Nga takimi i Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjareve të Personave të Zhdukur të Kosovës

Nga takimi i Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjareve të Personave të Zhdukur të Kosovës

Takimi i Grupit Punues për Persona të Zhdukur  i mbajtur më 26 tetor 2018, në Beograd

Për: Kryesuesin e Grupit Punues për Persona të Zhdukur

Nga : KKAFZHK, familjarët e autorizuar:

  1. Selami Hoti, _________________
  2. Salih Muhaxheri, _________________

Të  nderuar  familjar,

I nderuar Kryesues i këtij takimi,

Të nderuara delegacione të të dy shteteve,

Të nderuar të pranishëm ,

Fillimisht, ju falënderojmë për ftesën që na keni bërë që të jemi të pranishëm në këtë takim, për të parë nga afër zhvillimet e takimeve por edhe për të dhënë kontributin tonë si familjarë, meqë padyshim që rezultatet e deritanishme, sado të pakta që janë, nuk do të ishin edhe pa angazhimin e vazhdueshëm të familjeve.

Megjithatë, së bashku me ftesën, ju na keni dhënë përgjegjësi shtesë ndaj mijëra familjeve që edhe pas 20 viteve, presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, presin rezultate edhe nga ky takim.

Jam Selami Hoti, përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve nga Krusha e Madhe, fshati i të madhit Prof. Ukshin Hoti. Jo rastësisht e potencova Profesorin, meqë përkundër përpjekjeve dhe përgjigjeve deklarative nga viti 2005, pra kur ka filluar të funksionojë ky mekanizëm, ende nuk dihet asgjë për fatin dhe vendndodhjen e tij. Mungesa e përgjigjes për profesor Ukshin Hotin, jo vetëm që vazhdon të rëndojë gjendjen e familjes, krushianëve, por edhe mbarë popullit të Kosovës, por është edhe një venitje për familjarët e personave tjerë të zhdukur, sepse nëse nuk arrihet të mësohet e vërteta për Profesorin duke i ditur me emër e mbiemër përgjegjësit apo personat zyrtar të burgut të Dubravës, përkatësisht pushtetarët që qëndrojnë mbrapa rrëmbimit dhe zhdukjes së tij, ose të rastit të z. Fetah Hoti, pacient i shtrirë në Repartin e Dializës në Spitalin e Prishtinës, atëherë çfarë pritet apo si mund të shpresojmë të dihet fati dhe vendndodhja edhe 62 personave tjerë të zhdukur, nga rasti ‘i kamionit në lumin Drini i Bardhë’, në mes të fshatit Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, nga 235 sa ishin gjithsejtë të vrarë në fshatin Krushë e Madhe, në dy krematoriume dhe tetë varreza masive brenda një fshati. Apo çfarë t’iu themi familjeve te të zhdukurve të Krushës së Vogël, ku nga 113 viktimat e këtij fshati akoma nuk dihet për fatin dhe vendndodhjen e 64 personave, e dyshimet e familjarëve, për një pjesë tashmë të konfirmuar, janë që në këtë masakër policia dhe ushtria serbe ka përdorur djegien e kufomave si përpjekje për të asgjësuar  gjurmët e krimit, apo minimizuar krimin e bërë.

Sigurisht që nuk do të ishte korrekte, në mënyrë të veçantë për bashkësinë ndërkombëtare si përkrahës të deritanishëm në këtë proces, sikur edhe sot të mos vlerësonim punën dhe angazhimin e dëritanishëm që ka rezultuar me hapjen e shumë varrezave masive dhe identifikimin e mijëra të zhdukurve. Megjithatë edhe tani, familjarët janë në pritje dhe ankth për kthimin edhe të 1648 personave. Andaj edhe në këtë rast, kërkojmë nga institucionet e Serbisë, që të jenë më bashkëpunuese, dhe mbi të gjitha kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj autoriteteve, meqë përvoja e deritanishme ka konfirmuar se vetëm në këtë formë mund të kemi përgjigje.

Është obligim i yni që të kërkojmë një të drejtë elementare, është më shumë se obligim, është pjesë e jetës sonë të përditshme. Është obligim i të gjithë juve të pranishëm, të na përgjigjeni, të na respektoni të drejtën për të ditur. Është obligim i bashkësisë ndërkombëtare të na përkrahë, dhe në këtë rast po apostrofojë se krimet gjatë luftës, në rrëmbimin popullatës civile për se gjalli, si dhe rrëmbimi i kufomave te varrosura për ta sanuar terrenin respektivisht humbjen e gjurmëve te krimit është kryer ne kundërshtim me dispozitat e një varg aktesh ndërkombëtare si ne vijim:

  • Pakti Ndërkombëtar për te Drejtat Civile dhe Politike;
  • Konventa ndërkombëtare për Eliminimin e te gjitha formave te diskriminimit racor,
  • Konventa kundër mundimit dhe sjelljes ose dënimit tjetër te vrazhdë ,jo njerëzor dhe poshtërues ;
  • Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve;
  • Konventa Evropiane për Mbrojtjen e te Drejtave te Njeriut dhe Lirive Themelore (këtë Konventë e ka ratifikuar  RSFJ,  respektivisht  Serbia si “sukcesore/pasardhëse” e sajë , ndaj  e obligon  Serbinë që ta zbatoje te njëjtën);
  • Deklarata Universale e te Drejtave te Njeriut ;
  • Shkelja e te drejtave dhe lirive te njeriut është e dënueshme edhe me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme te KB, të datës 16.12.2005 (Basic Principles and Guidelines on the Right to a Remedy and Reparation for Victims of Gross Violations of International Human Rights Law and Serious Violations of International Humanitarian Law . Adopted and proclaimed by General Assembly resolution 60/147 of 16 December 2005) ;
  • Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (Gazeta Zyrtare-e RSFJ nr.29/78) ;
  • Ligji Ndërkombëtar Humanitar në Kosovë i vitit 2016, që konfirmon gatishmërinë e institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për drejtësi ndërkombëtare në këtë proces ;

Dhe për fund, në përpjekje për të përmbledhur kërkesat e përgjithshme të familjarëve:

– Ne edhe sot, ashtu si dje, nuk po kërkojmë asgjë më shumë se sa të mësojmë për fatin e më të dashurve tanë ;

– Të sillen para drejtësisë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe zhdukjen e familjarëve tanë. Familjarët kërkojnë drejtësi ndërkombëtare, por kurrsesi selektive. Drejtësia është e vetmja garancë që tmerret e luftës të mos përsëriten;

– Kur të plotësohen dy kërkesat e para, atëherë mund të flitet me plotë kuptim për nismat për pajtim;

– Dhe cfarëdo marrëveshje mes shteteve, pa ndriçimin e fatit te të pagjeturve , është e zbehtë dhe jo e plotë;

– Ne e dimë që institucionet në Beograd, janë çelësi i zgjidhjes së kësaj problematike, meqë të dhënat e deritanishme kanë dëshmuar se të gjitha veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë luftës kanë qenë të planifikuara dhe të organizuara ;

– Bashkësia ndërkombëtar duhet të shtojë presionin dhe në këtë rast edhe vetë KNKK-ja, ani pse organizatë humanitare, duhet të përdor edhe mekanizma politik që t’a detyrojnë Beogradin për hapjen e arkivave të ish-ushtrisë jugosllave dhe të mësojmë se çfarë ndodhi me familjarët tanë që na u morën të gjallë ;

– Ne, vazhdojmë të kërkojmë edhe nga bashkësia ndërkombëtare që përmes dosjeve që ata i kanë si dhe përmes imazheve satelitore, që i mbajnë në tavolina e nuk i ndajnë me delegacionet, të na ndihmojnë në gjetjen e varrezave të jashtëligjshme masive ;

Të nderuar, duke ju falënderuar për vëmendjen tuaj, këto që i thashë, ishin vetëm një pjesë e vogël e një fatkeqësie të madhe.

Dhe në fund po e përfundojë duke theksuar një thënie nga Libri ;Jetët e Humbura’, i përgatitur pikërisht nga KNKK-ja :  ‘Njerëzit nuk janë të panevojshëm, ata nuk mund të zhduken përgjithmonë’.

Kontrolloni gjithashtu

RrGK publikon Raportin Analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”  

RrGK shpreh shqetësim të madh në lidhje me denimin e ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh një shqetësim të madh në lidhje me denimin …