë mes ia kanë njohur të drejtën që Forcën e Sigurisë së Kosovës ta shndërrojë, ta rrisë, në Ushtri të Kosovës me të gjitha institucionet përkatëse, duke u bërë ushtri që mbron sigurinë, tërësinë territoriale dhe rendin politik e shtetëror të Kosovës. Duke e njohur kështu shtet të pavarur dhe sovran, ato, SHBA-të dhe BE-ja, (e me to edhe NATO-ja) objektivisht ia kanë njohur Kosovës të drejtën që Ushtrinë e saj ta themelojë si të dojë vetë: me ligj apo me ndryshime në Kushtetutën e saj. Me njohjen e kësaj të drejte të Kosovës, ato, SHBA-ja dhe BE-ja, realisht ia kanë njohur Kuvendit të Kosovës të drejtën që me shumicën e votave të deputetëve të tij të vendosë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Për këtë arsye kërkesat e SHBA-së dhe BE-së që në Kuvendin e Kosovës për formimin e Ushtrisë së Kosovës të vendoset jo me numrin e votave të deputetëve, por me pajtimin e të gjitha grupeve etnike të Kosovës, e kjo domethënë edhe me pajtimin e pashmangshëm të grupit të deputetëve serbë, është në kundërshtim me parimet demokratike, me standardet demokratike dhe me etikën demokratike amerikane dhe evropiane. Dua të shpresoj se SHBA-të dhe BE-ja, në pajtim me Kushtetutat e tyre me rëndësi historike për zhvillimin e demokracisë në botë, do ta lirojnë Kuvendin e Kosovës prej këtij kushtëzimi jodemokratik, që për fatin e Ushtrisë kosovare të mund të vendosë grupi i deputetëve të një bashkësie etnike – të serbëve të Kosovës” , ka thënë ndër të tjera në postimin e tij Qosja.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet parlamentare e presidenciale, me një ndërhyrje të jashtëligjshme të Vetëvendosjes

Sot në Maqedoninë e Veriut  po  mbahen  zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Lëvizja Vetëvendosje, e Albin …